Ekonomia

FMN kundërshton Financat: TAP dhe Devoll, kontribuuan me një të tretën e rritjes ekonomike

 Investimet në gazsjellësin TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë kontribuar me 0.8-1.2 pikë përqindje në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për vitet 2015 dhe 2016. Përllogaritjet i ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar në marrëveshjen e fundit me Shqipërinë në lidhje me perspektivën e rritjes ekonomike të vendit.

Fondi sqaron se, efekti i drejtpërdrejte i të dy projekteve kanë qenë 0.4 pikë për qind e PBB-së, por përfitimi që ka pasur ekonomia nga aktivitetet mbështetëse, si ndërtimi i rrugëve dhe nxitja e biznesit të shërbimeve e kanë rritur me tej kontributin e tyre në rritjen ekonomike. Sipas përllogaritjeve të Fondit, efekti total i dy projekteve është sa një e treta treta e vlerës së shtuar bruto gjatë 2015-2016. Të njëjtin kontribut projektet e kanë dhënë edhe më 2017.

Ulrike Andreas , Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë i ka pohuar Monitor se punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë totale 1.5 miliardë euro, do të vijojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-s.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rritja ekonomike për vitet 2015-2016 ka qenë respektivisht 2.2 dhe 3.4 %, ndërsa kontributi i TAP dhe Devoll sipas FMN ka qenë 0.8-1.2 pikë përqindje.

FMN vlerëson se, dy projektet e mëdha të IHD-ve (TAP dhe HEC-et në Devoll) kanë dhëne efekte të rëndësishme në aktivitetin ekonomik të vendit. Kostoja totale për ndërtimin e tyre është sa 14% e PBB-së.

Duke pasur parasysh intensitetin e kapitalit të tyre, importet përbëjnë një pjesë të madhe të kostove (rreth 60-70%) dhe pjesa tjetër korrespondon me pagat, kontraktorët lokalë dhe kompensimin për përdorimin e tokës.

Projektet kanë krijuar rreth 3500 vende pune të drejtpërdrejta (6% e totalit të vendeve të reja të punës). Ndërtimi i tyre filloi në fund të vitit 2013 dhe u përshpejtua në vitet 2015-2017. Projektet po përmirësojnë transportin rrugor, pasi rrugë dhe urat e reja janë ndërtuar tashmë.

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Itali, do të sjellë një kontribut kyç të energjisë për Shqipërinë edhe pas përfundimit të punimeve.

Projekti TAP në Shqipëri përfshin instalimin e 252 kilometër tubacione me një kosto totale prej 1 miliard eurosh (9% e PBB-së). Gjithashtu do të ndërtohen dhe përmirësohen 175 km rrugë hyrëse. Në vitin 2016, TAP përfundoi përmirësimin e 58 kilometra rrugë dhe punime në ndërtimin e urave.

FMN përllogarit se, hidrocentralet e Devollit do të rrisin kapacitetin e instaluar të prodhimit të energjisë elektrike me 17%. Vlera e dy hidrocentraleve llogaritet 535 milionë euro (5% e PBB-së). HEC-i më i vogël Banja, tashmë i përfunduar, ka nisur prodhimin që në tremujorin e tretë.

FMN thotë se, në afat të mesëm, projektet mund të sjellin përfitime shtesë për Shqipërinë. Së pari, infrastruktura e përmirësuar do të zvogëlojë koston e transportit në zonat rreth projekteve.

Së dyti, TAP hap derën për diversifikimin e energjisë, duke ndihmuar në reduktimin e varësisë së furnizimit me energji nga hidrocentralet. Rehabilitimi i termocentralit të Vlorës dhe lidhja e tij me TAP është çelësi për diversifikimin e energjisë. TAP do të rrisë produktivitetin e prodhimit, pasi bizneset do të zëvendësojnë energjinë elektrike me gazin natyror dhe kjo do të ulë kostot dhe do të hapë perspektivat e zhvillimit të industrive të reja.

Sipas qeverisë shqiptare kontributi i TAP dhe HEC-ve në Devoll ka qenë shumë më i ulët. Ministri i Financave Arben Ahmetaj pohoi pak ditë më parë për mediat se, TAP Devoll, janë dy projekte shumë të rëndësishëm, por efekti i tyre në rritje ekonomike është 0.1 deri në 0.25 në varësi te mënyrës si e kalkulojmë.

Në një konferencë të fundit për shtyp, ministri i financave Ahmetaj tha se kontributi i TAP në rritjen ekonomike ka qenë 0.1-0.25%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button