Ekonomia

Flasin bankierët: Kritike reforma në drejtësi

Drejtuesit e bankave kryesore në vend mbeten disi pesimistë për të ardhmen, ku të paktën dhe 2016 pritet të jetë i vakët. Pozitive vlerësohet fshirja e kredive të humbura dhe pastrimi i bilanceve të bankave, por për sa kohë mjedisi do të vijojë të jetë i dobët, do të rritet probabiliteti që edhe huat e mira të fillojnë të kenë probleme.

“Kombinimi i rritjes së ulët ekonomike së bashku me normat shumë të ulëta të interesit mund të jetë një dhembje koke për sistemin shqiptar financiar dhe ekonominë, duke qenë se normat e ulëta të interesit nuk garantojnë domosdoshmërisht më shumë kreditim për ekonominë, siç po dëshmohet sot në Bashkimin Monetar Europian”, thotë z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).

“Në kuadrin makro, vlerësojmë se ambienti në të cilin operojmë paraqet sfida të vazhdueshme, të cilat lidhen me rritjen e ulët ekonomike nën potencialet reale të vendit, kërkesë të ulët për konsum dhe investime”, pohon z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank.

Bankierët e vënë theksin në reformën e gjyqësorit që konsiderohet si kritike për nxitjen e kredisë. “Sfida kryesore mbetet sërish ekzekutimi i kolateraleve dhe për këtë presim nga reforma e drejtësisë”, thotë z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank.

“N.q.s gjyqësori nuk përmirësohet, problemi më i vogël do të jetë NPL e bankave dhe mosrritja e kreditimit (bankat janë institucione të shkathëta që arrijnë të gjejnë rrugën për të minimizuar dëmet që ju ndodhin, nga çfarëdo anë). N.q.s. gjyqësori nuk përmirësohet, kjo shoqëri do të ketë probleme aq të thella sa çështjet e NPL dhe kreditimit do të duken qesharake”, thotë Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank.

“Ajo për të cilën kemi nevojë në Shqipëri tani është të rrisim nivelin e besimit dhe ky nivel besimi mund të rritet vetëm në rast se ne gjejmë një zgjidhje, njëherë e përgjithmonë, për reformën e sistemit gjyqësor dhe reforma të tjera”, pohon  Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Intesa Sanpaolo.

Kreditë me probleme mbeten një tjetër sfidë për sistemin bankar. “Monitorimi dhe përqendrimi i burimeve në drejtim të uljes së kredive me probleme do të vijojë të jetë një angazhim i rëndësishëm afatshkurtër dhe afatmesëm i të gjitha bankave, referuar normës relativisht të lartë të portofolit problematik që ekziston në treg, sikurse edhe risqeve potenciale në vijim”, thotë z. Dritan Mustafa, drejtor i komanduar, Tirana Bank .

“Arsyet e rritjes së ulët të kredisë janë të shumta si: rritja e ulët e viteve të fundit, situata ekonomike globale, pasiguria e përgjithshme për të ardhmen si nga bizneset ashtu dhe individët, shumë biznese janë ende në borxhe dhe në proces ristrukturimi etj. Për të mos u neglizhuar janë gjithashtu dhe efektet teknike të fshirjes së paprecedentë të kredive në kuadrin e planit të Bankës së Shqipërisë për reduktimin e NPL-ve”, thotë z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale.

Znj. Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të Bankës ProCredit Shqipëri thotë se një sfidë e drejtpërdrejtë është ajo e prodhimit vendas, pasi prodhimi është themeli për një zhvillim të qëndrueshëm.

“Sistemi bankar në përgjithësi ka treguar që ka kapacitete dhe mundësi për rritje të mëtejshme dhe bankat janë të gatshme për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit nëse do të varej vetëm prej tyre”, thotë  z. Bozhidar Todorov, drejtor i Bankës së Parë të Investimeve (FIB).

INTERVISTAT-BANKIERËT

Flet z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)

Sektori financiar shqiptar do të përjetojë përmirësim të ngadaltë

monitor 724.indd

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2015?

Sistemi bankar gjatë vitit 2015 ka vazhduar të jetë shumë likuid, i mirëkapitalizuar dhe i shëndoshë; këta faktorë ndihmuan për të mbrojtur tregun shqiptar nga paqëndrueshmëritë e tregut global.

Megjithatë, sistemi bankar shqiptar vazhdoi të përballej me sfida brenda dhe jashtë vendit gjatë gjithë vitit. Rajoni dhe Europa u përballën sërish me kërcënimet e krizës ekonomike si rezultat i rrezikut të dështimit të pagimit të borxhit grek verën e kaluar, edhe pse sistemi bankar në Shqipëri mbeti i paprekur; kjo dëshmohet nga menaxhimi i suksesshëm i ndikimit negativ, i lidhur me praninë e tre bankave shqiptare me kapital grek.

Ndërsa në nivelin e brendshëm, besimi i konsumatorëve dhe pasiguritë e tregut ndikuan negativisht në klimën e biznesit dhe ekonomi, duke reflektuar rënie të remitancave dhe IHD-ve. Sektori bankar nuk ishte i imunizuar nga një sjellje e tillë.

Kur ne flasim për BKT-në, viti 2015 ishte i veçantë, pasi shënoi 90-vjetorin tonë dhe ishte i suksesshëm për BKT-në në disa aspekte. Së pari, BKT ka vazhduar të konsolidojë pozitën e saj si banka më e madhe në Shqipëri në totalin e aktiveve, depozitave, kredive me pakicë, fitim neto dhe të përfitueshmërisë, si dhe arritjen e statusit numër 1 në totalin e kredive. Pjesa jonë e përgjithshme e tregut dhe fitimi neto arritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me 25.9% dhe 50 milionë dollarë, respektivisht. Së dyti, ne me sukses ulëm raportin tonë të kredive me probleme (bazuar në IFRS) në 5.9%, një nivel i cili është sërish pothuajse sa një e treta e NPL-ve të të gjithë sistemit bankar. Së treti, kemi zgjeruar numrin e degëve tona në 90. Nga ana tjetër, ne jemi shumë krenarë për punën mbresëlënëse të BKT-së në Kosovë në vitin 2015; Dega gjeneroi fitim dhe pagoi taksën e korporatave për herë të parë që nga fillimi i saj në vitin 2007.

