Gjykata federale bllokon politikën e Pentagonit që kufizonte gazetarët
Vendimi në favor të New York Times e cilëson politikën si shkelje të lirisë së shtypit dhe të drejtave kushtetuese, duke urdhëruar rikthimin e akreditimeve për gazetarët e përjashtuar
Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka vendosur të bllokojë administratën e Presidentit Donald Trump nga zbatimi i një politike që kufizon aksesin e gazetarëve në Pentagon.
Vendimi i së premtes mbështet argumentin e gazetës The New York Times, sipas të cilit pjesë të rëndësishme të rregullave të reja janë të paligjshme.
Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut në SHBA, Paul Friedman, në Washington DC, vendosi se politika e Pentagonit kufizon në mënyrë të paligjshme akreditimet e gazetarëve që u larguan nga ndërtesa në vend që të pranonin rregullat e reja.
The New York Times paditi Pentagonin dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth në dhjetor, duke argumentuar se politika e akreditimit shkel të drejtat kushtetuese të gazetarëve për lirinë e shprehjes dhe procesin e rregullt ligjor.
Trupa aktuale e gazetarëve në Pentagon përbëhet kryesisht nga media konservatore që kanë pranuar këtë politikë. Gazetarët nga media që refuzuan ta pranonin, përfshirë ata nga The Associated Press, kanë vazhduar të raportojnë mbi ushtrinë.
Friedman, i emëruar në këtë detyrë nga Presidenti demokrat Bill Clinton, tha se politika “nuk jep njoftim të qartë se cilat praktika të zakonshme dhe të ligjshme gazetareske mund të çojnë në refuzimin, pezullimin ose heqjen e akreditimit në Pentagon”.
Ai vendosi se politika shkel Amendamentin e Parë dhe të Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, që garantojnë lirinë e shprehjes dhe procesin e rregullt ligjor.
“Ata që hartuan Amendamentin e Parë besonin se siguria e kombit kërkon një shtyp të lirë dhe një popull të informuar, dhe se kjo siguri rrezikohet nga shtypja qeveritare e fjalës politike. Ky parim ka ruajtur sigurinë e vendit për gati 250 vjet. Nuk duhet të braktiset tani,” shkroi gjykatësi.
Reagimi i New York Times
Zëdhënësi i New York Times, Charlie Stadtlander, tha se gazeta beson se vendimi “zbaton të drejtat kushtetuese të mbrojtura për shtypin e lirë në këtë vend”.
“Amerikanët meritojnë transparencë mbi mënyrën se si qeveria e tyre drejtohet dhe mbi veprimet që ushtria ndërmerr në emrin e tyre dhe me taksat e tyre,” tha ai. “Vendimi i sotëm riafirmon të drejtën e Times dhe mediave të tjera të pavarura për të bërë pyetje në emër të publikut.”
Avokati Theodore Boutrous, që përfaqësoi gazetën, e quajti vendimin “një refuzim të fortë të përpjekjes së Pentagonit për të penguar lirinë e shtypit dhe raportimin e informacionit jetik për popullin amerikan në një kohë lufte”.
Pentagoni nuk reagoi menjëherë ndaj vendimit, por më parë kishte argumentuar se politika përmban rregulla “logjike” për të mbrojtur informacionin e sigurisë kombëtare.
“Sipas këtij procesi synohet të parandalohet që persona që përbëjnë rrezik sigurie të kenë akses të gjerë në selinë ushtarake amerikane,” kishin shkruar avokatët e qeverisë.
Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Times argumentoi se politika synon të heshtë raportimet kritike ndaj administratës Trump.
“Amendamenti i Parë e ndalon qeverinë të marrë pushtet të pakufizuar për të kufizuar fjalën, sepse vetë ekzistenca e një autoriteti të tillë arbitrar mund të çojë në vetëcensurë,” thuhej në argumentimin e tyre.
Përjashtimi i gazetarëve “të padëshiruar”
Gjykatësi theksoi se e kupton rëndësinë e sigurisë kombëtare, mbrojtjen e trupave dhe planeve ushtarake.
“Por, sidomos në dritën e ndërhyrjes së fundit të vendit në Venezuelë dhe luftës në vazhdim me Iranin, është më e rëndësishme se kurrë që publiku të ketë akses në informacione nga këndvështrime të ndryshme mbi veprimet e qeverisë,” shkroi ai.
Friedman shtoi se provat tregojnë qartë se politika synon të përjashtojë “gazetarët e padëshiruar” dhe t’i zëvendësojë ata me të tjerë që janë “në një linjë” me qeverinë, çka përbën diskriminim të paligjshëm sipas pikëpamjes.
“Në thelb, politika e bën çdo mbledhje informacioni dhe raportim që nuk është i miratuar nga Departamenti një arsye të mundshme për refuzimin, pezullimin ose heqjen e akreditimit,” shkroi ai. “Ajo nuk u jep gazetarëve asnjë mënyrë për të ditur si të bëjnë punën e tyre pa rrezikuar akreditimin.”
Pentagoni kishte kërkuar që vendimi të pezullohej për një javë për të bërë apel, por gjykatësi e refuzoi këtë kërkesë.
Ai urdhëroi Pentagonin të rikthejë akreditimet për shtatë gazetarë të Times, duke theksuar se vendimi vlen për të gjitha palët e prekura nga kjo politikë.
Gjykatësi i dha Pentagonit një javë kohë për të paraqitur një raport mbi zbatimin e vendimit.
New York Times argumentoi gjithashtu se Pentagoni i ka zbatuar rregullat në mënyrë të paqëndrueshme. Gazeta përmendi se aleatja e Trump, Laura Loomer, kishte promovuar një linjë informacionesh (“tip line”), që sipas rregullave mund të konsiderohej shkelje, por nuk u penalizua.
Ndërkohë, një linjë e ngjashme e Washington Post u konsiderua shkelje sepse “synonte” personelin ushtarak.
Gjykatësi tha se nuk sheh asnjë ndryshim domethënës mes dy rasteve.
“Problemi është se asgjë në politikë nuk e ndalon Departamentin t’i trajtojë ndryshe këto dy raste pothuajse identike,” përfundoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.