Opinion

Fobia e pamotivuar për rikthimin e Jugosllavisë së Re!

Nga Armand Plaka

Nuk mbahem për ndonjë përkrahës e adhurues i Edi Ramës dhe edhe pse shpesh, falë profesioneve që kam ushtruar, jam ndodhur shumë pranë jetës politike, jam munduar ti rri larg politikës së ditës e komenteve rreth saj (përveçse në raste të veçanta), duke u dhënë më shumë pas punëve personale e pasioneve që nuk lidhen domosdoshmërisht me politikën (pavarësisht se e ndjek çdo ditë e nuk ia lejoj vetes të mos jem i aktualizuar në masën më ekstreme të mundshme).

Por kur shoh një fobi (mediatike dhe jo mediatike) të motivuar tërësisht nga fantazmat e së shkuarës dhe përpjekje për të kritikuar, sharë e bërtitur me të madhe rreth çdo lloj iniciative që na bën të ecim përpara, sidomos ekonomike, siç është apo janë planet e Brukselit e Berlinit për t’i dhënë hov zhvillimit të rajonit tonë, më bëjnë të mos jem aspak indiferent e të bashkohem me mendimet apo kundërshtitë këmbëngulëse të kryeministrit për ti cilësuar “broçkulla” pretendimet për krijimin e një Jugosllavie të re, qofshin këto të shprehura edhe nga ndonjë media gjermane.

Brukseli ka një kohë të konsiderueshme që edhe pse me ulje-ngritje (duhet pranuar se Europa gjatë gjithë këtyre viteve të fundit është dashur të përballet me kriza vërtet madhore e ekzistenciale; ajo greke, menaxhimi i valës së paparë të refugjatëve të luftës e jo vetëm, Brexit etj) e ka nxitur këtë lloj bashkëpunimi, duke ftuar në tavolina të përbashkëta pa paragjykime, jo vetëm vëllezërit tanë, Kosovën, por edhe fqinjët tanë rreth e rrotull, edhe pse fati e ka dashur që ata të jenë “ish-jugosllavë”.

Po, sepse edhe ata ndajnë thuajse të njëjtat shqetësime, sepse edhe ata kanë mbetur disi prapa në krahasim edhe me vetë sivëllezërit e tyre kroatë e sllovenë, të cilët kanë kohë që “ia kanë hedhur”, e tani shërbejnë si shembull i mirë integrimi.

Nuk do ta besoj kurrë e nuk më ka shkuar ndërmend se me të tilla iniciativa po ringjallet ish-Jugosllavia, në formë, frymë e përmbajtje, pasi kjo s’ka se si të ndodhë në realitetet që jetojmë. Nuk mund ta besoj gjithashtu se ne (d.m.th Kryeministri) po shitemi te serbët, apo se Serbia në këtë mes do jetë aksi rreth të cilës do vërtitet gjithçka.

Brukseli, mekanizmat që ka krijuar, vetë koha, mobiliteti, fleksibiliteti dhe mentaliteti që na rrethon, tashmë ua mundëson të gjithëve të mos biem kaq kollaj pre e disa synimeve që sipas shumë kritikëve, paskan qenë të fshehura e tashmë mezi po presin të rimobilizohen për të gllabëruar Shqipërinë.

Nuk ia dolën dot, megjithëse ishin më pranë se kurrë në 1948, nuk ia dolën as në periudha të tjera kur një pleksje interesash pushteti, i afroi serbët e sllavët shumë drejt objektivave të tyre në lidhje me Shqipërinë. E tashmë duket fare naive ideja se po tentohet krijimi i një Jugosllavie të re, me përmbajtje serbo-malazeze-maqedonase, plus Shqipëri-Kosovë, minus Slloveni-Kroaci e ku dominancën sikurse në ish-Jugosllavinë e vjetër, do ta kenë serbët.

Ky konstelacion është krijuar thjesht si i tillë pasi koha e diktoi, e pasi në fund të historisë, janë pikërisht këto vende që për arsye sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme, kanë ngecur në procesin e integrimeve europiane, sikurse jo pak edhe ne.

