Fillon gjyqi ndaj ish Presidentit Trump
Donald Trump do të hyjë në histori si ish-presidenti i parë që del në gjyq i akuzuar penalisht. Ai akuzohet për dhënie parash në këmbim të heshtjes. Gjyqi sapo ka filluar, me prokurorët që po bëjnë deklaratat hapëse.
Kandidati i pritshëm presidencial republikan do të jetë i detyruar që të kombinojë aktivitetet e fushatës me paraqitjen në gjykatën e Manhatanit për javë të tëra për t’u mbrojtur ndaj akuzave, mes së cilave ajo për një skemë për të fshehur akuzat për tradhëti bashkëshortore që u ngritën gjatë fushatës së tij të parë presidenciale në vitin 2016.
Ky rast mund ketë pasoja të konsiderueshme politike, pasi mund të jetë e vetmja nga katër çështjet penale kundër zotit Trump, vendimi për të cilën mund të dalë para zgjedhjeve të nëntorit.
Ja çfarë duhet të dini për këtë çështje dhe akuzat kundër zotit Trump:
KU PËRQENDROHET ÇËSHTJA?
Ish-presidenti akuzohet për falsifikimin e dokumenteve të kompanisë së tij “Organizata Trump”, si pjesë e një skeme për të mbuluar në heshtje histori që ai druhej se mund të dëmtonin fushatën e tij të vitit 2016, veçanërisht pasi reputacioni i ish-presidentit Trump kishte marrë një goditje nga disa komente që ai kishte bërë për gratë.
Akuzat përqendrohen në pagesat ndaj dy grave, aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modeles së revistës ‘Playboy’ Karen McDougal. Të dyja gratë kanë thënë se kishin patur marrëdhënie intime jashtëmartesore me zotin Trump vite më parë. Po ashtu, një roje në Kullën Trump pretendon se ka informacione për një fëmijë jashtë martese të zotit Trump. Ish-presidenti i hedh poshtë të gjitha këto pretendime.
Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i pagoi zonjës Daniels 130,000 dollarë si edhe orkestroi një pagesë prej 150,000 dollarësh për zonjën McDougal, përmes tabloidit “National Enquirer”, në një praktikë të diskutueshme, sipas së cilës një media paguan për të drejtat ekskluzive të historisë së dikujt, jo për ta botuar, por, ose si favor për një subjekt të famshëm, ose për ta përdorur si mjet presioni ndaj personit të implikuar.
Prokurorët thonë se kompania e zotit Trump e rimbursoi zotin Cohen për 130 mijë dollarët e paguar për zonjën Daniels, si dhe i dha atij shpërblime dhe pagesa shtesë, të cilat u regjistruan në mënyrë të rreme si shpenzime ligjore tek llogaritë e Organizatës Trump. Avokati Cohen ka pranuar veçmas fajësinë për shkeljen e ligjit federal për financimin e fushatave në lidhje me pagesat.
CILAT JANË AKUZAT?
Zoti Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit. Akt-padia mbart deri në katër vjet burg, por do të jetë gjyqtari që do të përcaktojë nëse ai do të dënohet me burg.
Akuzat përqendrohet tek një sërë pagesash që i janë bërë zotit Cohen për ta rimbursuar atë për rolin në pagesën ndaj zonjës Daniels. Pagesat ndaj tij, të kryera gjatë 12 muajve, janë regjistruar si shpenzime ligjore në dokumentet e ndryshme të brendshme të kompanisë.
Prokurorëve u duhet të provojnë jo vetëm që zoti Trump falsifikoi ose nxiti regjistrimin e të dhënave të biznesit në mënyrë të rreme – që do të ishte një shkelje më e lehtë – por se e bëri një gjë të tillë me synimin për të kryer ose fshehur një krim të dytë.
Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, nuk dha fillimisht detaje për krimin tjetër për të cilin akuzohet zoti Trump, por më vonë ka thënë se provat tregojnë se veprimet e tij kishin për qëllim fshehjen e veprave penale të lidhura me financimin e fushatës elektorale, si dhe krime tatimore.
Disa ekspertë argumentojnë se kjo është një strategji e pazakontë ligjore që mund të shkaktojë efektin e kundërt.
PËRZGJEDHJA E JURISË
Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të jurisë u përmbyll të premten, duke i hapur rrugën prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës që të bëjnë deklaratat hapëse të hënën.
Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë që u zgjodhën të enjten, së bashku me gjashtë rezervë të zgjedhur të premten, do të vendosin mbi fajësinë, ose jo, të një ish-presidenti.
