Fenomeni Fidèle: Qeni që u kthye në ikonë të kamerave të turistëve

TIRANË, 20 mars /ATSH/- Fidèle, banori më i fotografuar i qytetit të Bruges, në Belgjikë, ka ndërruar jetë në moshën 12-vjeçare, sipas “Bulletin”.
Labradori qime verdhë ishte kthyer në simbolin e heshtur të qytetit piktoresk, pasi për vite me radhë shihej i shtrirë në dritaren e hapur të katit të sipërm të bujtinës “Côté Canal”.
Ndërtesa ndodhet pranë kanalit Groenerei, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët që lundrojnë me varka.
Pamja e Fidèle-s duke dremitur mbi jastëkun e tij – u bë fokusi i mijëra fotografive të pushimeve, duke e kthyer atë në një sensacion të vërtetë në internet.
Ai nuk pati një “karrierë” të zakonshme apo të planifikuar.
Thjesht rrinte i qetë në vendin e tij të preferuar, duke vëzhguar botën që kalonte poshtë dritares, ndërsa bënte gjumin e radhës.
Megjithatë, imazhi i tij u shpërnda miliona herë online, në mbarë botën.
Fidèle u shfaq për pak çaste në hyrje të filmit “In Bruges”, si dhe në një reklamë televizive të çokollatës “Godiva”.
Fotot e tij qarkulluan gjerësisht në rrjete sociale dhe platforma fotografike si Pinterest, Instagram, Flickr, 500px dhe X.
Lajmi për vdekjen e tij u bë ndërkombëtar, duke u pasqyruar në media dhe faqe udhëtimi nga vende të ndryshme si Greqia, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ai e mposhti një herë kancerin, por sëmundja iu rikthye”, tha pronarja e tij, Caroline Van Langeraert.
Sipas saj, fama e jashtëzakonshme e qenit erdhi krejt rastësisht.
“Një ditë ai thjesht u shtri para dritares. Që nga ai moment u bë i preferuari i turistëve”, u shpreh ajo.
Edhe pas ndarjes nga jeta, vizitorët që kalojnë pranë kanalit vazhdojnë të hedhin sytë nga dritarja e famshme, duke kujtuar qenin – që pa e kuptuar u bë një nga ikonat më të dashura të Bruges. //a.i//



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.