Forma që po na mbyt!

Ajo që dallon zakonisht kur vjen në Tiranë nga aeroporti i Rinasit ose nga një prej artereve të komunikacionit që e lidhin kryeqytetin me pjesën tjetër të vendit është forma e lëbyrshme. Trajtat e shumëllojta të godinave, abstraksionet si shkërbimi i figurës së Skënderbeut (!), gjigandomania e paformë e qendrës dhe pastaj kullat e kudoshfaqshme, brenda Tiranës së vjetër. Aq të përthithur jemi ndaj kësaj forme, saqë sot me paratë e kursimeve dhe ndihmave apo punëve “ndryshe” (këtu mendimi shkon nga droga tek krimi e me radhë) na bën të jetojmë normal dhe duket sikur e kërkojmë këtë formë. Rendje drejt formës, kështu mund të jetë paradigma e shoqërisë së sotme shqiptare. E, mbase, në rast se forma nuk do të shkonte edhe në superstrukturë, atëherë nuk do na bënte më përshtypje. Forma që pushteti i sotëm po zgjedh të bëjë narrativën e tij për propagandën, me aktivitetet lëbyrëse i shkojnë edhe më shumë këtij argumenti. Kryeqytetasi i vjetër (tironsi), aktuali (tiransi) dhe ai i ardhuri që e identifikon veten mes të dyve po mësohet dhe po kontribuon instinktivisht me këtë katrahurë. Po blen dhe mësohet me ndërtimet që nuk pyesin më askënd dhe rëndom nuk respekton rregullat normale urbanistike. Në emër të bukurisë së jashtme, publiku, po e pëson paq prej papërgjegjshmërisë dhe teknologjisë së bërjes së fasadave të ngrohta. Edhe pse specialistët e stërthonë, se kjo teknologji që ka në themel kanë polisterolin, produkt naftor që e amplifikon zjarrin, kjo bën pak përshtypje. Duhet forma. Statusi fals. Epilogu erdhi pak orë më parë, kur banorët e sodisnin me sytë e tyre djegien e objektit, një lloj pasoje e kënaqësisë së formës. Trishtimi për ne ka kohë që nuk po kthehet në mësim.
Shqiptari i sotëm po mësohet dhe me propagandën, ku forma nuk ka të dytë për krahasim. Një e tillë po zhvillohet në orët e fundit me Samitin e Diasporës, ku patetizmi i fjalës, nuk e mbulon dot hapësirën e madhe të problemeve që mbart marrëdhënia me diasporën tonë. E para, nga papërfillja e saj në vend dhe e dyta, përdorja e saj për dekorin qeverisës, i cili për çdo ditë po merr goditje të stërmëdha nga shkëputja me realitetin. Paçka se ndihma e tyre është jetike: Referuar revistës “Monitor”, remitancat e shqiptarëve kanë shënuar nivele rekord, duke arritur në 1.12 miliardë euro në vitin 2025 (niveli më i lartë, regjistruar deri më tani). Këto prurje, arsyeton revista, të cilat mund të shërbejnë si shtyllë kryesore për të ardhurat kombëtare dhe zbutjen e varfërisë, kanë pësuar rritje të ndjeshme për shkak të ciklit të ri të emigracionit dhe kanaleve informale (Monitor, 2026). Bash, kjo duhej të adresohej, e gjithë kjo mbështetje dhe energji e tyre. Por, dekori dhe fjalimet patetike, kushtuar formës, nuk lënë dot shteg. Mungon një objektiv i qartë dhe një platformë reale sesi do ta kanalizohet kjo ndihmë për zhvillimin. Fjalimet dhe retorika ushqejnë thjesht formën.
A do mundej të ndihte vallë diaspora në ndërtim? A do u jepej mundësia në turizëm, apo në bujqësi? Vështirë. Shqipëria përbën një model ekonomie, ku informaliteti është një sfidë strukturore, me një ekonomi gri që vlerësohet rreth 30-33% të PBB-së. Ekonomia karakterizohet nga punësimi informal (gati 50-61% e të punësuarve), transaksione të larta cash dhe, shmangie e taksave/sigurimeve, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e ndershme (Altax, 2024). Anipse, qeverisë së sotme i mjafton ndërtimi, jo thjesht për perceptimin për formën, por edhe ndikimin në PBB. Dhe, këtu qëndron një nga kuajt e betejës së qeverisë së sotme, “Rama”, që problematikën e përcjell tek perceptimi dhe zbehja e kritikës, jo mënyrën e sotme të jetesës së shqiptarit të zakonshëm.