Së fundi, të gjitha këto arritje janë të njohura ndërkombëtarisht, pasi ne u vlerësuam sërish si banka më e mirë në Shqipëri nga EMEA Finance, Euromoney dhe revista Bankieri.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2016?

Sipas mendimit tim, sektori financiar shqiptar do të përjetojë përmirësim të ngadaltë, por gradual gjatë viteve të ardhshme, nëse marrim të mirëqenë që treguesit makroekonomikë në nivel rajonal dhe më tej jashtë vendit nuk përkeqësohen. Shifrat e ulëta të NPL-ve, performanca e shëndoshë financiare e sistemit bankar dhe një mjedis me norma të ulëta interesi janë të gjithë faktorë që ofrojnë stimuj të fortë dhe mundësi të mëdha të biznesit për sektorin bankar, në mënyrë që ai të bëhet më aktiv.

Për BKT, 2016 do të jetë edhe më e mirë, teksa ne vazhdojmë të ndjekim vizionin tonë për të ardhmen, me fokus dhe vendosmëri. Ne synojmë të sfidojmë veten, jo vetëm në treguesit e performancës, por edhe në mënyrën se si ne bëjmë biznes. Ne duam që të bëhemi banka më e dixhitalizuar në vend, të maksimalizojmë potencialin tonë dhe të zbatojmë proceset më efikase për aq sa mundësohet nga teknologjia e fundit. Ky veprim i natyrshëm do të jetë në përputhje me, dhe në kontekst të, fitimet dhe objektivat e përfitueshmërisë, të cilat mbeten forca jonë kryesore.

Si vazhdimësi e strategjisë sonë për të revolucionarizuar mënyrën se si ne bëjmë banking dhe të bëhemi banka më e mirë dixhitale në rajon, në afat të mesëm, një aplikim kombëtar celular, “BKT smart” për pajisje Android dhe iOS, është zhvilluar në vitin 2015 dhe nisi me sukses zbatimin në fillim të 2016-s. Ky është aplikimi më i mirë celular bankar në aspektin e komoditetit dhe funksionalitetit që ju mund të paguani edhe gjobat e trafikut ose faturat e shërbimeve me teknologjinë e fundit në dispozicion.

Në vitin 2015, rritja e kredisë ishte në nivelet më të ulëta historike. Sipas jush, cilat janë arsyet dhe si e prisni ecurinë e huas për bankën tuaj dhe sistemin bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Stanjacioni në klimën e biznesit ka vazhduar edhe për vitin 2015 dhe ka ngushtuar më tej kushtet e kreditimit në treg. Rritja e ekonomisë shqiptare vijon të mbetet nën potencial.

Në një mjedis me rënie të çmimeve të mallrave, me probleme të vazhdueshme likuiditeti në sektorin e ndërtimit me mungesë të lejeve të ndërtimit, së bashku me pasiguritë e zgjedhjeve lokale dhe reformat e reja të ndarjes territoriale strukturore, me vendet fqinje si Italia dhe Greqia që janë prekur nga recesioni, duke ndikuar ndjeshëm në remitanca dhe IHD-të, së bashku me politikat fiskale dhe masat shtrënguese, kanë përkeqësuar edhe më tej besimin mes konsumatorëve dhe investitorëve.

Në anën tjetër, rregulloret e Autoritetit Europian të Bankave lidhur me kërkesat për kapital ende ofrojnë kufizime mbi politikat e huadhënies të aktorëve tanë lokalë kryesorë, që janë kryesisht degë në pronësi të plotë nga banka europiane të njohura. Si rrjedhojë, konkurrentët tanë kanë tkurrur në mënyrë domethënëse huadhënien për bizneset.

Huadhënia në sektorin privat ka shënuar një rritje negative prej -2.8% në 2015-n, e ndikuar nga kufizimet e kredisë si rrjedhojë e pasigurive të larta, kushteve të shtrënguara të huas, NPL-ve të larta si dhe dobësitë në zbatimin e kontratave. Pavarësisht strategjive të ndjekura nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, që u fokusuan në ndryshimet ligjore dhe administrative, huat me probleme ende mbeten një problem për sektorin bankar.

Pavarësisht vështirësive reale dhe pengesave të hasura në treg, duke marrë parasysh politikat tona të kreditimit, BKT ka mbetur një mbështetës i mençur dhe i kujdesshëm në financimin e projekteve praktike dhe të realizueshme, duke treguar rritjen më të lartë në kreditimin e sektorit privat prej 9.1%, deri në dhjetor 2015.

Rritja e kredisë në terma të shkurtër dhe të mesëm do të varet nga performanca në vijim e gjendjes makroekonomike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe nga faktorët e sipërpërmendur. Shqipëria mbetet një vend importues dhe duhen bërë përpjekje maksimale për të ndryshuar modelin ekonomik duke u fokusuar më shumë në sektorët që rrisin punësimin, prodhimin vendas, eksportin dhe GDP-në e vendit. Është shumë e rëndësishme që mbështetja e drejtë nga qeveria për zhvillimin e sektorëve strategjikë duhet të jepet në mënyrë që të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kreditimit nga sistemi bankar.

