Kronika

Gati ‘Guantanamo italian’/ Pse Rama ia la përgjegjësinë Melonit

Kur firmosi marrëveshjen e refugjatëve afrikanë në nëntor të vitit të kaluar, Edi Rama mori përsipër shpalljen e një borxhi që shqiptarët i detyrohen Italisë për hir të mikpritjes gjatë eksodit të viteve 90. Megjithëse i beftë, pohimi i tij nuk u prit keq.

Ngjarje si ajo në stadiumin e Barit në 1991 apo fundosja në det e 92 burrave, grave dhe fëmijëve me anijen “Katër i Radës” nuk shlyhen lehtë nga memoria, por sërish “borxhi” me të cilin u ngarkuan shqiptarët gjatë nënshkrimit të marrëveshjes Rama-Meloni nuk ngjalli ndonjë pakënaqësi, për hir të dhjetëra mijëra emigrantëve që ndërtuan në Itali një jetë të re.

Por në intervistën e fundit për La Reppubblica ra në sy mungesa e entuziasmit të parë me të cilin u propagandua projekti i kampeve në Shëngjin dhe Gjadër. Rama foli ftohtë për kampet që këto ditë do të presin emigrantët e parë, duke mos marrë mbi vetë asnjë përgjegjësi për atë ç’ka mund të ndodhë brenda tyre.

Kur u pyet nëse do të ketë një ceremoni inaugurimi me Melonin për hapjen e kampeve, tha se nuk e kishin planifikuar diçka të tillë. Kur u pyet se kur do të vijnë emigrantët e parë, Rama tha se nuk dinte asgjë sepse menaxhimin e brendshëm e kanë italianët.

“Jo, nuk e di, sepse ata do të shoqërohen nga autoritetet italiane në një vend që është nën juridiksionin italian. Si gjatë udhëtimit për në kamp ashtu edhe gjatë qëndrimit, nuk ka asnjë ndërthurje me autoritetet tona” u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Ndërtimi i kampeve ku do të trajtohen procedurat e azilit për rreth 3 mijë refugjatë burra afrikanë në të njëjtën kohë, është një operacion me plot të panjohura, që ka provokuar debate të forta në Bashkimin Europian. Ndaj sa më shumë afron marrëveshja, aq më agresivë bëhen zërat kundër.

Një seri organizatash ndërkombëtare kanë ringritur alarmin e shkeljes së të drejtave të burrave afrikanë që do të kapen në anijet në Mesdhe dhe do të transportohen drejt Shqipërisë. Së fundmi Politico.eu solli zërat nga disa organizata italiane, të cilët kanë një këndvështrim tjetër për marrëveshjen Rama-Meloni.

Sipas tyre emigrantët afrikanë që kapen në Mesdhe dhe ndahen nga familjet po trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Izolimi larg Italisë, në kampe të mbyllura në Shqipëri, larg syrit të organizatave ndërkombëtare rrezikon të çojë në shkeljen e të drejtave të refugjatëve dhe mbajtjen në kushte të këqia, thonë aktivistët.

Federica Borlizzi, një avokatë e Koalicionit për Liri dhe të Drejtat e Njeriut përsërit me bindje për Politico.eu, atë që të tjerë kanë thënë para saj, se kampi i Gjadrit është një “Guantanamo italian”, një referencë për kampet e izolimit në Kuba, ku Shtetet e Bashkuara burgosën dhe torturuan të dyshuarit për terrorizëm.

Emigrantëve në Shqipëri do t’u mohohet e drejta për të pasur ndihmë ligjore, thotë Anna Brambilla për Politico një përfaqësuese e shoqatës ASGI, që mbron të drejtat e refugjatëve.

“Edhe në Itali, është e vështirë për emigrantët të kenë një avokat” thotë ajo.

Edhe procedurat e përshpejtuara nuk janë diçka e mirë për emigrantin “sepse ti nuk mund të vlerësosh siç duhet kërkesën në një kohë të shkurtër, pasi dobësitë e një individi kërkojnë kohë për t’u verifikuar”.

Ndërkohë Federica Borlizzi, avokatja e Koalicionit për Liri dhe të Drejta njerëzore thotë se në Itali, kushtet ku qëndrojnë refugjatët janë tashmë të këqia, ndërkohë që në Shqipëri mund të jenë akoma më keq, pasi burgjet janë ndërtuar nga kompani private që kanë tendencën të kursejnë në hapësira, që çojnë në mbipopullim, kjo për të shtuar fitimet.

“Kemi parë tetë persona të detyruar të flenë në një qeli prej 20 metrash katrorë. Imagjinoni çfarë do të ndodhë në një tokë të huaj larg çdo lloj monitorimi,” tha Borlizzi.

Aleanca e Gjelbër dhe e Majtë e Italisë, e cila aktualisht është në opozitë, i ka quajtur qendrat “kampe përqendrimi”.

Deputeti Angelo Bonelli, udhëheqësi i grupit politik, i tha POLITICO-s se kampet nuk do të zgjidhin asgjë dhe janë thjesht “një operacion marketingu”, duke shtuar se kapaciteti maksimal i kampeve – 3,000 në muaj – “është asgjë në krahasim me shkallën e emergjencës”.

Kritikat i shtohen vërejtjeve që kanë bërë organizatat më prestigjioze botërore të të drejtave të njeriut, si Human Rights ëatch e cila e ka quajtur marrëveshjen Rama-Meloni si abuzive dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Po ashtu e majta italiane ka kundërshtuar fort devijimin e refugjatëve drejt Shqipërisë, ndërsa një pjesë e shtypit ndërkombëtar e ka krahasur Shqipërinë me Ruandën, shtet që pranoi një marrëveshje të ngjashme me Britaninë e Madhe.

Gjithsesi, tani që godinat kanë mbaruar shfaqja e refugjatëve të parë është çështje ditësh. Së shpejti do të shihet si do të trajtohen ata nga policia italiane… si do të jenë kushtet ku do të jetojnë afrikanët e kapur në Mesdhe dhe për më tepër do të shihet, se si do të reagojnë 3 mijë burra të burgosuar apriori në Shqipëri.

Ka ardhur koha kur mund të shfaqen problemet e para, ndaj dhe kryeministri i Shqipërisë thotë se nuk mban përgjegjësi për atë që mund të ndodhë brenda burgjeve për afrikanët. Sepse me justifikimin e shlyerjes së një borxhi, mund t’i ketë çuar shqiptarët drejt bashkëpunimit në një krim racor. Një krim, të cilin shqiptarët ende mburren se nuk e kryen gjatë pushtimit fashist apo gjatë atij nazist./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button