Kronika

Gjykata e Lartë vendos sot masën e sigurisë për deputetët , Tom Doshi dhe Mark Frroku

Gjykata e Lartë do të vendosë sot masën e sigurisë për deputetët e arrestuar, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Seanca për caktimin e masës së sigurisë ka nisur në orën 13:00 për Frrokun dhe në orën 13:30 për Doshin.

Deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku
Deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku

Ndërkaq është vendosur që seanca për caktimin e masës së sigurisë për Durim Bamin të mbahet të hënën. Po sot është caktuar trupi gjykues për procesin ndaj deputetëve të arrestuar Tom Doshi dhe Mark Frroku, të cilët akuzohen për “Kallëzim të rremë”, “Kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklarata të rreme përpara Prokurorit”. Trupi gjykues që do të gjykojë dy deputetët përbëhet nga 5 gjyqtarët Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Admir Xanxa dhe Majlinda Andrea.

Mësohet se 5 gjyqtarët do të gjykojnë dhe të akuzuarin tjetër Durim Bami. Ndërkaq relator për deputetët Doshi dhe Frroku do të jetë gjyqtari Guxim Zenelaj, ndërsa relator për Durim Bamin do të jetë Aleksandër Muskaj. Gjyqtarët të cilët do të bëjnë vlerësimin e masës së sigurisë janë përcaktuar nga shorti me gogla.

Kjo trupë do të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit të tyre nga policia, dy ditë me parë dhe se me çfarë mase sigurie (burg, arrest shtëpie apo gjendje të lire) do të caktohet për deputetët ndërkohë që ndaj tyre do të vijoje procesi hetimor me akuzat e ngritura nga Prokuroria.

Ora 13:30- Mark Frroku pas hyrjes në sallën e gjyqit i drejtohet familjarëve: Mos u trembni nga prangat e ‘llallës dhe të kosit’. Me këtë batutë deputeti kristiandemokrat Mark Frroku u është drejtuar të afërmve në sallën e gjyqit, ndërkohë që ka hyre brenda me pranga në duar, në pritje të caktimit të masës së sigurisë në ngarkim të tij.

“Unë jam këtu, jam shumë mirë”, ka thënë ai, ndërsa është interesuar për shëndetin e të afërmve, ka pyetur për babain e tij. Seanca u vendos të mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias për ruajtje të sekretit të hetimit.

Ora 13:15: Deputeti i arrestuar Tom Doshi lë ambientet e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për të shkuar në Gjykatën e Lartë, ku do të vendoset nëse procesi gjyqësor ndaj tij për dëshmi të rreme do të zhvillohet nën masën e sigurisë arrest me burg apo do të lihet i lirë. Ndryshe nga Mark Frroku, deputeti Tom Doshi ka mbërritur në Gjykatë me duar në xhepa, në dukje i qetë. Mësohet se Doshi ka pasur vetëm njërën dorë me pranga të lidhur me dorën e efektivit të policisë që e shoqëronte.

Ora 12:55- Deputeti Mark Frroku i rrethuar nga dhjetëra policë del nga Policia e Tiranës për tu drejtuar në Gjykatën e Lartë ku do të dalë para trupit gjykues për të marrë masën e sigurisë. Para se të hynte në Gjykatë, Frroku i prangosur ka ngritur duart lart për të përshëndetur të afërmit dhe mbështetësit e tij, ndërsa policët nuk e kanë lënë të lirë për asnjë çast.

Ora 12:10- Gjykata e Lartë jep sot masën e sigurisë për deputetët Frroku dhe Doshi. Seanca do të nisë sot në orën 13:00. Dy deputetët pritet të dalin para trupit gjykues në orën 13:30. Ndërkaq është vendosur po sot se masa për Bamin do të jepet të hënën në orën 10:00. Mësohet se deputeti Tom Doshi do të marrë pjesë në seancën e sotme. Lajmi konfirmohet nga avokatët e deputetit Tom Doshi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button