BKT do të vazhdojë të japë hua me mençuri për klientët selektivë, për të mbajtur konsumatorët ekzistues dhe për të përmbushur nevojat e tyre në përputhje me politikat e kreditimit bankar dhe vlerësimin e rrezikut, si dhe për të arritur klientë të mirë të fokusuar posaçërisht në sektorët strategjikë, me zhvillime pozitive, të tilla si Bujqësia, Energjia dhe Prodhimi.

Si do ta vlerësonit planin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme? Si e prisni ecurinë e NPL-ve në bankën tuaj?

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ka një plan domethënës për të reduktuar huat me probleme. Qëllimi është të reduktohen më tej huat e këqija dhe të ketë një ndikim pozitiv në kreditimin e ekonomisë shqiptare. Si rrjedhojë, norma e NPL-së në sistemin bankar ka zbritur lehtë në 18.4% në janar 2016. Plani i veprimit për të adresuar kreditë me probleme u nis disa vjet më parë me “projektin për ristrukturimin e huave të korporatave”. Masat ligjore të ndërmarra për të ulur normën e NPL-ve synojnë të përmirësojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit në mënyrë që të shmangen procedurat ligjore që janë të gjata dhe kanë një praktikë problematike. Një tjetër masë e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë është e lidhur me procesin e fshirjes nga llogaritë e bankave, në rastet kur borxhi nuk është kthyer për më shumë se tre vjet. Ndërkohë, fshirja e borxheve do të vazhdojë të ndiqet përmes ekzekutimit ligjor. Një tjetër zhvillim pozitiv është ligji i ri për falimentin, që synon të konsolidojë pozicionin e bankave në lidhje me debitorët dhe ul abuzimin nga sistemi gjyqësor. Për më tepër, qeveria shqiptare ka likuiduar pjesërisht borxhin ndaj njësive private, ky proces ka dhënë ndikim pozitiv në shifrën e NPL-ve në sistemin bankar.

Banka Kombëtare Tregtare ka pasur ecuri pozitive dhe të qëndrueshme dhe që po vijon lidhur me performancën e NPL-ve gjatë gjithë periudhës që është rezultat i huadhënies së kujdesshme dhe diversifikimit të riskut të portofolit të huave, i kombinuar me një plan efektiv të mbledhjes së tyre. Si rrjedhojë, pritshmëritë tona janë optimiste për të ardhmen e tendencës dhe performancës së NPL-ve të bankës sonë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Shqetësimi për NPL-të e larta që ishin ndër më të lartat në rajon dhe u reduktuan në mënyrë të konsiderueshme në vitin 2015 nëpërmjet nismave të Bankës së Shqipërisë do të vijojë të mbizotërojë në të ardhmen e afërt. Këtyre u shtohen dhe kërkesa e ulët e tregut për kredi, që i atribuohet ngadalësimit ekonomik, e cila do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi rentabilitetin dhe më tej stabilitetin e sistemit bankar.

Normat lokale të interesit të monedhës LEK kanë rënë ndjeshëm që nga nëntori i vitit të kaluar, kur qeveria shqiptare ka shkëmbyer një pjesë të konsiderueshme të borxhit të brendshëm (bono thesari) me marrjen e borxhit të huaj (eurobondi i ri 5-vjeçar shqiptar prej 450 milionë eurosh dhe kreditë e garantuara të Bankës Botërore). Rënia e mprehtë në normat e interesit në lekë mund të përkeqësojë diferencën e interesit të bankave dhe të ushtrojë presion mbi përfitueshmërinë e bankave. Kombinimi i rritjes së ulët ekonomike së bashku me normat shumë të ulëta të interesit mund të jetë një dhembje koke për sistemin shqiptar financiar dhe ekonominë, duke qenë se normat e ulëta të interesit nuk garantojnë domosdoshmërisht më shumë kreditim për ekonominë, siç po dëshmohet sot në Bashkimin Monetar Europian. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përqendrohemi në gjetjen e mënyrave të drejta për të kredituar ekonominë nëpërmjet kreditimit të matur dhe për të rritur kërkesën dhe për të nxitur investimet.

Flet z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank

Kredia me probleme: Në 2016 do të jemi në të njëjtat nivele si në 2015.

 monitor 724.indd

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2015?

Performanca e sistemit bankar gjatë vitit 2015 ka qenë shumë e mirë. Bankat vazhduan të jenë të mirëkapitalizuara, me likuiditet të mjaftueshëm dhe shumë të sigurta. Dëshmia më e mirë është besimi i publikut që tregohet nga rritja e depozitave.

Për Raiffeisen Bank, 2015 ka qenë një vit pozitiv. Ne mbetemi një nga bankat më të mëdha në vend dhe një kontribuues i madh në ekonominë shqiptare.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2016?

Unë besoj që performanca e sistemit bankar në tërësi në 2016 do të jetë në të njëjtat nivele si në 2015, madje edhe me ndonjë përmirësim.

Cilat vlerësoni ju si arsyet kryesore të kredisë së ulët?

Para së gjithash, do të thoja që pjesa më e madhe e kreditimit ka qenë afatshkurtër, kështu që gjatë vitit 2015 shumë kredi u rinovuan. Gjithashtu kanë qenë edhe kreditë e fshira nga bilancet, gjë e cila ndikon te shifrat. Nëse marrim në konsideratë sa më sipër, mund të themi që rritja e kredisë ka qenë e ndjeshme. Për më tepër, Shqipëria nuk është i vetmi vend ku rritja e kredisë është e ulët, të njëjtën gjë mund të themi edhe për BE. Sigurisht, unë besoj që do të ketë përmirësim.

Si do ta vlerësonit planin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme?

