Politika

Fullani: Kam nisur të kursej para që në vitin 1978

Pasuria qindra mijë euroshe, me prona dhe vila, e deklaruar në vitet 2004-2011

Vilat në Farkë

Kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e objektit mbi truallin e deklaruar më parë me sipërfaqe 3800 metër katrorë në Farkë, duke përfituar 35 për qind të sipërfaqes të secilit prej ndërtimeve

Dhuratat

Për huan 30 milionëshe kunatës në Kanada thotë se kanë si burim pagat e saj si avokate dhe drejtuese e një OJF-je, si dhe dhurata nga vëllai i saj emigrant në Gjermani, që nga viti 1991

Arsimi i fëmijëve

Për vajzën kanë shlyer në 2011-n 15 mijë euro në vit, ndërsa për djalin kanë shlyer tre mijë euro në vit. Në vitin 2012 kanë shlyer për djalin 330 mijë lekë, ndërsa për vajzën dy milionë lekë

Fullani-sotGuvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe bashkëshortja e tij, Arjana Fullani, kanë filluar të kursejnë para që nga viti i largët 1978. Në deklarimet periodike të pasurisë, ata përmendin se kanë kursyer para dhe gjatë kohës së komunizmit, ndërsa më vonë, me kursime, kanë blerë disa apartamente në Tiranë dhe në bregdet, si dhe kanë prenotuar apo ndërtuar vila. Gazeta “Shqip”ka siguruar dokumentet origjinale të deklarimeve në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurisë në vitet 2004 deri në vitin 2011, pasi që prej këtij viti, inspektorati ndaloi publikimin e pasurive, për të rifilluar këtë vit. Por, deri më tani, deklarimi vjetor i këtij çifti, të paktën për dy vitet e fundit, ende nuk është publikuar. Më poshtë po botojmë me radhë këto deklarime, ku dy vitet më kryesore padyshim që kanë qenë 2004 dhe viti 2008, ku dhe pasuria e guvernatorit dhe bashkëshortes së tij gjyqtare u shtua me prona të patundshme.

Viti 2004

Në këtë vit kanë filluar edhe deklarimet e para të zyrtarëve, në bazë të ligjit që hyri në fuqi në mars të vitit 2003. Sipas dokumentit që gazeta “Shqip” zotëron, rezulton se gjyqtarja Fullani ka deklaruar në emër të saj, por edhe të bashkëshortit, që në atë kohë ka qenë i punësuar në një bankë të nivelit të dytë, tri shtëpi banimi. E para ka qenë 100 metra katrorë, në rrugën “Reshit Çollaku”, e dyta 90 metra katrorë në Golem të Kavajës, dhe e treta 335 metra katrorë në zonën e Bllokut në Tiranë. Më pas detajohen llogaritë dhe huat, ku rreth 30 milionë gjyqtarja Fullani ia kishte dhënë hua kunatës në Kanada. Por, ajo që është interesante në shpjegimin e burimeve, është se Ardian Fullani ka deklaruar një depozitë me 2 milionë lekë. “Këto depozita janë vënë nga: pagat e bashkëshortit për periudhën 1978-1996 dhe 1998 e në vazhdim”, thuhet në përshkrimin e gjyqtares Fullani. Ndërkohë, vetë gjyqtarja, thotë se ka pasur një depozitë me 1 milion lekë. “Burimi janë pagat e mia të periudhës 1987-1996 dhe 2000 e në vazhdim”, shkruan gjyqtarja. Për huan 30 milionëshe kunatës në Kanada thotë se kanë si burim pagat e saj si avokate dhe drejtuese e një OJF-je, si dhe dhurata nga vëllai i saj emigrant në Gjermani, që nga viti 1991. Më pas, ajo deklaron se ka pasur pagë 1.8 milionë lekë si drejtore e Magjistraturës, ndërsa bashkëshorti i saj, si drejtor i Bankës IT, ka pasur pagë 6.7 milionë lekë. Në këtë deklarim të parë, gjyqtarja ka shkruar se ka një kredi bankare me vlerë 23 milionë lekë.

Viti 2005

Në vitin 2005, gjyqtarja Fullani ka deklaruar vetëm disa llogari bankare, që janë 1.4 milionë lekë, 40 mijë USD, 1.5 milionë lekë, 11 mijë euro, 7 mijë USD dhe gjendje kesh 1 milion lekë. Të gjitha kanë qenë të ardhura nga paga e saj dhe e bashkëshortit.

Viti 2006

Në këtë vit ka pasur një shtesë në llogarinë rrjedhëse në BIA në dollarë, ku gjendja deri më 31 dhjetor 2005 ka qenë 165 mijë USD. Ka pasur edhe një shtesë në një tjetër llogari në lekë, me 5 milionë lekë, ndërsa ka edhe një pakësim nga huaja e dhënë kunatës. Në këtë vit ka deklaruar edhe pagën e bashkëshortit të saj, Ardian Fullani, guvernator, me 7.1 milionë lekë. Ka shlyer kredinë e marrë në një bankë të nivelit të dytë me një transfertë nga llogaria në SHBA me vlerë 33 mijë USD, si dhe me një tjetër kredi të marrë nga BSH-ja me vlerë 109 mijë USD.