Ndoshta do të dilte e tepronte të kujtonim këtu një shprehje tashmë thuajse fare të konsumuar për pamundësinë e përzgjedhjes së fqinjit dhe do të kuptonim se edhe nëse do të artikulonim të gjitha arsyet e mundshme, do të shprehnim të gjitha fobitë që na dikton sjellja në histori e fqinjëve tanë përballë nesh, do të stepeshim përballë gjakut të të rënëve në Kosovë e në histori, të gjitha këto sëbashku nuk do të mund të na ndalonin dot e të na merrnin peng të ardhmen.

Ato nuk përbëjnë argumente të mjaftueshme për të kundërshtuar një ide apo iniciativë të tillë që çon vetëm drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm, më të koordinuar e më të gjithëpranuar rajonal, ku si pjesë e saj padyshim se jemi dhe ne. Berlini e Brukseli e kanë shprehur me kohë se kjo mbetet rruga e vetme, pasi janë parë e skanuar të gjitha mundësitë për të ecur të veçuar në rrugën e integrimit.

Çfarë do të ndodhte sikur Serbia të tolerohej e t’i thuhej: Plotëso kriteret ekonomike e pastaj eja në BE, pa i përmendur detyrimet që ka për përmirësim të marrëdhënieve me Kosovën? Çfarë vlere do të kishte nga ana tjetër, sikur të liheshim në mëshirë të fatit e të na përmendeshin vetëm plotësimi strikt i objektivave tona ekonomikë, në një botë tashmë të globalizuar, ku ekonomitë nacionale nuk mund të ndërveprojnë dot të vetme e të parcelizuara, kur dihet se rajoni nëse do ta merrnim çdo vend tek e tek, ofron kryesisht kapacitete e një numër fare modest (p.sh. Mali i Zi) konsumatorësh.

Mjafton të kujtojmë këtu një deklaratë të kohëve të fundit të “Buldozerit”, joker-it të diplomacisë amerikane në rajon, Hoyt Brian Yee, që papritur u bë shumë i njohur ndër shqiptarët, se rajoni ynë në terma ekonomikë nuk e arrin dot as për 30 vjet standardin që BE përfaqëson në ekonomi, duke na bërë të gjithëve të ulemi me këmbët në tokë e të mendojmë më së pari për ekonominë.

Sigurisht se fobitë me sfond nacionalist, janë deri diku të justifikuara në pamje të parë, pasi aroma e tymit të luftës së Kosovës, akoma përbën një kujtim të afërt e të hidhur, sepse Serbia nuk bëri kurrë një “mea culpa” dhe nuk e dimë nëse do ta bëjë ndonjëherë këtë gjë, apo sepse shumë nga pushtetarët e saj aktualisht në qeverisje, janë mbartës të ish-nomenklaturës së vjetër të Millosheviçit, por historia na ofron shumë shembuj që nuk mund ta justifikojnë dot një fobi të përmasave të tilla, saqë të pengohen e paragjykohen projekte zhvillimore komplementare që kanë fundja vulën e Europës e që do na jepnin kësisoj mundësinë të ecnim më shpejt përpara.

E mirëpres diskutimin nëse morëm shumë apo pak nga shporta e premtimeve e planeve të Samitit të fundit në Trieste, apo se iniciativa e para tri viteve e Berlinit thuajse as nuk mundi t’ia nisë dot udhës së përmbushjes, për arsyet se pse dhe si ndodhi kjo, etj, por jo të qahemi gjithë kohës se nëse bashkëpunojmë me Serbinë e fqinjët, automatikisht do jemi nën ombrellën e një Jugosllavie të re imagjinare, që të vret edhe thjesht nga emri.

Nëse do të merremi më shumë me lëvozhgën se sa me thelbin, përfundimi dihet, kështu që na mbetet të shohim fare ftohtë avantazhet e kësaj pune e të mos fërkojmë thjesht duart e në rastin më të parë të xhelozohemi se pse ky apo ai fqinj mori më shumë apo më pak, por të vrasim mendjen se si të përfitojmë më shumë nga të tilla iniciativa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button