Banka e Shqipërisë ka bërë të gjitha përpjekjet dhe marrë të gjitha masat për të ulur nivelin e kredive me probleme, dhe në sajë të këtyre masave, ne kemi arritur nivelin që kemi sot. Besoj se në 2016 do të jemi në të njëjtat nivele si në 2015.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Mendoj se sfida kryesore mbetet sërish ekzekutimi i kolateraleve dhe për këtë presim nga reforma e drejtësisë. Gjithashtu, të kemi projekte të mira për kredidhënien, e cila është baza e aktivitetit tonë.

Flet z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank

Sfidat, rritja e ulët ekonomike, kërkesa e dobët për konsum dhe investime

 monitor 724.indd

 Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2015?

Gjatë vitit 2015, Credins Bank i qëndroi konsekuente strategjisë së saj të zhvillimit për të qenë banka numër një për shqiptarët. Në përputhje me këtë strategji, rrjeti i degëve dhe agjencive u zgjerua me 7 njësi, nga të cilat 4 ishin degë të reja: Ring Center, Kombinat, Pogradec e Çorovodë. Vlen të përmendet që Dega në qendrën tregtare Ring Center është e hapur shtatë ditë në javë. Ky zgjerim ka ndodhur në kushtet kur sistemi bankar ka pasur një tendencë në ulje të numrit të degëve.

Banka pati tregues në rritje qoftë në depozita, qoftë në kredi, duke treguar një tendencë në ulje për kredi korporata dhe një orientim të kujdesshëm drejt kredive për SME dhe agrobiznes. Për t’ju përgjigjur kërkesës së individëve për instrumente afatgjatë kursimesh, Banka ofroi gjatë 2015-s, depozita me afat tre dhe pesëvjeçar.

 Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2016?

Gjatë 2016, Credins Bank do të vazhdojë politikën e saj të kujdesshme në kredidhënie dhe në depozita. Në fushën e kursimeve, përtej depozitës, do të ofrohen mundësi të reja investimi. Për kreditë, pritshmëritë tona janë në rritje për sektorin e agrobiznesit, një vazhdim logjik i rritjes së ndjeshme në 2015, gjithashtu rritje pritet në sektorin e mikrokredisë dhe të SME, ku banka ka ndërtuar dhe partneritete afatgjatë me institucionet lokale dhe ndërkombëtare (BERZH). Banka do të vazhdojë të inkurajojë kredinë për individë e sidomos ata individë që janë pagamarrës në Credins Bank. Për këtë qëllim, Banka ka investuar në trajnimin e stafit (SFE) për të përmirësuar teknikat e shitjes për këtë kategori. Teknologjia e re bankare, rritja e përdoruesve të platformave bankare dixhitale gjithashtu do të jetë një prioritet i 2016. Hapja e degës së parë pa cash në 2016, do të jetë përpjekja jonë serioze për ta vënë klientin në një mjedis ku ndërveprimi me teknologjinë dhe ndërveprimi njerëzor janë të barasvlershme.

Si do ta vlerësonit planin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme? Si e prisni ecurinë e NPL-ve në bankën tuaj?

Viti 2016 ka në axhendë ndryshime të rëndësishme ligjore që lidhen me falimentin, ekzekutimin e pronave dhe regjistrimin e pasurive, të gjithë këta faktorë që ndikojnë në problematikat e kredive. Eksperiencat në Shqipëri kanë treguar se kompletimi i kuadrit ligjor merr më shumë kohë se sa parashikohet, kështu që duhet të presim për të parë efektet reale në sistemin bankar. Për ndjekjen e ecurisë së NPL në bankë janë marrë të gjitha masat për ta kontrolluar dhe për të siguruar një tendencë në ulje.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Në kuadrin makro, vlerësojmë se ambienti në të cilin operojmë paraqet sfida të vazhdueshme, të cilat lidhen me rritjen e ulët ekonomike nën potencialet reale të vendit, kërkesë të ulët për konsum dhe investime. Referuar sistemit bankar, sfidat më të mëdha janë cilësia e portofolit të Kredisë; shtimi i numrit të institucioneve financiare jobankare, si dhe thjeshtimi i procedurave dhe burokracisë për dokumentacionin bankar.

Flet Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA

Shqipëria mund të shfrytëzojë një potencial që është ende më i lartë se i shteteve fqinjë

monitor 724.indd

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2015?

Lidhur me ecurinë e sistemit bankar gjatë vitit të kaluar, mendoj se në tërësi ka qenë një vit pozitiv. Pa dyshim, kërkohet analizë më e thellë, në mënyrë që të shihet performanca individuale  e bankave, sepse nëse i referohemi biznesit të qëndrueshëm, industria bankare shënon diferenca të mëdha mes bankave. Edhe duke marrë në konsideratë rezultatet e ndryshme, duke zbatuar standardet lokale dhe ndërkombëtare, unë mendoj se një analizë e kujdesshme do të tregojë se shumë banka do të kenë nevojë që të përmirësojnë në mënyrë domethënëse eficencën e tyre, në mënyrë që të kenë një biznes të qëndrueshëm. Një rezultat i mirë, me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë, ishte rënia domethënëse e nivelit të huave me probleme që është e orientuar kryesisht nga pastrimi i bilanceve të bankave, por nuk e zgjidh çështjen tërësisht. Në çdo rast, rënia e ndjeshme e NPL-ve ishte një arritje e madhe.

Për Intesa Sanpaolo Bank mund të them që rezultatet tona mund të konsiderohen shumë të mira. Ne kishim një nga performancat më të mira ndonjëherë për bankën, të pandikuar nga ngjarje të jashtëzakonshme. Ne rritëm më tej nivelin e mjaftueshmërisë së kapitalit, dhe kishim një nga rëniet më domethënëse në nivelin e NPL-ve në treg. Dua të theksoj se, nëse marrim në konsideratë vetëm huat e mira, ne kishim një rritje të ndjeshme dyshifrore në segmente që përfaqësojnë më të mirën e ekonomisë shqiptare. Ne kishim një rritje të lartë në huadhënien ndaj bizneseve të vogla e të mesme. Ne gjithashtu kemi lajme të mira edhe nga individët, çka tregon se familjet janë ende një segment i shëndetshëm i ekonomisë shqiptare.

