Gabimet e Edit
Nga Zamira Çavo
Sot, dy vjet e gjysmë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, çdo qytetar mund të bëjë një bilanc mes pritshmërive të këtyre zgjedhjeve dhe realitetit faktik.
Mund të bëjë një bilanc mes Edit, frymëzues të ndryshimit të madh dhe Kryeministrit aktual. Gjithsesi çdo analizë do të ketë dhe dozat e veta të subjektivizmit, por është në të drejtën e secilit ta vlerësojë realisht ndryshimin. Unë kam zgjedhur të analizoj gabimet e Edit për të kuptuar fajet e Kryeministrit.
Gabimi i parë i Edit në mendimin tim, është krijimi i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Bashkimi me LSI-në u duk qartazi që ishte një bashkim i sforcuar jashtë çdo lloj ideologjie dhe parametri demokratik. Ishte një aleancë e imponuar nga frika se mos Berisha nuk mundej dot me zgjedhje të lira. Them e sforcuar, pasi interesat lidhnin vetëm krerët e partive, por jo bazat e tyre. Në bazë, “armiqësia” e vjetër jo vetëm nuk u harrua, por me kalimin e ditëve u shtua si pasojë e zmbrapsjes së socialistëve nga shumë mundësi punësimi dhe pushtetit. Them një aleance aspak demokratike, pasi vendimi as nuk u diskutua dhe as u vendos në forume, por në një drekë ngjalash. Sot, 2 vjet e gjysmë më pas, LSI-ja është bërë gjylja në këmbët e Edit, i cili lëviz sipas forcës së rëndesës së kësaj gjyleje. Filozofia e politikat LSI-ste janë shumë të ndryshme nga filozofia e politikat PS-iste. Kjo ka sjellë çarjen e madhe në bashin e anijes që quhet pushtet.
Gabimi i dytë i Edit ishte formimi i qeverisë. Një ditë pas shpalljes së qeverisë në një shkrim të titulluar “A ka zgjedhur Rama një skuadër?” kisha shprehur dyshimin tim se në këtë zgjedhje Edi kishte gabuar në taktikën e tij. Filozofia për të ndryshuar pamjen e qeverisë, për të mos ricikluar më figurat e përfolura në Partinë Socialiste, ishte një filozofi mjaft e lavdërueshme. Por nuk mjafton të mohosh, duhet edhe të pohosh. Edi gaboi pikërisht në këtë pohim. Zgjodhi sipas filozofisë së diktatorit dhe jo sipas filozofisë së liderit të përkushtuar për të realizuar programin. Zgjodhi një grup njerëzish (miq apo të njohur nuk kanë rëndësi), të cilët do t’i bindeshin me verbëri absolute. Pse veproi kështu? Në mendimin tim, Edi ka qenë i bindur që autorësinë e “pikturës” së Shqipërisë së ardhme, duhet ta ketë AI. Ndaj zgjodhi njerëz që do i kishte plotësisht nën urdhrat e tij. Kjo zgjedhje sot, pas dy vitesh e gjysmë, i ka rënduar mbi supe vetë Edit. Jo vetëm nga paaftësia e mjaft anëtarëve të kabinetit, jo nga fakti se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë lidhje fare me Partinë Socialiste, por nga fakti i thjeshtë se të gjitha mosrealizimet, gabimet apo gafat e ministrave të veçantë, i vishen Edit. Kjo do të ishte që në krye të herës barra që do të mbante mbi supe Edi, për shkak të zgjedhjes së tij të gabuar.
Gabimi i tretë është rruga e gabuar që zgjodhi për ta ringritur shtetin. Nuk besoj se ka shqiptar të mençur që të mos e pranojë shkatërrimin e shtetit në 25 vjet. Madje në kohën e Berishës, shtetit nuk i dukeshin as brinjët e jo më të tregonte forcën e tij. Berisha e shkatërroi shtetin. Filozofia e Edit për të ringritur shtetin e rënë, është filozofi lideri. Dhe unë jam e bindur vetë se Edi do dhe mund ta bëjë këtë. Por zgjodhi rrugën e gabuar. Dikush mund të thotë: pse e gabuar është rruga e ligjit? Natyrisht jo. Ligji dhe forcimi i zbatimit të tij është rruga e vetme e forcimit të shtetit. Por Edi e humbi fillin që kur në vend të ligjit dhe drejtësisë, vuri në punë instrumentin e dhunës. Burgu që realisht duhej “inauguruar” me ndëshkimin e fajtorëve të rrënimit ekonomik, politik e social, u shndërrua në ferrin e të varfërve dhe të pambrojturve. Sistemi i padrejtësisë i ngritur me “ligje” funksionon si i tillë për popullin, por për elitën politike funksionon si sistem drejtësie. Sot, dy vjet e gjysmë pas zgjedhjeve, shqiptarët kanë një sistem edhe më të shkatërruar të drejtësisë dhe ndihen edhe më të pambrojtur se dikur.
