Filipinet, nën kërcënimin e tajfunit “Haima”. “Shtypet” protesta antiamerikane
Kushtet ekstreme të motit kanë përfshirë Filipinet, me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm. Filipinet po përgatiten për “Haima”-n, tajfunin e dytë brenda një jave.
Ai konsiderohet si supertajfun i kategorisë së pestë dhe i treti më i fuqishëm që ka goditur vendin kohët e fundit. Stuhia tani është e përqëndruar në zonën veriore të Luzon dhe po i drejtohet qendrës.
Autoritetet kanë paralajmëruar për pasoja katastrofike, ndërsa e kanë cilësuar tajfunin “Haima” si tepër të frikshëm. 2.7 milionë njerëz priten të preken nga kushtet ekstreme të motit. Mbrëmjen e së premtes, “Haima” do të zhvendoset drejt vijës bregdetare të Kinës, ku stuhia pritet të jetë zbutur.
Nga tajfuni i mëparshëm “Sarika”, të paktën 3 persona humbën jetën, ndërsa 10 mijë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre.
E ndërsa vendi pritet të përballet me kushte ekstreme të motit, një furgon policie ka mësyrë në mesin e dhjetëra protestuesve të mbledhur në Ambasaden amerikane në kryeqytetin Manila, në një demonstratë kundër SHBA-ve.
Të paktën 3 studentë aktivistë janë shtruar në spital nga përplasja me policinë, që u kthye në një përleshje të dhunshme.