Opinion

Finlanda asgjëson armët kimike pa demonstrata

Nga: PETRIT HALITI

anijeSeriali “Armët kimike siriane”, i harruar tashmë në këtë cep shkëmbor të Ilirisë së poshtme, shfaqi këto ditë epilogun e tij. Nga Siria u largua kontingjenti i fundit i armëve kimike siriane të deklaruara dhe me këtë rast sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, bëri në 23 qershor një deklaratë, ku njofton se përfundoi misioni kritik i lëvizjes së pjesës së fundit prej 8 për qind e arsenalit të armëve kimike siriane të deklaruara. Me këtë rast sekretari amerikan i shtetit vlerësoi se “Shumë nga aleatët dhe partnerët tanë, veçanërisht Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Italia dhe Britania e Madhe, po luajnë një rol thelbësor në përpjekjen për largimin dhe asgjësimin e tyre”. 

Ndër vendet nordike, që sekretari amerikan i shtetit vlerësoi në deklaratën e tij, Finlanda është shteti, i cili në datën 21 qershor 2014, priti në portin e vet Hamina një kontingjent të lëndëve kimike siriane, që njihen përgjithësisht me termin armët kimike siriane, të cilat do të asgjësohen në tokën finlandeze, në uzinën e trajtimit të mbetjeve “Ekokem”, e cila ndodhet në Riimaki. Gazeta “Finland times” njoftonte në 22 qershor se kontingjenti prej 50 kontejnerësh i lëndëve kimike siriane arriti me anijen norvegjeze “Taiko” dhe asgjësimi i tyre do të zgjasë disa javë. Ndërkaq, “Yle uutiset” njoftonte në datën 21 qershor se kontingjenti, që arriti të shtunën me armët kimike siriane, është i pari dhe pas tij do të ketë edhe një ose dy kontingjente të tjera. Në këtë mënyrë në territorin e Finlandës po asgjësohet një arsenal i madh armësh kimike siriane dhe kjo përbën një realizim të vendimit të shprehur nga qeveria e Finlandës që në muajin nëntor të vitit të kaluar për gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në programin e OKB për asgjësimin e armëve kimike siriane. 

Edhe në një komunikatë të saj të datës 11 dhjetor 2013, me titull “Pjesëmarrja e Finlandës në asgjësimin e armëve kimike siriane”, qeveria finlandeze thekson se Finlanda është e gatshme të marrë pjesë në operacionin detar të transportit të armëve kimike dhe të mbështesë aksionin e OKB dhe të ‘Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike’ për asgjësimin e atyre armëve. Shkarkimi i armëve kimike siriane në portin e Haminas u bë në kushte të rregullta, normale dhe në qetësi, pa shoqërinë e demonstratave dhe protestave të shoqatave të mbrojtjes së mjedisit. Nuk kishte demonstrata të mbrojtësve të mjedisit në port, por as përgjatë rrugës tokësore prej 70 kilometra, që u transportuan armët kimike nga porti detar në uzinën e asgjësimit të tyre dhe nuk kishte demonstrata dhe banderola protestuese as rreth e qark uzinës së shkatërrimit të armëve kimike siriane. 

As nëpër ekranet finlandeze nuk pati vërshim retorikash delirante grupore për “rrezikun katastrofal”, që po i kanosej popullit, mjedisit dhe turizmit finlandez. A ka në Finlandë shoqata të mbrojtjes së mjedisit, që kujdesen për normat dhe standardet e ruajtjes së pastërtisë së ajrit, tokës dhe ujit në shtetin nordik? Natyrisht që ka shumë, sepse ata ia dinë vlerën mjedisit të pastër, më shumë se cepat jugorë të kontinentit. Dihet se Finlanda, bashkë me shtetet e tjera nordike, përfaqësojnë rajonin, që ka ndjeshmërinë maksimale të mbrojtjes së mjedisit. Madje mund të thuhet se shoqatat e mbrojtjes së mjedisit kanë lindur në shtetet nordike dhe nuk mund të gjesh rajon tjetër në botë që të ketë shoqata, lëvizje dhe qytetarë më të interesuar për mbrojtjen e mjedisit se sa në Finlandë dhe në shtetet e tjera nordike. Natyrisht finlandezët e duan dhe mjedisin të pastër, ashtu siç padyshim duan edhe fëmijët e tyre, për të cilët mendojnë më shumë se sa rajonet e tjera, që t’u lënë mjedis të pastër dhe pa intoksikacione kimike, nukleare, biologjike apo lloji tjetër. Finlanda, së bashku me shtetet e tjera nordike, përfaqëson rajonin më të pastër të globit, ku ajri,toka dhe uji, kanë kuotën e pastërtisë më të madhe se në çdo rajon tjetër të botës. 

