Fotografi Mario Macilau, nga rruga në majat e artit
Kur isha një djalosh, ëndërroja të bëhesha gazetar. Pastaj përditshmëria më ndaloi. Kur jeta jote është plot probleme, e ardhmja duket sikur nuk ekziston.
Kur isha rreth shtatë vjeç, babai u largua nga shtëpia dhe shkoi në Afrikën e Jugut për të kërkuar punë. Isha më i madh se motrat e mia ndaj duhet të çoja në shtëpi disa para. Kështu fillova të çoj në qytet biskotat e mamasë sime për t’i shitur në treg.
Në treg, bëja punë të ndryshme, si për shembull laja makinat e të tjerëve dhe i ndihmoja të mbanin qeset. Në vend që të kthehesha në shtëpi, shpesh flija në treg me shokët.
Nuk ishte shumë vend i sigurt. Iu futa disa krimeve të vogla të rrugës, si vjedhja, por gjithçka ishte çështje mbijetese. Mamaja ime u përpoq disa herë të më çojë në shkollë, por ajo nuk i përballonte dot tarifat. Gjatë gjithë kësaj kohe unë mësoja, lexoja libra dhe isha vullnetar në OJQ për të mësuar anglishten.
Kur isha 14 vjeç, i mora hua një shoku aparatin fotografik. Fillova të bëj foto të gjërave që më rrethonin, duke dokumentuar jetët e njerëzve që vinin në qytet për të shitur. Ishin foto bardhezi, të cilat i laja në një dhomë të errët që e sajova në shtëpinë e nënës. Po mësoja vetë si të bëja gjërat, duke praktikuar çfarëdo që mundja, por ishte e vështirë për mua të paguaja për filmat dhe lëndët kimike.
Fotoja ime e preferuar u shkrep një mëngjes herët në periferi, në zonën tregtare ku u rrita. Ishte një grua që po ecte për të shitur rrepa. Ajo i kishte kthyer kurrizin kamerës dhe po binte shi.
Ajo foto nuk ekziston më. Nuk i ruajta punët e mia të hershme. Kjo sepse nuk i shihja si punë, por si diçka që e bëja për kënaqësi. Nuk mendoja të filloja karrierën në fotografi.
Pastaj një ditë, në vitin 2007, kur isha 23 vjeç, një djalë që njihja më solli një kamera. Ishte një Nikon FM2, një kamera me film. Ia kishte dhënë një familje portugeze ku kishte punuar, por ai nuk dinte ta përdorte ndaj donte të ma shiste mua. Unë nuk kisha para, por nëna ime kishte blerë celularin e saj të parë, ndaj ma dha mua, si personi që çoja bukën në shtëpi. Unë ia dhashë atij dhe djali më dha kamerën.
Ishte shumë e vështirë t’i tregoja nënës se çfarë kisha bërë. I thashë që më sulmuan dhe më vodhën celularin. Në këtë kohë, miqtë më treguan për një mënyrë të shpejtë për të komunikuar me njerëz nga jashtë vendit, quhej internet.
Shkoja në librari dhe hyja në rrjete të ndryshme. Mësova të krijoj një blog dhe i ngarkova fotot online. Fillova të marr reagime të mira dhe me kalimin e kohës më ftuan të marr pjesë në ekspozita.
Hyra në një program shkëmbimi në Vankuver të Kanadasë. Kur isha atje shkova në shumë ekspozita fotografish dhe jepja mësim fotografie në një shkollë fillore. Në Kanada hapa ekspozitën time të parë të fotografisë.
Më pas, kur u ktheva në Mozambik, fillova të mendoja për t’i hyrë fotografisë profesionalisht. Bëja disa punë të vogla për fotografë të huaj që vinin në shtetin tim.
Në vitin 2009, u ftova nga një shok në Lisbonë për një ekspozitë solo. Deri atëherë kisha marrë pjesë në ekspozita në grup në vende të ndryshme.
Nuk më trembnin profesionistët apo njerëzit që takoja në rrethin e artit. Mësoja nga të mundja. E gjej ende frymëzimin kudo që të mundem. Sot përdor një kamera dixhitale, por ndonjëherë bëj ende foto me film. Varet nga projekti.
Puna ime është e përqendruar te grupet e izoluara të njerëzve. Kam bërë projekte të ndryshme me shitësit e çimentos, druvarët e paligjshëm në Nigeri dhe minatorët në Bangladesh.
Nuk e di cili do të jetë projekti im i radhës. Thjesht largohem nga shtëpia dhe diçka ndodh dhe kjo më frymëzon. U miqësova me njerëzit e rrugës, ata më njihnin, filluan të shihnin fotot e mia nëpër revista dhe televizion, ndaj më kërkonin foto. Një ditë më morën me vete dhe më treguan jetën e tyre, vendin ku flinin, çdo gjë.
Puna ime mbështetet e gjitha te kërkimi. Kur them kërkim, e kam fjalën për eksplorimin e subjekteve që lidhen me mua, t’i qasem sa më afër realitetit të tyre.
Ndaj si fillim, nuk e marr kamerën me vete. Dua që njerëzit të ndihen mirë me mua dhe unë të ndihem mirë me ta. Më pas, kur mësohen me mua, unë i prezantohem me kamera dhe i jap kohë të mësohen.
Unë nuk jam fotograf mode, nuk kam si synim t’i bëjë njerëzit të duken bukur në fotot e mia. Askush nuk ankohet për mënyrën si del në fotot e mia, dua të nxjerr te ta dinjitetin, identitetin e tyre.
Pastaj përdor dritën për të manovruar me imazhin që të dalin sa më mirë. Kjo sepse drita është e bukur, shprehjet e tyre të fytyrës janë të bukura dhe askush nuk sheh nëse bluza e personave që fotografoj është e pastër apo jo.
Në familjen time, qe e vështirë të kuptonin se bëja para vetëm duke fotografuar. Ata ende nuk e kuptojnë plotësisht. Jam përpjekur t’ia shpërblej nënës sime celularin që i mora kohë më parë. Sa herë që dal jashtë shtetit i sjell nga një celular të ri…
*Burimi: BBC.