Forumi i Romës- Çako, takime të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë Forumit të Romës, ku morën pjesë të gjithë Drejtorët e Policive të Ballkanit, zhvilloi disa takime të rëndësishme.
Drejtoria e Policisë së Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat bëri të ditur sot se Drejtori i Policisë, Çako, pati një takim dypalësh me Drejtorin e Policisë Italiane, Prefekt Alessandro Pansa dhe Zëvendësdrejtorin e Policisë italiane, Antonio Cufalo, ku u trajtuan disa pika të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy policive dhe në veçanti u fol për marrëveshjen trepalëshe për krijimin e trekëndëshit të sigurisë në det, ku janë të përfshirë Shqipëria, Greqia dhe Italia dhe mbarëvajtja e misionit të fluturimeve ajrore të Guardia di Finanza dhe e Universitetit të Dytë të Napolit për zbulimin e parcelave të kanabisit në territorin e Shqipërisë për vitin 2015.
“Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer dhe kjo praktikë më e mirë ndërmjet paleve si dhe pati vlerësim të prezencës së palës italiane në Shqipëri, duke nxjerrë në pah një rritje të shkëmbimit të informacioneve në këtë gjashtëmujorin e fundit. U konstatua një rritje e bashkëpunimit me Interforcën dhe Guardia di Finanza prezente në Shqipëri”, thuhet ne deklaratë.
Në lidhje me projektin IPA 2013 Lufta kundër Krimit të Organizuar për drejtësinë penale në Ballkanin Perëndimor, të drejtuar nga Ministria e Brendshme e Italisë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i kërkoi palës italiane vendosjen e një rezidenti ekspert në Shiqpëri dhe së shpejti ky i fundit do të caktohet në fillim të vitit 2016. Në këtë takim dypalësh u morën angazhime konkrete në drejtim të luftës kundër terrorizmit, migracionit të paligjshëm dhe pastrimin e parave.
Drejtori i Policisë, Çako, pati takime me Zëvendësdrejtoin e Policisë Greke, Kostantinos Tsouvalis dhe drejtorin e Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanovic. Në këto takime u shqyrtua situata dhe u fol për iniciativa konkrete për shkëmbimin real të informacionit.
Zëvendës Drejtori i Policisë Greke falenderoi për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat dhe solli falenderimet dhe përshëndetjet e Drejtorit të Policisë Greke. Këtë falenderim ai e bëri edhe gjatë zhvillimit të Forumit duke përmendur se bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë në nivele shumë të larta. Drejtori i Policisë së Shtetit, Çako, ftoi Drejtorin e Policisë së Malit të Zi të marrë në konsideratë pjesëmarrjen në një marreveshje trepalëshe për sigurinë në det dhe Drejtori i Malit të Zi u angazhua se në rast të një marrëveshjeje trepalëshe mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, Mali i Zi do të jetë shumë i interesuar për të qenë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Një takim i veçantë u zhvillua me drejtorin e Europolit, Rob Wainëright, i cili theksoi se Shqipëria është duke ndjekur rrugën e duhur në bashkëpunimin me organizatën Europol. Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se janë parashikuar masa konkrete për rritjen e kapaciteteve në drejtim të një shkëmbimi konkret të informacionit dhe analizimin e riskut të situatave.