Nuk kishte demonstrata, kur erdhën armët kimike siriane, as nga qytetarët finlandezë, por nuk kishin ardhur për të protestuar kundër armëve kimike në territorin finlandez as ambientalistët suedezë, as ambientalistët norvegjezë, dhe as ambientalistët danezë apo estonezë. Nuk mund të thuash se ambientalistët nga këto shtete nordike nuk shqetësohen për nivelin e pastërtisë së mjedisit në Finlandë, për nivelin e ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit në Finlandë. Suedia është shtet fqinj me Finlandën dhe natyrisht është në alarm për çdo vatër apo valë infeksioni kimik apo tjetër, që mund të prekë territorin, ajrin dhe ujin e saj. Mirëpo ambientalistët suedezë nuk panë ndonjë rrezik tek asgjësimi i armëve kimike në territorin e shtetit fqinj finlandez. Po kështu as ambientalistët estonezë nuk u shqetësuan për asgjësimin e armëve kimike në territorin finlandez. Nuk ndodhi në shtetet nordike, ajo që ndodhi në Ballkanin tonë rural e të zvjerdhur, ku disa shtete megalomane u ngritën menjëherë me nismën diplomatike për të krijuar “aleancën e kundërshtimit të asgjësimit të armëve kimike” në një shtet të tyre fqinj. Nuk pati demonstrata në Finlandë përpara Ambasadës Amerikane dhe as fushatë “mjedisore” për të ngritur stuhi antiamerikane dhe për të armiqësuar popullin finlandez me SHBA. Finlanda mori një vendim sovran, sepse e gjykoi se ai vendim ishte në funksion të së mirës së përgjithshme të asgjësimit të armëve kimike, sepse Finlanda beson dhe përpiqet për një botë pa armë kimike dhe jep shembullin konkret të angazhimit të saj për paqen. 

Finlanda nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë detyrim ndaj organizatës së NATO-s për të ndërmarrë aktin e asgjësimit të armëve kimike siriane në territorin e saj. Finlanda është shtet demokratik, i cili gjykon se shkatërrimi i armëve kimike i shërben neutralizimit të rrezikut të përdorimit të tyre në konflikte, siç edhe i shërben pastrimit të mjedisit global nga agjentët kimikë të rrezikshëm. Në këtë logjikë funksionuan qëndrimet politike dhe qeveritare të shteteve nordike si Norvegjia, Danimarka, Finlanda, etj, të cilat u angazhuan në operacionin e kërkuar nga OKB dhe nga ‘Organizata e Ndalimit të Armëve Kimike’, për transportimin dhe asgjësimin e armëve kimike siriane. Ndokush në këtë cep shkëmbor të Ilirisë së Poshtme mund të habitet se si këto shtete nordike, që vlerësohen për nivelin më të lartë të demokracisë në botë, që vlerësohen për nivelin më të lartë të lirisë së shprehjes dhe të organizimit në botë, që vlerësohen për nivelin më të lartë të ndërgjegjshmërisë qytetare për të mbrojtur njeriun dhe mjedisin, nuk reaguan për asgjësimin e armëve kimike siriane në Finlandë. Një shpjegim mund të jetë se në Finlandë, Suedi, Norvegji, Danimarkë, etj, mungojnë levantinët dhe sharlatanët, që flamurin e ruajtjes së mjedisit e tundin sipas flamurit të interesave të sponsorëve të tyre. Mungojnë në vendet nordike levantinët dhe sharlatanët, të cilët biçikletën e ruajtjes së mjedisit në vendin e tyre e drejtojnë me timonin e interesit të shteteve fqinje dhe janë gati të hedhin në erë çdo përfitim apo interes strategjik të vendit të tyre për hatër të një çeku nga njëri apo tjetri shtet fqinj. Nuk gjen në shtetet nordike levantinë dhe sharlatanë ambientalistë, të cilët herë dalin kundër një projekti të një shteti fqinj, sepse kështu ia kërkon sponsorizimi i shtetit tjetër fqinj, dhe pastaj dalin në favor të projektit të atij shteti fqinj.

Finlanda vendosi dhe po realizon operacionin e asgjësimit në territorin e saj të disa kontingjenteve të armëve kimike siriane. Askush në atë shtet paqësor nuk ka dyshimin që pas kësaj Finlanda do të jetë, si deri tani, po aq e shëndetshme, po aq e qetë dhe e sigurt për fëmijët e saj, dhe po ashtu me një natyrë të mrekullueshme si një atraksion i rrallë turistik. Qytetarët nuk bëjnë demonstrata, sepse e dinë se qeveria dhe të gjitha institucionet e ngarkuara me këtë operacion do të ndjekin dhe zbatojnë me rigorozitet tërë masat e ruajtjes së standarteve dhe të evitimit të çdo lloj rreziku. Një nga gazetat kryesore të Finlandës, “Helsingin Sanomat”, duke ndjekur procesin e shkarkimit të armëve kimike siriane në portin e Haminas, shkruante në 24 qershor se “Qytetarët e Haminas nuk ishin të shqetësuar për kontejnerët”. 

Qytetarët nuk bëjnë demonstrata, sepse e kuptojnë këtë operacion si pjesë e detyrimit dhe e angazhimit qytetar dhe ndërkombëtar për një mjedis global të pastër dhe për pakësim të rreziqeve kimike për popujt e tjerë, që nga Lindja e Mesme e deri në rajonin e Veriut. Finlanda i asgjësoi armët kimike siriane në territorin e saj. Kullohuni: Është Finlanda. Një shtet etalon i demokracisë, i mjedisit të pastër dhe i qytetarisë, i zhvillimit dhe i paqes, ku të gjithë do të donin të jetonin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button