Ekonomia

Formula e re për llogaritjen e tatimfitimit

Projektligji, qeveria propozon ndryshim edhe për pagesën e tatimit mbi dividendin

Taksa progresive

Ministria e Financave propozon një mënyrë të re të llogaritjes së kësteve të tatimfitimit. Në draftin për ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që ka mbërritur në Kuvend, paraqitet formula e re e llogaritjes së kësteve të parapagimeve të tatimit mbi fitimin. Sipas ligjit aktual, këstet, për çdonjërin nga muajt janar, shkurt, mars e prill, të periudhës vijuese tatimore, llogariten duke marrë parasysh shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë, pjesëtuar me 12. Kurse për çdonjërin nga tetë muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, këto këste llogariten duke marrë parasysh shumën e tatimit për periudhën paraardhëse, pakësuar me pagesat e bëra nga janari deri në prill të periudhës vijuese, pjesëtuar me tetë. Kjo mënyrë llogaritjeje, që niset nga pagesat e katërmujorit dhe jo nga detyrimet e këtij katërmujori, ka krijuar probleme për tatimpaguesit, pasi në këtë rast, ata rezultojnë me detyrime të papaguara dhe pengohen në marrjen e vërtetimeve të nevojshme gjatë aktivitetit të tyre. Nga ana tjetër, kjo mënyrë llogaritjeje e kësteve nuk tregon ngarkesën reale të kësteve të parapagimeve të tatimfitimit vjetor, pasi shpërndarja e mospagesave të katërmujorit në tetëmujorin pasardhës krijon dublim të ngarkesës së pagesave. Formula e propozuar në këtë projektligj merr parasysh tatimin mbi fitimin e realizuar në vitin e fundit fiskal. Tatimpaguesit dorëzojnë pasqyrat financiare brenda datës 31 mars të çdo viti, pranë administratës tatimore. Duke pjesëtuar me 12 shumën e tatimit mbi fitimin e realizuar gjatë vitit të fundit fiskal (në bazë të pasqyrave financiare), përcaktohet kësti mujor i parapagimeve, i cili do të ngarkojë secilin muaj të periudhës prill-dhjetor të vitit vijues dhe periudhën janar-mars të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, sipas argumentimit që bën Ministria e Financave, formula thjeshtohet dukshëm dhe bëhet më e zbatueshme. Përjashtimisht, tatimpaguesit që fillojnë veprimtarinë në periudhën vijuese dhe ushtrojnë veprimtari në sferën prodhuese nuk do t’i nënshtrohen parapagimit të detyrimit për tatimin mbi fitimin për një periudhë gjashtëmujore ose për periudhën e mbetur deri në fund të vitit vijues, nëse kjo kohë është edhe më e vogël se gjashtë muaj. Lidhur me dividendin, Ministria e Financave propozon që ky të trajtohet si çdo e ardhur tjetër, për të cilën duhet të mbahet tatim në burim. Ligji aktual i tatimit mbi të ardhurat ka përcaktuar datën 31 korrik si datë të deklarimit dhe të pagesës së tatimit në burim mbi dividendin.

Propozimi për ndryshimin e paraqitur në këtë projektligj është që personi juridik duhet të deklarojë dhe të paguajë tatimin mbi dividendin jo më vonë se data 20 gusht e vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button