Segmenti i klientëve nga korporatat e mëdha është ai që po tregon ecurinë më të dobët, të bazuar kryesisht në mungesën e kërkesës për hua. Duket se kompanitë më të mëdha nuk po investojnë dhe aq shumë, duke ulur në këtë mënyrë ekspozimin e tyre financiar.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2016?

Në krahasim me vitin e kaluar, ne kemi shumë rrethana të jashtme – që nënkupton se po ndodhin jashtë Shqipërisë – dhe mund të ndikojnë në mënyrë domethënëse ekonominë e vendit. Ne kemi një sërë problemesh dhe mundësish. Nëse do të flas për mundësitë, normat e interesit nuk kanë qenë asnjëherë kaq të ulëta sa tani, të ulura si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Bankës Qendrore Europiane. Kjo, teorikisht, është një mjet shumë i fuqishëm për të zhvilluar aktivitetin e huadhënies dhe për të nxitur kërkesën nga të gjithë sektorët. Në rast se do të flisja nga këndvështrimi i klientit, unë do të theksoja se nuk kam parë asnjëherë një sipërmarrës që nis një plan investimi vetëm për shkak të normave të interesit. Niveli i normave të interesit është vetëm një element që ndikon në procesin vendim-marrës të planit të biznesit. Elementët e tjerë janë: pritshmëritë e tregut, besimi, parashikueshmëria, drejtësia e sistemit gjyqësor dhe në këtë këndvështrim, unë shikoj shumë pika problematike.

Për më tepër, ne nuk duhet të harrojmë që luhatshmëritë në mbarë botën janë tepër të larta dhe këto luhatshmëri nuk i ndihmojnë sipërmarrësit. Si konkluzion, ne kemi shumë mundësi, por gjithashtu shumë kufizime. Nuk është hera e parë që e them, që ajo për të cilën kemi nevojë në Shqipëri tani është të rrisim nivelin e besimit dhe ky nivel besimi mund të rritet vetëm në rast se ne gjejmë një zgjidhje, njëherë e përgjithmonë, për reformën e sistemit gjyqësor dhe reforma të tjera. Dhe kjo është diçka që duhet bërë, pavarësisht nga ajo që ndodh jashtë Shqipërisë. Por, duke ditur që skenarët e jashtëm nuk janë shumë pozitivë në këtë moment, është edhe më e rëndësishme që t’i jepet stabilitet vendit. Ky është opinioni im. Nëse të gjitha autoritetet, bankat dhe shoqatat e biznesit do të punojnë në këtë drejtim,Shqipëria mund të shfrytëzojë një potencial që është ende më i lartë se i shteteve fqinjë. Ndaj, unë realisht e konsideroj këtë vit tepër kritik për arsye se, nëse do t’ia dalim, mund të bëjmë realisht një kapërcim të madh.

Dy muajt e parë të këtij viti tregojnë një perspektivë të mirë, teksa ne kemi pasur mundësi të analizojmë shumë projekte interesante dhe të shpresojmë se do të vazhdojë në këtë mënyrë. Sërish, reformat janë realisht të nevojshme.

Një tjetër pikë e rëndësishme është menaxhimi i të ardhurave të vendit (taksimi). Unë mendoj se kjo ka ecur për mirë, të paktën për sa u përket vendimeve. Tani ajo që mund të bëjë diferencën është zbatimi. Ne duhet të jemi optimist si dhe të punojmë shumë.

Për sistemin bankar, ka një problem me uljen e normave të interesit, në këndvështrimin që ky është një kërcënim që biznesi të jetë i qëndrueshëm. Në rast se rënia e ndjeshme e të ardhurave nga reduktimi i normave të interesit nuk do të kompensohet nga një eficencë më e madhe për sa i përket menaxhimit të kostove dhe cilësisë së portofolit të huas, kjo mund të ketë ndikim negativ. Në këtë mënyrë, ajo që do të bëjë diferencën, veçanërisht duke filluar nga ky vit e në vazhdim, do të jetë aftësia e bankave për të vazhduar të menaxhojnë në mënyrë efektive kostot, por mbi të gjitha, të sigurohen që cilësia e portofolit të huave, veçanërisht atyre të reja, të jetë e mirë. Kjo për faktin e thjeshtë se niveli i ri i marzhit nuk lë vend për gabime. Unë do të theksoja gjithashtu që është e vështirë që bankat të lehtësojnë kushtet e kredisë, për shkak se leksioni që kemi mësuar nga e kaluara është se nëse bëni gabime, duke u dhënë hua projekteve që nuk janë të mira që në fillim, ju thjesht humbni para. Në të kaluarën, kishim marzhe të larta dhe e kompensonim, ndërsa marzhet aktuale nuk mund të mbulojnë asnjë gabim. Ndaj qëndrimi që duhet të kërkohet nga të gjitha bankat duhet të jetë që të mos lehtësohen kriteret e kredisë, por të bëhemi shumë të mirë në analizimin e mundësive të biznesit. Unë besoj realisht se ka shumë mundësi biznesi dhe shumë projekte të mira, që ne do t’i marrim në konsideratë për t’i financuar. Kjo nuk nënkupton të financojmë këdo, por të financojmë atë që është e mirë. Ndaj aftësia për të përzgjedhur do të jetë thelbësore dhe do të bëjë diferencën mes bankave. Kjo është sfida për sistemin bankar, të përmirësojë në mënyrë domethënëse aftësinë për të vlerësuar biznesin. Financimi nuk është një problem i madh. Ka shumë likuiditet në treg. Sistemi bankar është tepër likuid, burimet e financimit janë shumë, por në këtë moment, ajo që ka realisht rëndësi është cilësia e huadhënies.

