FOKUS – 1,4 milion palestinezë përballen me pasiguri të rëndë ushqimore në Gaza, ndërsa mungesa e barnave thellohet
GAZA, 3 gusht /ATSH-AA/ Rreth 1,4 milion palestinezë në Gaza përballen me nivele të rënda të pasigurisë ushqimore, ndërsa mungesa e barnave në enklavën e shkatërruar nga lufta ka arritur në 47 për qind, paralajmëruan zyrtarët palestinezë.
Ministrja e Zhvillimit Social e Palestinës, Samah Hamad, tha se 74.200 fëmijë kanë nevojë për trajtim urgjent për kequshqyerje akute.
Hamad i bëri këto deklarata gjatë një konference për media në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor, ku u prezantuan gjetjet e raportit të Klasifikimit të Integruar të Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC), së bashku me zyrtarë humanitarë të OKB-së.
“Përmirësimi relativ i paraqitur në raport nuk do të thotë se kriza humanitare në Gaza ka përfunduar, por pasqyron ndikimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të rrjedhës së ndihmës humanitare”, tha ajo.
Hamad paralajmëroi se çdo rënie e qasjes në ndihmë do t’i kthente kushtet në nivele edhe më të rrezikshme.
“Palestinezët në Gaza nuk po përballen me një mungesë të përkohshme ushqimi, por me një politikë sistematike izraelite që synon bazat e jetës përmes bllokadës dhe kufizimeve për hyrjen e ushqimit, ujit dhe barnave”, shtoi ajo.
Raporti tregoi se më shumë se 212.000 persona përballen me emergjencë ushqimore, ndërsa 24.600 gra shtatzëna dhe nëna me gji kanë nevojë për ndërhyrje urgjente ushqyese, tha Hamad.
Ajo theksoi se këto shifra pasqyrojnë vazhdimësinë e brishtësisë së situatës humanitare në Gaza, pavarësisht përmirësimit të kufizuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.