Free Ilir Meta, dhe jo vetëm atë

Ilir Meta, që nga dita e rrëmbimit të tij policesko-banditesk, po bën 18 muaj në paraburgim, ndërsa ka kaluar faza e procedimit prokurorial dhe ka filluar gjyqi i themelit. Siç që në fillim, tashmë shumë më shumë, është bërë fare e qartë se dyshimi i arsyeshëm për Ilir Metën është vënë aq shumë në dyshim (dyshimi mbi dyshimin), sa mezi mbahet në këmbë me artifica (për të mos thënë se në rastin e tij nuk ka fare fakt penal). Pa këtë kusht, masa e paraburgimit humbet çdo bazë ligjore. Gjithashtu, asnjëherë për të nuk u dha ndonjë indicie apo fakt se ka tentuar të dëmtojë provat apo të trembë dëshmitarët. Sa për t’u larguar, as që bëhet fjalë – dihet botërisht se Ilir Meta nuk i shmanget betejave të veta.
Ndaj, ndërsa arrestimi i tij ishte i panevojshëm, vijimi i masës së arrestit është skandalisht i padrejtë, një turp për drejtësinë shqiptare, ndërsa mohimi i të drejtave bazë të të paraburgosurit ndaj tij, qoftë si individ e qoftë si kryetar partie, është krim qeveritar, tregues i regjimit antidemokratik në fuqi.
Ndaj e them me bindje të plotë: Free Ilir Meta, now!
Erion Veliaj e ka kaluar vitin në paraburgim, ndonëse edhe për të ka filluar gjyqi i themelit. Edhe pse ai, sipas meje, nuk barazohet me Ilir Metën, qoftë lidhur me dyshimin e arsyeshëm apo me rrezikshmërinë mbi provat dhe procesin, me vendim të Gjykatës Kushtetuese ai mbeti kryetar i Bashkisë Tiranë; për rrjedhojë, ai ka të drejtë t’i ushtrojë të gjitha tagrat e funksionit. Në rrethana normale do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen që në akuzë, por rrethanat, qofshin politike, qofshin juridike, nuk ishin e nuk janë aspak normale; ndaj ai është në të drejtën e tij të mos e japë dorëheqjen, por për këtë mund të ndëshkohet moralisht e politikisht, e jo të masakrohet penalisht.
Mes të drejtës kushtetuese dhe asaj ligjore, është e qartë që prevalon e para; ndaj ose Erion Veliajt duhet t’i krijohen kushtet minimalisht të domosdoshme për ta ushtruar mandatin nga burgu-jo t’i mohohet leja për të takuar stafin e bashkisë, për të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak apo për të takuar personalitete të huaja etj. – ose, mbi një vit paraburgim është mëse i mjaftueshëm për të garantuar procesin penal; për rrjedhojë, ai duhet të lirohet e të vijojë detyrën (ndoshta, në këto rrethana, e jep vetë dorëheqjen, punë për të). Nëse ushtron presione mbi dëshmitarët apo tenton të prishë prova, masa mund të rivendoset në çdo moment, mbi indicie apo fakte. Gjithashtu, arsyetimi i Gjykatës së Lartë mbi projekt-vendimin unifikues për masat e sigurisë, që pritet të miratohet së shpejti, është në favor të Erion Veliajt.
Ndaj e them me bindje të plotë: Give us back Mayor Veliaj in office, one way or another!
Ilir Beqja së shpejti bën dy vite në paraburgim. Nëse në fillim arsyet për paraburgimin e tij ishin shumë të dobëta (për të mos thënë më shumë), prej kohësh janë bërë tërësisht të kota. Ilir Beqja s’ka asnjë fuqi të prishë gjë apo të trembë kënd. Pa pasaportë s’ka ku të shkojë; klandestin maleve nuk arratiset, se nuk ka as moshën e aventurës dhe as personalitetin e banditit që çan ferrën. Ndaj edhe ai duhet ta vijojë gjykimin në liri. Paraburgimi i mëtejshëm i tij, ndërsa ka avancuar gjykimi i themelit dhe disa nga të bashkëakuzuarit kanë mbaruar punë me kohë e vakt me gjykim të shkurtuar, nuk mban më.