Për sa u përket NPL-ve, pres reduktim të mëtejshëm në vitin 2016, kryesisht të orientuar nga rregullorja e zbatuar nga Banka e Shqipërisë, që në njëfarë mënyre për bankën mund të jetë pak e dhimbshme, por mendoj se ekziston realisht mundësia për të përmirësuar më tej këtë raport, mundësisht poshtë 15%. Dhe në rast se e krahason situatën me dy vjet më parë, nuk ka fqinj të tjerë që kanë pasur këtë ecuri.

Ne lexojmë në gazeta për rreth 35 kompani, që janë debitorët kryesorë që kanë peshën më të madhe të kredive me probleme. Në rast se ekziston mundësia për të rikuperuar disa prej tyre – me rikuperim nënkuptoj ato kompani që janë në gjendje të mbijetojnë, – kjo do të ishte shumë pozitive. Në rast se jo, atëherë këto kompani thjesht duhet të zhduken; ky është rregulli i tregut. Në rast se u jepni jetë artificiale, nuk ka asnjë mënyrë për ta zgjidhur problemin, dhe ky është realiteti i ashpër me të cilin ne duhet të përballemi. Intesa Sanpaolo Bank ka vetëm një pjesë të papërfillshme në debitorët më të mëdhenj dhe si rrjedhojë, ne jemi të përfshirë vetëm pjesërisht dhe pak të ndikuar direkt prej tyre.

Si do ta vlerësonit planin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme? Si e prisni ecurinë e NPL-ve në bankën tuaj?

Lidhur me këtë plan, ne kemi parë tashmë rezultate të prekshme dhe konkrete, mund të them përtej pritshmërive. Për momentin janë pozicionet e mëdha që duhen zgjidhur dhe më pas do të shohim se cilat do të jenë vendimet e reja që do të vijnë. Në çdo rast, Intesa Sanpaolo po zbaton një strategji të ashpër për të reduktuar NPL-të, ndërsa siç e përmenda dhe më parë, ne jemi të përfshirë në mënyrë shumë anësore. Por sërish, ne po flasim për 35 grupe, ose kompani dhe në rast se ka disa mënyra për t’i gjallëruar ata, kjo do të jetë shumë mirë. Në të kundërt, ata thjesht duhet të zhduken.

Në vitin 2015, rritja e kredisë ishte në nivelet më të ulëta historike. Sipas jush, cilat janëarsyet dhe si e prisni ecurinë e huasë për bankën tuaj dhe sistemin bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Unë mund të them se, në qoftë se ju shikoni shifrat zyrtare të Intesa Sanpaolo Bank Albania, duket sikur ne kemi ulur kreditimin. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Nëse ju analizoni shifrat reale, do të shihni se për ne, ulja e kredive me probleme, domethënë rikuperimi i tyre, është më i lartë se disbursimi i ri. Dhe ndikimi neto i këtij aktiviteti tregon kreditim më të ulët. Por, në realitet, nëse analiza bëhet vetëm në portofolin e kredisë së mirë, ne kemi rritje dyshifrore. Dhe derisa i gjithë sistemi do të kthehet në një nivel normal të NPL-ve, ne gjithmonë do të keqorientohemi nga këto shifra.

Unë jam mjaft i sigurt se, në qoftë se ju do të shihni kreditë e mira, shifrat janë shumë më mirë se ato që shfaqen.

Dhe ne duhet të dallojmë segment pas segmenti. Korporatat e mëdha nuk kërkojnë para në këtë moment, ato vetëm shlyejnë. Por nëse përqendrohemi te SME-të dhe bizneset e vogla, aktiviteti kreditues është shumë më i lartë. Pra, le të jemi realistë, ne kemi për të rritur kreditimin e SME-ve dhe bizneseve të vogla. Kjo është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Unë gjithashtu vlerësoj individët.

Të gjitha bankat duan të japin hua. Nuk ka asnjë dyshim këtu, sepse kreditimi do të thotë biznes për bankat, dhe askush nuk do të vetëkufizojë mundësitë e biznesit. Por, përsëri, kreditimi është më i realizueshëm në këtë moment kryesisht te bizneset e vogla dhe SME-të, dhe bankat duhet të jenë tepër të kujdesshme në lidhje me cilësinë e kredive. Pra, ajo që mungon janë kreditë e mëdha. Dhe sinqerisht, unë nuk e shoh këtë si një problem.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat kryesore mund të vijnë nga jashtë Shqipërisë. Normat e interesit janë ulur në mënyrë të konsiderueshme. Çmimet e mallrave janë pothuajse në nivelet historike të ulëta. Ka shumë shqetësime rreth ngadalësimit në ekonominë botërore, sidomos nga Kina dhe vendet e tjera në zhvillim. Të gjitha këto rreziqe janë rrotull në këtë moment dhe Shqipëria është pjesë e botës. Por unë nuk mendoj se ne do të shkojmë në skenarin më të keq. Mendimi im personal është se ne duhet të mësohemi me këtë lloj të luhatshmërisë, edhe në ato raste kur këto rreziqe nuk varen nga ne dhe duhet t’u përmbahemi planeve konkrete të veprimit të investimeve. Në këtë kuadër, unë ende mendoj se Shqipëria mund të arrijë një rritje relativisht më të lartë në krahasim me vendet e tjera, dhe ky është një mesazh i optimizmit.

Flet Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshem Ekzekutiv, Tirana Bank

Do të vijojnë përpjekjet për konsolidim të tregut bankar

 monitor 724.indd

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2015?