Gabimi i katërt i Edit është administrata publike. Fytyra e shtetit është administrata. Por duke punësuar miq e mikesha të ministrave apo deputetëve, duke punësuar të afërm të familjeve të tyre, administrata publike është sot në mendimin tim, administratë amatore! Gafat e kësaj administrate, përveçse e kanë bërë shtetin qesharak, por kanë dhe fatura politike apo financiare nga pas tyre. Stafet e ministrave duket sikur po mësojnë të luajnë “qeverisjesh” me popullin. Bën ministri planet e buxhetit dhe i fut një të shkruar 300 e ca punonjësve të shëndetësisë. Pastaj tërhiqet. Del e thotë se “si Kristi ka shumë, ndaj qeveria nuk bën dot gjë” dhe më pas del i miraton fondin që nuk i duhet më kurrkujt”. Bën konkurse bombastike Ministria e Arsimit dhe rezulton në përkeqësim të gjendjes së drejtimit të arsimit. Vendos taksimin për bizneset e vogla, i çon ato buzë greminës dhe më tej u thua: Nuk ka më tatim për ju!
Sikur të numëroja të gjitha “prapësitë” e përfaqësuesve të shtetit, do na duheshin dy vite e gjysmë.
Gabimi i pestë i Edit është vetë Edi. Edi e ka gozhduar në vend Kryeministrin. Çdo Kryeministër kur e shikon që ekonomia nuk ecën, kur politika e jashtme sjell pasiguri dhe dështime të njëpasnjëshme, kur arsimi, shëndetësia, turizmi, energjetika jo vetëm nuk janë më mirë, por treguesit realë e cilësojnë edhe më keq situatën, bën ndryshime në qeveri. Është forcë dhe seriozitet një veprim i tillë. Por jo. Edi nuk e lë Kryeministrin të bëjë veprime të tilla. Shkaku është ai që thashë më lart: zgjedhja e ekipit! Në administrim mund të tregohesh edhe arrogant kur punët nuk shkojnë mirë. Në politikë arroganca është vetëvrasje. Edi nuk e lë Kryeministrin të dallojë mangësitë reale, gabimet trashanike në sektorë të veçantë. Kur Kryeministrit i duhet të bëjë, p.sh. analizën e arsimit, në vend që të shikojë realisht se çfarë gjendje cilësisht katastrofike kemi në arsim, Edi flet me gojën e Kryeministrit duke vazhduar të përsërisë: “Ne mbyllëm x shkolla dhe e gjetëm vendin me analfabetizëm funksional”.
Një Kryeministër i përgjegjshëm nuk do të lejonte të ricikloheshin klientët e pushtetit të rrëzuar. Por Edi nuk do t’ia dijë. Ai me psikologjinë e “njeriut të madh” i rimerr, i mban afër, u jep privilegje ekonomike e politike, për t’i treguar kundërshtarit politik se është më i fortë se ai.
Një Kryeministër di të sillet me median, me njerëzit, por Edi bën symbyllurin “transparent”! Ai bën indiferentin, cinikun, të diturin, gazetarin dhe opinionistin, por nuk bën pothuaj asnjëherë Kryeministrin.
Edi duket nuk ka gjetur udhën e tij si politikan. I luhatur, pa mundur dot të orientohet në diplomacitë e kohës, Edi vazhdon të mos e orientojë sjelljen e tij politike në “drejtimin e duhur”. As SHBA-ja, as Gjermania, as Franca e as Kina duket nuk i kanë dhënë mbështetjen që kërkon. Kjo i ka bërë edhe më konfuze lëvizjet e tij politike. Edi harron që është Kryeministër i një shteti të vogël e të varfër njëkohësisht. Kjo nuk do ta lejojë asnjëherë të realizojë ndoshta ndonjë ëndërr të liderit të dukshëm ndërkombëtarisht.
Cilido shqiptar mund dhe me siguri gjen gabime të tjera ose mund të mos jetë fare dakord me këto që them unë, por e vërteta duket në treguesit realë të ekonomisë shqiptare, në shtimin e varfërisë, në dëshirën e shumë shqiptarëve për të ikur nga sytë këmbët nga vendi i tyre. Kaq mjafton!
Zonje e nderuar,
Gabimet e permendura jane te gjitha te sakta. Pa u futur ne detale te thella me lejoni t’ju them qe Kryeministri Z E.Rama nuk mund te jete nje lider perendimore qe kur gjerat shkojne keq fillojne e reflektojne. Edi ne gjak ka diktaturen ndersa demokracine po perpiqet ta mesoje rrjedhimisht konseguencat jane te qarta. Nuk eshte i vetem, 99% e politikaneve shqiptare jane te tille. Prandaj si konluzion mund te them qe Shqiperia nuk eshte ne gjendje te prodhoje lidere demokrate te mirefillte prandaj ose duhet te qeveriset nga te huaj ose nga shqiptare gjysem diktatore duke pranuar ne kete menyre dhe konseguencat.