Ndaj them me bindje të plotë: Enough is enough.
Shembulli Arben Ahmetaj nuk vlen për kundërargument për askënd sipërpërmendur, sepse ai iku nën kërcënimin kryeministror-klanor, e kishte pasaportën dhe nuk kishte si ta ndalte kush ato ditë; dhe jam i bindur, duke e njohur prej vitesh, se nëse do të hetohej e gjykohej në liri, e në mungesë të kërcënimit politiko-personal për të dhe familjen, nuk kishte për të ikur e të kërkonte azil politik në Zvicër. Pas denoncimeve që ka bërë, ai ka tashmë shumë më shumë arsye t’i druhet hakmarrjes së regjimit me mjete jogjyqësore sesa gjykimit penal të drejtësisë së këtij regjimi; ndaj mirë është atje ku është.
Ndaj them me bindje të plotë: Keep fighting Ben.
Çështja e teprimit me paraburgimet së fundmi është bërë edhe subjekt i fjalimeve kryeministrore. Në fakt, Edi Rama u kujtua për këtë çështje vetëm kohët e fundit, veçanërisht me rastin e masave siguruese ndaj Belinda Ballukut. Masa e lartë e paraburgimeve dihej që ishte e tillë, shumë e lartë qoftë si përqindje e popullatës së burgjeve, qoftë si koeficient për 100 mijë banorë. Shqipëria mban rekord Guinness në Evropë; me gjasë është në top 10 në tabelën e klasifikimit botëror. Ndaj s’kish pse pritej raporti i Këshillit të Evropës që kryeministri ynë të ndihej i turpëruar e të fillonte, siç e ka zakon, telendisjen e drejtësisë, vend e pa vend, ndërsa është autor i dorës së parë në përkeqësimin e këtij tipari të drejtësisë sonë që kur erdhi në pushtet e deri vonë.
Se, fjala vjen, kryeministri ynë, nëse ka filluar të merakoset për teprinë e paraburgimit apo ‘burgosjen pa gjyq’, siç e quan ai, më së pari do të duhej të mos bënte ç’ka bërë më parë – thirrje prokurorisë dhe gjykatës të burgosë protestuesit që hedhin fishekzjarrë apo shishe me benzinë, kriminalizimin e shkeljeve administrative deri në absurd, si rasti i ndërtimit pa leje të kotecit apo çatisë, apo parkimi i dyfishtë e të tjera si këto. Hetimi dhe gjykimi duhet të bëhen në liri. Tek e fundit, kush nga këta do të arratisej apo do të prishte provat për kaq pak rrezik penal?! Gjithashtu, ai i ka 83+3 votat për të bërë ndryshimet e duhura ligjore, e jo të presë që këtë ‘patate’ ta zgjidhë me vendim (të vonuar e të kërkuar) Gjykata e Lartë.
Është e qartë se Edi Rama do të duhej që, për të njëjtin metër dhe peshë, të bënte thirrje edhe për lirimin e personave të përveçëm sipërpërmendur, përfshirë edhe vetë Sali Berishën, për të cilin vijimi i masës së detyrimit për t’u paraqitur dy herë në muaj në SPAK, ndërsa ka filluar gjyqi i themelit, ka marrë përmasa groteske.
Arsyet pse Sali Berisha nuk e kërkon vetë heqjen e kësaj mase vetëkuptohen – atij iu dha mundësia dy herë në muaj t’ia thotë me gojë e t’ia lërë me shkrim konsideratat që ka për drejtësinë e ‘rilindur’ të regjimit. Dy mitingje lehtësisht të bëshme në muaj, në oborrin e drejtësisë së ‘rilindur’ – e ku ka më mirë?! Ajo që nuk kuptohet është pse kjo drejtësi e posaçme, prokuroria e saj më së pari, nuk e revokon masën e marrë 30 muaj më parë, përveç nëse u është bërë nevojë e domosdoshme të shihen dy herë në muaj me doktorin e të dëgjojnë diagnozën!
Ndaj them me bindje të plotë: Stop being ridiculous!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.