Ekonomia

Formulë e re për këstet e tatimfitimit

Ndryshime fiskale edhe në procedurën tatimore. Dysheme 25 mijë lekë për biznesin e vogël. Përllogaritja e kontributeve

Koncesion – Mazhoranca i hap rrugën dhënies me koncesion të autostradave. Dje u miratua shtesa në ligjin për koncesionet

Huat – Në kuadër të asistencës ndërkombëtare, Kuvendi miratoi dy marrëveshjet e huas me BERZH-in për financat publike

Refuzimi – Taksat për kartat SIM dhe për automjetet u rrëzuan nga Kuvendi. Dy ditë më parë i kishte refuzuar Komisioni i Ekonomisë

Taksat per te gjitha bizneset

Ndryshon mënyra e llogaritjes së kësteve të tatimfitimit dhe momenti i pagesës së dividendit. Ndërkaq, me projektligjet e miratuara dje me votat e vetëm mazhorancës në Kuvend (opozita mungonte), bëhen rregullime fiskale, por edhe të procedurës teknike në kuadrin e aplikimit të sistemit të ri informatik të tatimeve.

Tatimfitimi

Projektligji i miratuar “Për tatimin mbi të ardhurat” sjell dy ndryshime të rëndësishme në sistemin fiskal: formulën e re të llogaritjes së kësteve të tatimfitimit dhe afatin e pagesës së dividendit. Sipas ligjit aktual, këstet e parapagimeve për çdonjërin nga muajt janar, shkurt, mars e prill, të periudhës vijuese tatimore, llogariten duke marrë parasysh shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me 12. Kurse për çdonjërin nga tetë muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, këto këste llogariten duke marrë parasysh shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore, pakësuar me pagesat e bëra nga janari deri në prill të periudhës vijuese tatimore, pjesëtuar me tetë. Kjo mënyrë llogaritjeje që niset nga pagesat e katërmujorit dhe jo nga detyrimet e këtij katërmujori, ka krijuar probleme për tatimpaguesit, pasi në këtë rast, ato rezultojnë me detyrime të papaguara dhe pengohen në marrjen e vërtetimeve të nevojshme gjatë aktivitetit të tyre. Nga ana tjetër, kjo mënyrë llogaritjeje e kësteve të parapagimeve nuk tregon ngarkesën reale të kësteve të parapagimeve të tatimfitimit vjetor, pasi shpërndarja e mospagesave të katërmujorit në tetëmujorin pasardhës krijon dublim të ngarkesës së kësteve. Formula e miratuar me këtë projektligj për llogaritjen e kësteve të parapagimeve të tatimit mbi fitimin merr parasysh tatimin mbi fitimin e realizuar në vitin e fundit fiskal. Të gjithë tatimpaguesit dorëzojnë pasqyrat financiare brenda datës 31 mars

të çdo viti, pranë administratës tatimore. Duke pjesëtuar me 12 shumën e tatimit mbi fitimin të realizuar gjatë vitit të fundit fiskal (në bazë të pasqyrave financiare), përcaktohet kësti mujor i parapagimeve, i cili do të ngarkojë secilin muaj të

periudhës prill-dhjetor të vitit vijues dhe periudhën janar-mars të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, formula e mësipërme thjeshtohet dukshëm dhe bëhet më e zbatueshme. Për llogaritjen e kësteve të parapagimeve do të merret për bazë, pra, vetëm tatimi mbi fitimin i një viti më parë, duke bërë kështu që si burim informacioni për llogaritjen e kësteve të parapagimeve të jetë vetëm një dhe jo dy rezultate financiare (pasqyra financiare) të tatimpaguesit. Ndërsa trajtimi i dividendit me ndryshimin që bëhet, është si çdo e ardhur tjetër, për të cilën duhet të mbahet tatim në burim. Ligji aktual i tatimit mbi të ardhurat ka përcaktuar datën 31 korrik si datë të deklarimit dhe të pagesës së tatimit në burim mbi dividendin. Tani nuk do të jetë më data 31 korrik, si datë në të cilën personi juridik duhet të derdhë për llogari të organit tatimor tatimin mbi dividendin e pagueshëm, por do të jetë një tjetër afat, jo më vonë se 20 gushti i vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.

Kontributet e sigurimeve

Me shumicë votash u votua edhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’”. Sipas draftit të miratuar, sistemi i ri informatik që po krijohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, do të funksionojë si një one stop shop, ku deklaratat mujore të detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore dhe të tatimit mbi pagat, do të zëvendësohen me një deklaratë të vetme. Ndërkaq, është pasqyruar, ende pa u miratuar, reforma e pensioneve që heq pagën tavan, mbi të cilën llogariten kontributet e detyrueshme. Mbi këtë bazë, edhe kontributet e punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet

e vetë punëmarrësit do të llogariten mbi pagën bruto. Ndërsa kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të personit fizik të vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale të miratuar për efekt të kontributeve. Mazhoranca miratoi dje edhe ndryshimet në ligjin për “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Drafti shton si formë komunikimi edhe komunikimin në rrugë elektronike.

Biznesi

Taksat, dyshemeja 25 mijë lekëshe

Në seancën e djeshme plenare u miratuan edhe ndryshimet në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”. Projektligji rishikon normat tatimore për biznesin e vogël. Nëpërmjet ndryshimeve, është parashikuar që tatimi minimal i pagueshëm për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga dy deri në tetë milionë lekë të jetë jo më i vogël se 25 mijë lekë në vit. Sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit, tatimpaguesit, me qarkullim vjetor nga dy deri në tetë milionë lekë, tatohen me shkallën tatimore 7.5 për qind mbi qarkullimin, kurse tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga zero deri në dy milionë lekë, tatohen me një shumë fikse prej 25 mijë lekësh në vit.

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button