Rajoni

Franca ndihmon Greqinë. Specialistët francezë hartuan listën e propozimeve greke

10 punonjës të Ministrisë franceze të Financave, sipas ‘Le Figaro’, kanë qëndruar këto ditë në Athinë për të ndihmuar qeverinë greke të formëzojë propozimet e kërkuara për ndalimin e një “Grexit”.

Mëngjesin e së mërkurës, dikush pranë kryeministrit Aleksis Tsipras, i telefonoi gazetarëve francezë në kryeqytetin grek në kërkim të informacioneve të brendshme mbi hapin tjetër që planifikon të hedhë Francois Hollande.

“I kemi varuar shpresat tek presidenti Hollande. Franca mban në dorë sot çelësin e negociatave. A e kupton ai këtë gjë?”, ishte pyetja e ndihmësit të Tsiprasit. Në fakt, nuk është për t’u çuditur shumë që në këtë moment dramatik, Greqia i hedh sytë nga Franca si shpresa e saj e fundit. Qeveritë e vendeve anëtare të BE-së e kanë pranuar njëra pas tjetrës mundësinë e një largimi të vendit helen nga eurozona, ndërsa Franca shfaqet e palëkundur në pretendimet për gjetjen e një kompromisi.

Përse ky insistim? Opozita politike në Paris ka një përgjigje të qartë. Presidenti Hollande shtyhet nga instinkti i së majtës në mbrojtjen e bërë ekzekutivit grek. Nga ana tjetër, e shqetëson edhe gjendja e rrëmujshme financiare e Francës vetë. Pjesërisht, dobësia për Athinën është edhe kulturore. Kur Greqia u pranua në vitin 1981, BE-ja për të parën herë u shtri përtej kufijve të Europës së vjetër katolike, Europës së Karlit të Madh, duke i hapur dyert shtëpisë para-kristiane të arsyes dhe demokracisë.

Presidenti i atëhershëm francez, Valery Giscard d’Estaing, e shpjegoi vendimin fare thjeshtë: Nuk ke sesi e lë Platonin të presë pas dere.

Për analistin francez Arnaud Leparmentier, arsyet janë gjithashtu politike dhe ekonomike. Siriza është koalicion me frymëzim marksist, e kjo ka efekt nevralgjik në pjesën më të madhe të “establishment”-it francez. Përtej debatit mbi Greqinë, shkruan ai, qëndron bindja se prona është grabitje apo se të paktën duhet të ketë rishpërndarje.

Ajo çfarë po ndodh në Greqi, vazhdon Leparmentier, ngre pyetje mbi të gjithë rendin tonë ekonomik, kështu i mbështetur siç është mbi një monedhë neutrale të sigurtë prej kthetrave të politikanëve. E vërteta është se ndryshe nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, debati ekonomik në Francë nuk është zgjidhur kurrë plotësisht, e mbase kjo shpjegon pse Parisi e sheh Greqinë ndryshe nga të tjerët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button