Fluturime direkte Shqipëri –Izrael në pranverë të 2018-ës
Një linjë direkte e fluturimeve mes Shqipërisë dhe Izraelit pritet të nisë në gjysmën e parë të vitit 2018.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit kanë zhvilluar Konsultime Diplomatike në një takim në fund të viti 2017, ku u ra dakord për nisjen e fluturimeve mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Zv Ministri i MEPJ, Etjen Xhafaj në një prononcim për ATSH u shpreh se, pritet që kjo linjë të nisë në muajin prill, por ende ka disa detaje që pritet të përmbushen përpara nisjes së fluturimeve.
Zëvendësministri Xhafaj në takim e njohu palën izraelite me zhvillimet më të fundit në vendin tonë dhe me ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ai theksoi se ky vit është vendimtar për Shqipërinë përsa i përket të ardhmes së saj evropiane.
Duke u ndalur tek bashkëpunimi ekonomik në rajon, si edhe për vazhdimësinë e bashkëpunimit në disa fusha, të cilat do të nisin me firmosjen në Tiranë në gjysmën e parë të vitit 2018 të Marrëveshjes për Heqjen e Taksimit të Dyfishtë, çka pritet të hapë mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe të bashkëpunimit ekonomik.
Gjithashtu, u arrit dakordësia mbi zhvillimin e vizitave reciproke të nivelit të lartë si edhe për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha si teknologjia e informacionit dhe bujqësia, në vijimësi të politikave të qasjes së re për diplomacinë ekonomike.
Në emër të delegacionit shqiptar, Zv. Ministri Xhafaj i bëri të ditur palës izraelite qëndrimin koherent të Shqipërisë në OKB dhe këndvështrimin shqiptar për raportet dypalëshe, problematikën në Lindjen e Mesme dhe platformën strategjike për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike, Ambasadori Alon Ushpiz nënvizoi dinamikën pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, progresivitetin e bashkëpunimit që po shtrihet në shumë fusha me interes reciprok duke vlerësuar vizitat e nivelit të lartë si dhe qasjen e re që po njohin marrëdhëniet dypalëshe në fushën ekonomike, ku mjaft kompani apo biznese izraelite tashmë janë prezente në tregun shqiptar. Marrëdhëniet Izrael-Shqipëri janë vlerësuar si marrëdhënie të një partneriteti të ngushtë që duhet të forcohen edhe më tej në të ardhmen duke vlerësuar me nota mjaft pozitive rolin historik të Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe në vijim.
Gjatë vizitës në Izrael, Zv. Ministri Xhafaj zhvilloi gjithashtu një numër takimesh me investitorë izraelitë, me Komitetin Amerikano – Hebraik (American Jewish Comitee) si edhe me shoqata e sipërmarrës mbi zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mundësitë që ofron Shqipëria.