Ekonomia

FMN mbërrin në Tiranë, nis takimet me zyrtarë të lartë

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kryesuar nga Anita Tuladhar nisi të mërkurën takimet zyrtare në Tiranë me zyrtarë të lartë.

Misioni i FMN-së ka nisur takimin e parë me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj rreth orës 9.00, ndërsa rreth orës 11.00 misioni ka mbërritur në selinë e Bankës Qendrore, ku sipas axhendës është takuar me Guvernatorin Gent Sejko.

Vizita e misionit të FMN-së zhvillohet pas miratimit të transhit të rradhës të kredisë që ky institucion i miratoi qeverisë shqiptare.

Gjatë qëndrimit dy javor në vendin tonë, misioni i FMN-së do të analizojë të gjithë sistemin e financave publike. Në axhendën e takimeve janë parashikuar të analizohen zhvillimet e fundit makroekonomike dhe perspektiva e rritjes dhe kushtet fiskale.

Në fund të vizitës që parashikohet të zgjasë deri më datë 28 qershor, pritet edhe një dalje publike e shefes së misionit, ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në fund të muajit maj të këtij viti ka publikuar konkluzionet e rishikimit të shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e programit tre-vjeçar me qeverinë shqiptare.  FMN vlerëson performancën e ekonomisë shqiptare dhe inkurajon reformat ambicioze të saj.

“Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë po përshpejtohet. Perspektiva afatmesme mbetet e favorshme, nëse ritmi i reformave do të vijojë”, thuhet në konkluzionet e FMN-së. Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në 2014-ën në shumën 295 .4 milionë SDR janë dhënë deri tani 7 transhe me 180.84 milionë SDR.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button