Viti 2007

Janë deklaruar disa shtesa dhe pakësime në llogaritë bankare, por shuma të papërfillshme për ta, ndërsa kanë pasur kesh 2 milionë lekë. Në këtë vit nuk ka pasur ndonjë ndryshim të pasurisë, por vetëm deklarime paga dhe shpërblime.

Viti 2008

Çifti Fullani ka vendosur që në vitin 2008 të bënin mbledhjen e huave apo edhe të shitjeve të pasurisë. Rezulton se ata kanë pasur një shtesë në një llogari në bankë me vlerë 13 milionë lekë. Në këtë vit është deklaruar se i është kthyer huaja nga një person fizik me vlerë 6.7 milionë lekë, ndërsa ka shitur edhe shtëpinë e banimit në plazhin e Golemit në Kavajë me vlerë rreth 68 mijë euro. Ka pasur paga nga drejtimi i Shkollës së Magjistraturës me vlerë 2.6 milionë lekë dhe pagat e bashkëshortit të saj si guvernator 8.4 milionë lekë. Vazhdon të shlyejë kredinë.

Viti 2009

Kanë kryer investimet më të forta. Ata kanë blerë një tokë në Farkë të Madhe në Tiranë me sipërfaqe 3800 metra katrorë me vlerë 220 mijë euro. Ndërkohë, i kanë dhënë hua një personi fizik 118 mijë euro. Kanë prenotuar apartament banimi në malin e Robit duke shlyer 50 mijë euro. Kanë tërhequr 178 mijë USD nga një bankë. Kanë blerë në shumën e 8 milionë lekëve një tokë me sipërfaqe 840 metra katrorë, në të cilën bënte pjesë edhe një truall 250 metra katrorë dhe ndërtesë 80 metra katrorë me adresë Farkë e Madhe, e blerë në vitin 2008, duke paguar 2 milionë lekë dhe diferencën do ia jepnin kur të përfundonte procesi i regjistrimit në hipotekë. Në këtë vit, çifti ka bërë një shlyerje detyrimi për arsimin e djalit në shkollën MPS dhe N… për vitin 2008 në vlerën e 4 mijë eurove.

Viti 2010

Në këtë vit kanë hapur një llogari rrjedhëse në emër të djalit prej 1 mijë e 500 euro, ndërsa kanë pasur një kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e objektit mbi truallin e deklaruar më parë me sipërfaqe 3 mijë e 800 metër katrorë në Farkë të Madhe Tiranë, duke përfituar 35 për qind të sipërfaqes të secilit prej ndërtimeve të reja. Kanë krijuar një llogari bankare në emër të vajzës dhe djalit prej 40 mijë lekësh. Ata kanë filluar të investojnë për fëmijët, kur kanë shlyer një detyrim prej tre mijë eurosh për djalin, ndërsa kanë shlyer një detyrim për vajzën në shumën e 15 mijë eurove, ndërsa kanë hapur edhe një kartë krediti me vlerë 3 mijë e 583 USD.

Viti 2011

Krahas shtimeve dhe pakësimeve në llogaritë e tyre bankare, kanë bërë edhe një kontratë sipërmarrjeje për apartament dhe garazh në rrugën “I.Qemali” në Tiranë. Kanë shlyer për arsimin e djalit 330 mijë lekë, ndërsa për vajzën 2 milionë lekë. Janë bërë edhe ortakë në një firmë private.

Dy vitet më fatlume për çiftin kanë qenë 2004 dhe viti 2008, ku dhe pasuria e guvernatorit dhe bashkëshortes së tij gjyqtare u shtua me prona të patundshme

Jepni mendimin tuaj

Arrestimi i Sali Berishës është

View Results

Loading ... Loading ...

Struktura

Në BSH janë punësuar të afërm të politikanëve

Ka një arsye që i përligj shpenzimet e luksit në Bankën e Shqipërisë. Zyrat e shtrenjta, pagesat për ushqim e deri për aktivitete sportive janë favore që i gëzojnë një numër i madh familjarësh të njerëzve me pushtet politik në këtë vend. Bij, bija, motra, vëllezër, kunetër e kunata të pushtetarëve janë të punësuar në administratën e Bankës së Shqipërisë, ku njerëzit paguhen dhe trajtohen si në asnjë institucion tjetër. Kështu, vajza e Topallit është e punësuar në departamentin e kërkimeve, ndërsa vajza e Ridvan Bodes në departamentin e stabilitetit financiar. Te mbikëqyrja punon djali i Fatos Bejës, ndërsa djali i ish-kreut të KLSH-së punon te kontabiliteti. Kunata e Berishës është këshilltare e Fullanit. Madje, në BSH janë të punësuar edhe të afërm të Bashës apo edhe të deputetit Keltis Kruja. Në poste të rehatshme janë të afërm të vetë guvernatorit. Por në bankë janë të punësuar aktualisht edhe të afërm të drejtorëve të emëruar së fundmi, të deputetëve apo dhe ministrave të mazhorancës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button