”Përbaltja e jashtëzakonshme që i bëhet kësaj industrie për të përbaltur Shqipërinë në fakt, disa që bëjnë si investigatorë kur ekspozojnë nëpër ekrane pamjet e Tiranës që është një qytet europian kur e shikon ato pamje i mbulojnë me llumin e fantazive të akuzave, ja ku pastrohen paratë e Europës. U pastrokan në Shqipëri, në Tiranë paratë e Europës”, deklaroi Rama gjatë një takimi me sipërmarrës të ndërtimit në Tiranë. Sikur, të mos e kishte lexuar raportin vjetor të SPAK-ut për vitin 2025 që evidentonte një model të konsoliduar të pastrimit të parave përmes bizneseve formalisht të ligjshme. “Tipare të përsëritura… përfshijnë përdorimin e subjekteve… si subjekte ndërtimi… për qarkullimin dhe riciklimin e fondeve”, thuhet në raport. Dhe, akoma më shumë nga strukturat e huaja, për të cilat ushqehet një lloj kredibiliteti sa i bëhet burimeve që shfrytëzojnë. Në Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) theksoi se:“… kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit… dhe zhvillimit të bizneseve”. DASH e lidhte këtë fenomen me trafikun e drogës, të qenieve njerëzore, korrupsionin dhe evazionin fiskal, ndërsa nënvizonte atë pjesë shqetësimi, që adresohet gjithnjë se: Ekonomia e bazuar në cash dhe dobësitë në zbatimin e ligjit krijojnë terren të favorshëm për pastrim parash.
Zhgënjimi nuk është më në formën e asaj sesi po qeverisemi, por mënyrën sesa pak po ndryshojmë përmbajtjen tonë, për t’i dhënë formës, realisht qenësi dhe përmbajtje.
Për fatin e keq, elementët autokratikë që ka pushteti i sotëm në Shqipëri, njësoj si disa syresh në Lindje e kanë si moto forcën e formës mbi përmbajtjen, duke e ruajtur pamjen e demokracisë, duke e zbrazur për ditë nga tharmi demokratik. Fasada demokratike e zgjedhjeve, tërheqjen e mendimit të elitës (Si Samiti i Diasporës), debatin parlamentar (nëse mund të quhet i tillë ky i legjislaturave të fundit tek ne) i kënaq vëzhguesit ndërkombëtarë dhe e bën vendin të paprekshëm nga sanksionet, paçka se referimet e 9 vendeve për adresime shtesë për integrimin e Shqipërisë, po tregojnë se kjo situatë nuk do të vazhdojë të tolerohet. Literatura përmend si fenomen edhe faktin se: Forma i bën autokratët të kontrollojnë sferën publike ndërsa angazhohen ose arrijnë dhe e parandalojnë konkurrencën midis elitave. Kjo e ka ngulfatur opozitën duke i detyruar ata të rrotullohen në një qerthull të vështirë dhe brenda një kuadri ligjor të projektuar, ku ata janë të humbur qysh në startin e çdo ideje ndryshimi. Në rastin e Shqipërisë, zhvillimi është i hidhur nga mësimet që nuk nxjerrim si komunitet dhe përpjekja për të mos ndryshuar. “A jemi shqyptarë apo do të bâhemi?”, shkruante me hidhërim te “Hylli i Dritës” më Qershor të 1930, Patër Anton Hatrapi. Në shenjë respekti për gegënishtjen, folësit dhe kultivuesit e saj, po shfrytëzojmë këtë titull të patër Anton Harapit, bashkë me një citat prej tij: “Na në Shqypnì, nuk jemi në nji vend, kû sajohet jeta mbas një teorije a sistemi filozofik; në ket pikpamje të gjith jemi nji lash me aq fije sa janë pikpamjet e shkurta mbas të cillavet endemi. Me gjith kta mahemi si të muejshim m’e perligjë para arsyes e ditunìs sistemin jetësues tonin, kemi nacjonalizem edhe me shitë, dogmatizojm mni fatbardhsin e kombit në mëndyren mâ kategorike, si mos të qeshëshim nen mustakë, sá herë të na shfaqet kjo idá magjike. Në ket pikë s’ua lâm dalë oportunistave të kombevet tjera, per me ket ndryshim, se nder to edhe pse pikpamja ideale asht hê-hê kah bân bankrrotë, kuptimi i kolektivitetit asht aq i perpajnuem, sá dashtë e pa dashtë vên para ccdo tjetër rryme jete…”. Thjesht, teza: A mund të ndryshojmë dot në përmbajtje dhe ta heqim… lakun e formës?! Me sa duket, ende jo. (Homo Albanicus)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.