Amerika

Fjalimi para OKB-së, pritet ton i ashpër nga Obama

Ndërsa lufta kundër Shtetit Islamik vazhdon ngadalë dhe rebelët pro rusë duket se kanë hedhur rrënjë në lindje të Ukrainës, presidenti amerikan Barack Obama kthehet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në ankth për të grumbulluar sa më shumë mbështetje ndërkombëtare për planet e SHBA-së për t’u përballur me kriza të ndryshme globale.

Fitoret diplomatike si pakti bërthamor me Iranin dhe ulja e tensionit me Kubën, i kanë dhënë Obamës një shtytje të fortë. Por, një vit pas publikimit të planeve për të sulmuar Shtetin Islamik, presidenti do të përballet me presionin për të shpjeguar hapat e radhës për të zgjidhur kaosin sirian. Në deklaratat e fundit publike, Obama ka bërë përgjesës për krizat ndërkombëtare jo vetëm qeveritë lokale dhe diktarorët si Bashar al-Asad, por edhe vendet e zhvilluara, të cilat sipas tij duhet të jenë partnerë më të mirë me vendet që duan të ecin përpara.

Të hënën, Obama do të flasë para liderëve të botës dhe ndihmësit e tij thonë se kreu i Shtëpisë së Bardhë do të mbrojë diplomacinë. Por, në intervistën e së dielës, Obama tregoi se do të flasë me një ton shumë më të ashpër se sa vitet e shkuara.

“Është hera e shtatë që flas para OBK-së dhe do të jem më i drejtpërdrejtë. Me flokët e thinjur kam nisur të them gjithnjë e më shumë atë që mendoj. Ne nuk do të arrijmë kurrë qëllimet tona nëse nuk përballemi me kërcënimet serioze ndaj dinjitetit dhe mirëqenies së njerëzve në botë”, deklaroi Obama.

Këto kërcënime do të jenë pjesë e takimit më të pritur të Obamës me homologun e tij rus Vladimir Putin. Megjithëse ndihmësit e Obamës thonë se Ukraina është në krye të axhendës, nga Kremlini bëjnë me dije se për të do të flitet nëse ka kohë. Që në ditën e parë të asamblesë, Obama ka përballjen më të fortë dhe tashmë duhet parë se si do të dalë. Në fund të fundit, ky është mandati i tij i dytë dhe i fundit dhe nuk duhet të shqetësohet më për mbështetjen e publikut apo votat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button