Sistemi bankar shqiptar në vitin 2015 rikonfirmoi stabilitetin, që e ka karakterizuar gjatë viteve të fundit, me indikatorë të konsoliduar në parametrat e likuiditetit dhe të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Zhvillimet ekonomike dhe financiare në rajon, kryesisht në ekonominë greke, adresuan një kuadër risqesh specifike me karakter të përkohshëm, të cilat gjithsesi u menaxhuan më së miri nga të gjitha palët në vend dhe u tejkaluan me sukses.

Pavarësisht se indikatorët kryesorë makroekonomikë vlerësohen pozitivisht, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2015 u karakterizua nga një kërkesë e ulët konsumatore dhe tendencë e qëndrueshme e kursimeve, sikurse pati një nivel relativisht të vogël të investimeve publike dhe private. Këta indikatorë janë përcaktues në drejtim të normës së moderuar të zhvillimit në sistemin bankar, që demonstron stabilitet në portofolin e depozitave, por që vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të cilësisë së portofolit të kredisë dhe përqasje e dukshme për të riaktivizuar aktivitetin e kreditimit.

Tirana Bank, gjatë vitit 2015, ruajti pozicionin e saj në tregun bankar, me tregues të shëndoshë të likuiditetit dhe të kapitalit, në përputhje me objektivin strategjik për optimizim të prezencës në treg. Gjithashtu është për t’u theksuar përfundimi me sukses, gjatë fundit të vitit, i procesit të rikapitalizimit të Piraeus Bank Group, që mbetet grupi më i madh bankar në Greqi dhe një mbështetje e rëndësishme për aktivitetin e Tirana Bank në tregun lokal.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2016?

Zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, tendenca e rimëkëmbjes së investimeve, duke përfshirë edhe shkallën e penetrimit të investimeve të huaja në tregun lokal, do jenë faktorë përcaktues për zhvillimet në ekonominë lokale në përgjithësi dhe të sistemit bankar në veçanti gjatë vitit 2016.

Tregues i rëndësishëm do të jetë shkalla e rritjes së kërkesës konsumatore, që përbën një nxitës të rëndësishëm për performancën e sektorëve ekonomikë dhe të zhvillimeve në industrinë bankare.

Gjithsesi, vlerësimet tona mbeten që ky vit do të karakterizohet nga një sjellje e kujdesshme e bankave në drejtim të aktivitetit kreditues, përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur nën kontroll portofolin e kredive me probleme, si dhe uljen e mëtejshme e normave të interesit.

Do të vijojnë përpjekjet për konsolidim të tregut bankar, në përputhje me strategjitë për shitje apo bashkim të bankave.

Tirana Bank, si një nga bankat kryesore në tregun lokal, ka si objektiv kryesor rimëkëmbjen e aktivitetit të biznesit dhe të kreditimit, duke vepruar në të njëjtën kohë dhe intensivisht në uljen e portofolit të kredive me probleme. Synojmë të ruajmë pozicionin tonë në treg dhe nivelin e prezencës në kuadër të rrjetit të degëve, duke ruajtur standardin e lartë të cilësisë së shërbimit ndaj klientit.

Në vitin 2015, rritja e kredisë ishte në nivelet më të ulëta historike. Sipas jush, cilat janë arsyet dhe si e prisni ecurinë e huas për bankën tuaj dhe sistemin bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Kërkesa konsumatore, niveli i konfidencës së publikut në zhvillimet ekonomike, niveli i investimeve në sektorin publik dhe privat, performanca e sektorëve kryesorë të ekonomisë, aftësia paguese dhe niveli i papunësisë (duke përfshirë edhe efektet e ekonomisë informale), strategjitë e bankave në kuadër të vlerësimit të risqeve të tregut (kryesisht e bankave që zënë peshën më të madhe në aktivitetin e kreditimit në treg), janë faktorë përcaktues për kërkesën për kredi të reja në çdo kohë.

Viti 2015 përkoi edhe me zhvillime kritike në fushën politike dhe ekonomike në rajon dhe më gjerë, e cila gjithashtu përcakton tendencën globale në performancën e industrisë bankare.

Si pasojë e të gjithë faktorëve makro e mikro, në vitin 2015 është vënë re një përqasje më e moderuar në kuadër të kërkesës/ofertës për kredi në raport me vitet e mëparshme.

Kreditimi mbetet një instrument i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e bazës së të ardhurave në sektorin bankar. Vlerësojmë që në afat të shkurtër dhe të mesëm, rritja e kreditimit do të jetë pozitive, por gjithsesi me përqindje rritjeje njëshifrore dhe në nivele të moderuara, në përputhje me tipologjinë e risqeve dhe karakteristikat e zhvillimit ekonomik gjatë kësaj periudhe. Tendenca pozitive për të dhënë kredi ndaj projekteve premtues dhe të sigurt është nga të gjitha bankat, por “kujdesi” për miratimin e tyre duhet të jetë maksimal.

Si do ta vlerësonit planin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme? Si e prisni ecurinë e NPL-ve në bankën tuaj?

Vlerësohet se Banka e Shqipërisë ushtron përpjekje të vazhdueshme për të koordinuar hapat që ndiqen dhe duhet të ndiqen për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator, për rritjen e efektivitetit dhe eficiencës në drejtim të uljes së kredive me probleme.

Monitorimi dhe përqendrimi i burimeve në drejtim të uljes së kredive me probleme do të vijojë të jetë një angazhim i rëndësishëm afatshkurtër dhe afatmesëm i të gjitha bankave, referuar normës relativisht të lartë të portofolit problematik që ekziston në treg, sikurse edhe risqeve potenciale në vijim.