Gjyqtari Juan M. Merchan i zgjodhi anëtarët e jurisë nga një numër i madh njerëzish, duke skualifikuar ata me paragjykime të mundshme për çështjen, ose ata që për arsye të tjera nuk mund të shërbenin.
Gjyqtari ka urdhëruar që emrat e tyre të mbahen sekret nga të gjithë, përveç prokurorëve, zotit Trump dhe ekipeve të tyre ligjore.
CILËT DO TË JENË DËSHMITARËT?
Zoti Cohen, që ishte një nga njerëzit më besnikë të rrethit të ish-presidentit Trump dhe që më pas është kthyer në një kritik të tij, pritet të jetë dëshmitari kryesor i organit të akuzës, pasi ishte ai që orkestroi pagesat.
Përpara se të dëshmonte para jurisë së madhe që ngriti padinë vitin e kaluar, zoti Cohen tha se synimi i tij ishte “të tregonte të vërtetën” dhe këmbënguli se nuk po kërkon hakmarrje, por tha se zoti Trump “duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij”.
Ai vetë ka kryer një dënim me burg pasi u shpall fajtor në vitin 2018, ndër të tjera, nën akuzën për shkelje të rregullave për financimin e fushatave elektorale, duke mundësuar pagesat për zonjën Daniels dhe zonjën McDougal.
Zonja Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, pritet gjithashtu të dëshmojë. Ajo pretendon se ka pasur një marrëdhënie intime me zotin Trump në vitin 2006, që megjithëse nuk e dëshironte, nuk e kundërshtoi. Zoti Trump thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.
CILA DO TË JETË MBROJTJA E ISH-PRESIDENTIT TRUMP?
Ish-presidenti Trump i ka mohuar gjithë akuzat dhe e ka quajtur rastin një përpjekje për të dëmtuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2024. Ai ka pranuar se e ka rimbursuar zotin Cohen për pagesën dhe se ajo synonte që zonja Daniels të mos fliste publikisht lidhur me pretendimin e saj.
Por zoti Trump tha në vitin 2018 se kjo nuk kishte asnjë lidhje me fushatën elektorale.
Avokatët e ish-presidentit Trump ka të ngjarë të përpiqen të minojnë besueshmërinë e dëshmitarëve të prokurorisë, si zotin Cohen edhe zonjën Daniels. Zoti Trump i ka cilësuar të dy si gënjeshtarë. Avokatët e zotit Trump pritet ta cilësojnë zotin Cohen si mashtrues të cilit nuk mund t’i besohet.
Zoti Trump kohët e fundit postoi në rrjetet sociale një kopje të një deklarate të vitit 2018 nga zonja Daniels, në të cilën ajo mohon se ata kishin pasur një marrëdhënie seksuale.
Por më vonë zonja Daniels ishte tërhequr nga ai deklarim dhe tha se në fakt ai takim kishte ndodhur. Ajo tha se e kishte mohuar fillimisht një gjë të tillë, për shkak të një marrëveshjeje konfidencialiteti, pasi palët e përfshira e kishin bërë të mendonte se nuk kishte alternativë tjetër.
ÇËSHTJET E TJERA PENALE TË ISH-PRESIDENTIT TRUMP
Tre çështjet e tjera penale të zotit Trump janë përfshirë në beteja ligjore dhe apelime, gjë që mund të nënkuptojë se ato nuk do të shkojnë në gjyq përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Çështja për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020 e hapur nga prokurori i posaçëm Jack Smith, mbetet pezull deri sa të shqyrtohet pretendimi i zotit Trump, se ai është gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet që ka ndërmarrë gjatë kohës që ishte në Shtëpinë e Bardhë. Gjykata e Lartë e SHBA-së pritet të dëgjojë argumentet për këtë çështje më 25 prill.
Akt-padia tjetër e prokurorit Smith e akuzon zotinTrump për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago. Gjyqi ishte planifikuar të fillonte në maj, por avokatët mbrojtës kërkuan shtyrjen e gjyqit. Ajo ende nuk e ka shpallur një datë të re.
Rasti tjetër penal, është ai i Xhorxhias, ku ish-presidenti Trump dhe aleatët e tij akuzohen për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet. Data e gjyqit nuk është caktuar ende.
Prokurorët kanë sugjeruar një datë në muajin gusht, por avokatët mbrojtës po i kërkojnë tani një gjykate apeli që të shqyrtojë nëse Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis duhet të përjashtohet nga ekipi i akuzës për shkak të një marrëdhënieje romantike që kishte me një ish-prokuror të lartë të kësaj çështjeje, i cili kohët e fundit u tërhoq.
Ish-presidenti Trump ka thënë se është i pafajshëm në të tre rastet dhe se nuk ka kryer asnjë shkelje.