Gjyshërit nuk e dinin se kush janë apo nipërit e tyre të sotëm nuk i njohin gjyshërit e vet
Kin Mehmeti
Sikur hartat e shteteve ballkanike të vizatoheshin sipas mendësisë serbe, pra sipas mendësisë se ku ka edhe një varrë serb është Serbi, atëherë në këto hapësira nuk do kishte vend për të gjallët e etnive joserbe dhe ata do duhej të shpërnguleshin nëpër viset e pabanuara të këtij planeti. Gjithashtu, nëse numri i të gjallëve në këto hapësira do ishte aq saç thonë ata që pretendojnë se, jo vetëm territoret, por fqinjët ua kanë vjedhur edhe popullin, atëherë në këto hapësira të gjithë etnitete për nga numri do ishin sa kinezët.
Dhe duke qenë se në këto hapësira votojnë edhe të vdekurit, nuk është e çuditshme pse për përcaktimin e kufijve shtetëror, varret e të ndjerëve janë po aq të rëndësishëm se shtëpitë e të gjallëve. Gjë që i bënë kufijtë shtetëror të këtyre hapësirave aq të paqëndrueshëm sa shumica e ballkanasve, në certifikatën e vdekjes, nuk e kanë emblemën e shtetit që ua ka dhënë certifikatën e lindjes. E madje edhe t’u ketë ndodhur që gjatë jetës të kenë pasur një përkatësi etnike, e pas vdekjes t’i kenë shpallur pjesëtarë të etnisë krejt tjetër.
Të gjitha këto të vërteta, si edhe shumë të tjera, i kanë detyruar popujt e Ballkanit t’i numërojnë jo vetëm të gjallët të mbetur jashtë kufijve të shtetit amë, por edhe të vdekurit. Siç ju ndodh kjo edhe bullgarëve dhe sllavo-maqedonasve të sotëm, por të cilët i dallon një e veçantë, siç është për shembull ajo që u ndodh në Shqipëri ku njëherë të numëruarit si bullgarë, të vijnë emisarët maqedonas e t’i numërojnë edhe si pjesëtarë të ‘vathës’ së vet.
E ndërkohë, thuajse të dy palët aspak nuk pyesin si ata i ka numëruar dhe si i numëron i ‘Zoti i shtëpisë’ – institucionet e shtetit Shqiptar dhe çka thonë numrat e regjistrimeve të dikurshëm të popullsisë në krahasim me ato të sotmit.
Shikuar nga këndvështrimi i të shkuarës dhe të sotmes, deri në Luftën e Dytë Botërore, thuajse asnjë banorë i Shqipërisë nuk është deklaruar si maqedonas, për dallim nga bullgarët që janë njohur si të tillë edhe në censusët e mëparshme. Në të vërtet, Rilindësit shqiptarë në shkrimet e tyre e kanë përdorur emërtimin “maqedonas”, por jo në kuptimin etnik, por në atë gjeografik. Në kuptimin etnik ai emërtim nisë të përdoret në Shqipëri e në viset tjera të Ballkanit pas ardhjes në pushtet të komunistëve.
Ndërkohë zyrtarë dhe studiues shqiptarë kanë publikuar të dhëna statistikore dhe hulumtime shkencore për prezencën e komunitetit bullgar në Shqipëri ndërmjet luftërave botërore. Si për shembull Teki Selenica (1882–1962), mbarështues i censusëve të para demografik të shtetit shqiptar dhe autor i vëllimeve “Shqipëria më 1923’ dhe ‘Shqipëria më 1927’, ku thotë se ‘prej 833.618 frymëve të popullsisë shqiptare, përveç 20.000 grekofonve të rrethit të Delvinës dhe të një pakiceje fare të vogël të bullgarëve në kufirin e Prespës, nuk kemi asnjë element të racës së huaj.”
Sipas Selenicës, grekofonët dhe bullgarët përgjithësisht nuk “kanë pasur as toka as shtëpi të tyre, por kanë qenë bujq në tokat e shqiptarëve të cilët i kanë sjellë së largu, për të punuar dheun e tyre në kohëra kur shqiptarët nuk mund të linin pushkën për të marrë kazmën në dorë.”
Edhe akademik Beqir Meta përmend komunitetin bullgar në Shqipëri në librin e tij “Minoritetet dhe ndërtimi kombëtar në Shqipëri 1912-1924”. “Një nga minoritetet e vogla të Shqipërisë është edhe minoriteti bullgar ose siç quhet sot, maqedonas. Ky minoritet banon në zonën e Prespës së Vogël…”
Sipas Beqir Metës, “historikisht, në të gjitha llojet e publikimeve dhe statistikave të huaja dhe shqiptare, theksohet prania e kësaj popullsie në përbërje të shtetit shqiptar”. Dhe “në të gjitha këto burime, gjer në vitin 1945, kjo popullsi është quajtur “bullgarofone”
Por si gjithmonë, burimet historike thuajse nuk vlejnë gjë për numëruesit e sotëm të popujve. Andaj mëkot Arqile Bërxholit thotë se në vitin 1913 brenda shtetit shqiptar ka pasur 4.932 bullgarofonë ortodoksë siç janë të kota edhe pohimet e Teki Selenicës se në vitin 1927 në Shqipëri ka pasur 6.655 të tillë, sepse ‘shkencëtarët’ e sotëm maqedonas pohojnë se në Shqipëri gjithmonë kanë jetuar vetëm maqedonas?!
Dhe kur i dëgjon përfaqësuesit maqedonas të pohojnë se bullgarët e dikurshëm të Shqipërisë në të vërtet kanë qenë maqedonas, edhe duke mos mbajtur anën e askujt, të ngjallet pyetja logjike: vallë gjyshërit e dikurshëm nuk e kanë ditur se kush janë, apo nipërit e tyre të sotëm kanë harruar se cilët kanë qenë gjyshërit e tyre.
(Nga dorëshkrimi ‘Shqiptarët dhe bullgarët me maqedonasit në mes’)