Te ndryshme

Fshati “librari”, mes fjordeve norvegjeze

Reportazh – Magjia e fshatit të vogël në buzë të fjordeve, që mund të të ofrojë katër kilometra rafte me libra – edhe nën qiell të hapur. Pak vite më parë, ai kërcënohej nga zhdukja.

 

Përgjigjja erdhi nga Uellsi

Përgjigjja shpëtimtare do të na vinte nga Uellsi. Gjatë një udhëtimi pushimesh, këshilltari i shkollës së Sogndalerit, Claus Kvamme, vizitoi rastësisht stacionin në “Hay-on-Wye”, që në vitin 1961 ishte i pari ndër mbi 20 fshatrat “librari” në Europë. Shumë nga këto lokalitete të vogla – siç është për shembull edhe Redu në Ardenet belge, apo Bredevoort në rajonin holandez të Achterhoek-ut, kërcënoheshin gjithashtu nga braktisja: librat e moçëm u sollën atyre një vrull të ri. Kvamme e njohu me kohë këtë shans, eksportoi idenë e tij në Norvegji, dhe në vitin 1996 Fjorlandi u bë i pari fshat “librari” në mbarë Skandinavinë. Sot, edhe Tvedestrand në brigjet jugore të Norvegjisë, i është bashkuar kësaj nisme.

 

Katër kilometra material leximor

Qysh prej asaj kohe gëlojnë admiruesit e librave dhe të leximit nëpër këtë lokalitet, duke nxjerrë atë që duan mes rreth 200.000 vëllimeve. “Ndoshta janë edhe më shumë”, thotë Eivind Ødegård, menaxher i fshatit “librari” dhe mësues në shkollën e Sogndalit. “E sigurt është vetëm se raftet e librave në dyqanin tonë të ri, dëshmojnë një gjatësi prej më shumë se katër kilometrash”. Në to përfshihen edhe vëllimet e vogla që mund të hasen në stendat e tezgat në qiell të hapur, në limanin ku dikur ankoroheshin tragetet gjatë rrugës së fshatit, në të cilën vizitorët mund t’i shërbejnë vetes – natyrisht kundrejt pagesës. Të gjitha vëllimet kanë diçka të përbashkët: ata kanë pasur një pronar të vetin dikur dhe janë mbajtur mirë. Kështu, në kontingjentin për të cilin folëm, gjen për shembull “Tusund og ei natt” (Një mijë e një net) nga letërsia “antikuare” nga gjysma e Europës; romanet “krimi” kanë sigurisht një seksion më vete, shumë të pasur. Pak hapa më tej, Libraria e Arnoldit na çon si në historinë nordike, ashtu edhe në libra guidash për destinacione të largëta.

Banorët dhurojnë libra

Te “Bok & Bilde” pak metra pranë zyrës së informacionit turistik, fëmijët shfletojnë nëpër rafte librash; në një dyqan që përmban shkallë, ata gjejnë seriale me kartona dhe komikë. Dhe në kafenenë e fshatit “Kaffistova”, nuk të shërbejnë vetëm me kafe dhe kek me çokollatë, por të ofrohen për blerje edhe libra gatimi – si dhe vepra erotike. “Kur hapim dyqanet herët në mëngjes, ndonjëherë para derës së dyqanit qëndrojnë kuti kartoni plot me libra, si donacion nga popullsia lokale. Vëllimet, për shembull, përftohen gjatë zhvendosjeve të brendshme, arredimeve të shtëpive, apo largimit nga shtëpitë”, na thotë Barbara Kuhnen. Ish-mësuesja nga Kassel-i i Gjermanisë ndihmon këtu qysh nga viti 2004 në sezonet verore, duke u angazhuar nga maji deri në shtator në këtë fshat “librari”.

Fjorland, jo vetëm libra!

Mijëra vizitorë udhëtojnë çdo vit tashmë në kërkim të librave “antikuarë” drejt Fjorlandit dhe sjellin kësisoj me vete jetën në fshatin që për pak kërcënohej nga zhdukja. Atmosferë, larmi dhe gjallëri haset sidomos gjatë natës së librave në mes të verës, në fund të qershorit. “Atëherë vijnë koleksionistë librash të vjetër dhe ndërtojnë pavijonet e tyre gjatë rrugës kryesore, duke sjellë një sasi të pamasë librash me vete. Vizitorë të shumtë kërkojnë librat e tyre të preferuar, që janë hequr me kohë tashmë nga stendat e librarive të mëdha”, thotë Eivind Ødegård. Përveç tyre, gjithnjë e më shumë bëhen porosi në internet. Kush nuk dëshiron të shfletojë vetëm në raftet e librave, në Fjorland gjen një vend prehje e qetësie, por edhe frymëzimi për ekskursione në rajonin e famshëm të fjordeve. 13 grupe ekskursionistësh në kohëzgjatje të ndryshme, ka regjistruar tashmë zyra e vogël turistike për këtë sezon. Edhe në turet e shkurtra në natyrën e virgjër, ekskursionistët duhet ta kenë me vete hartën. Një nga shtigjet të çon nëpër guva e male me dëborë, duke të ofruar sërish zbritjen në livadhe plot gjelbërim, që gjenden në një lartësi 300 metra mbi nivelin e detit. Ky është Fjorlandi, etalon i (jashtë)zakonshëm i jetës në fjordet norvegjeze

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button