Në përputhje me parashikimet financiare për vitin 2016, Tirana Bank ka për objektiv uljen sistematike dhe të ndjeshme të portofolit NPL, duke marrë në konsideratë gjithsesi performancën e tregut lokal, si dhe barrierat që ekzistojnë në sistemin legal.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Dëshiroj të ripërsëris vlerësimet tona më të hershme që, paralelisht me sfidat e natyrshme dhe të vazhdueshme me karakter komercial si p.sh. rritja e kreditimit, zvogëlimi i portofolit të kredive me probleme, normat e ulëta të interesit, shkalla relativisht e ulët e penetrimit të bankingut te klientela), në afatshkurtër dhe afatmesëm, tregu bankar lokal do vijojë të përballet me sfidat potenciale të ndryshimeve strategjike të bankave, që mund të reflektohen në një konsolidim të mëtejshëm të sistemit bankar, apo edhe në ristrukturim të shtrirjes së bankave në treg me objektiv optimizimin e kostove.

Ndërkohë modernizimi i vazhdueshëm i infrastrukturës bankare dhe të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve do të jetë një kërkesë e vazhdueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e aktivitetit dhe besnikërinë e klientelës.

Flet z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale

Më e keqja ka kaluar

monitor 724.indd

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2015?

Sistemi bankar shënoi ecuri të mirë në vitin 2015. Aktivet dhe depozitat vazhduan tendencën e tyre në rritje, (megjithëse me një rritje të vogël) dhe përfitueshmëria e sektorit ka qenë pozitive. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm. Gjithashtu ka pasur përmirësime në cilësinë e portofolit, me një rënie materiale të normës së NPL-ve.

2015 ka qenë një vit shumë i suksesshëm për SGAL. Ne kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme portofolin tonë të huave si tek individët ashtu dhe korporatat, kemi rritur pjesën tonë të tregut në të dy segmentet, duke arritur pak më shumë se 8% të tregut për huat. Ne kemi qenë shumë aktivë gjithashtu në rritjen e bazës së klientëve dhe në aktivitetin në tërësi. Cilësia e portofolit tonë të huave mbetet me një standard shumë të lartë, me një nivel të ulët të NLP-ve, prej 8.5%.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2016?

Pritshmëritë e mia për SGAL janë që të arrihet një performancë edhe më e mirë këtë vit, me një rritje të portofolit të huave, shtim të aktivitetit dhe përfitueshmërisë. Ne jemi në rrugën e duhur dhe jemi shumë optimistë për të arritur këtë. Gjithsesi, përtej shifrave financiare, ne e konsiderojmë si shumë të rëndësishme të ofrojmë shërbim të shkëlqyer për klientët tanë dhe ky do të jetë orientimi ynë për të zbatuar disa risi në treg këtë vit, duke synuar të përmirësojmë kënaqësinë e klientit.

Unë jam gjithashtu shumë pozitiv për sistemin bankar. Sektori bankar, pavarësisht nga vështirësitë e rritjes së ulët ekonomike, ka qenë në gjendje të qëndrojë i fortë dhe në një situatë shumë të mirë financiare. Unë mendoj se periudha më e vështirë është pas nesh dhe sektori bankar do të jetë edhe më i fortë në vitet në vijim.

Në vitin 2015, rritja e kredisë ishte në nivelet më të ulëta historike. Sipas jush, cilat janëarsyet dhe si e prisni ecurinë e huas për bankën tuaj dhe sistemin bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Arsyet e rritjes së ulët të kredisë janë të shumta si: rritja e ulët e viteve të fundit, situata ekonomike globale, pasiguria e përgjithshme për të ardhmen si nga bizneset ashtu dhe individët, shumë biznese janë ende në borxhe dhe në proces ristrukturimi etj. Për të mos u neglizhuar janë gjithashtu dhe efektet teknike të fshirjes së paprecedentë të kredive në kuadrin e planit të Bankës së Shqipërisë për reduktimin e NPL-ve.

Unë pres që rritja e kredisë në sistemin bankar të përmirësohet lehtë këtë vit, por që do të mbetet ende në nivele të ulëta. Pres një rritje më domethënëse në afatin e mesëm.

Për sa i përket SGAL, strategjia jonë është të vazhdojmë të rrisim kreditimin në vend dhe pritshmëritë janë që të kemi të njëjtën rritje, ose pak më të mirë se viti i kaluar. Ne jemi të angazhuar për vendin dhe për të rritur në mënyrë domethënëse aktivitetin tonë në Shqipëri.

Si do ta vlerësonit planin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme? Si e prisni ecurinë e NPL-ve në bankën tuaj?

Plani i Bankës së Shqipërisë për të reduktuar huat me probleme është i fortë dhe mbështetet fuqimisht nga sistemi bankar. Gjithsesi, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që një nga elementët kyç për të reduktuar në mënyrë domethënëse NPL-të lidhet me përmirësimin domethënës të eficiencës së ekzekutimit të kolateralit.

Për sa i përket SGAL, strategjia jonë është të vazhdojmë të mbështesim ekonominë shqiptare përmes huave në të gjitha segmentet e klientit, nga korporatat e mëdha tek individët, ndërkohë që nuk relaksohen kriteret e huadhënies, në mënyrë që të mbajmë të njëjtën cilësi në portofolin tonë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfida kryesore për sistemin bankar do të vazhdojë të jetë në afatin e mesëm rritja ekonomike, kërkesa e ulët për kredi dhe mjedisi me norma të ulëta interesi.

Duke folur më në përgjithësi, sektori bankar në Shqipëri do të përballet në afatin e mesëm – por ndoshta edhe më shpejt sesa pritej – me sfidat që kjo industri po i adreson tashmë në pjesë të tjera të botës. Rritja e konkurrentëve jo banka, pritshmëritë e klientëve për shërbime më të mira përmes zgjidhjeve dixhitale, presioni për procese më eficiente dhe modele operacionale, të gjitha së bashku, do të kërkojnë më shumë investime në industrinë bankare dhe një përshtatje progresive të modelit tradicional të biznesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button