Kronika

Greqia, në kërkim të baronit shqiptar të drogës me lidhje politike

Pas publikimit të artikullit të bujshëm të së përditshmes greke “Kathimerini”, me titull “Kërkohet shqiptari trafikant i drogës, me lidhje politike në Shqipëri”, gazeta “Ethnos” e së mërkurës jep përmasa të reja për të ashtuquajturin kartel të drogës, që kanë shkatërruar organet greke para dy ditësh.

Në krye të këtij grupi, siç thekson “Ethnos”, gjendet një 44-vjeçar shqiptar që jeton në qytetin e Sarandës dhe që financonte, koordinonte, rekrutonte dhe udhëhiqte të gjithë rrjetin. Gazeta jep vetëm një inicial të emrit të tij, B. I ashtuquajtur edhe si baroni i drogës, ai bashkëpunonte me një shtetas grek, ndërsa rrjeti ka qenë i shtrirë në Bullgari, Austri, Belgjikë, Angli, Spanjë, Holande dhe Norvegji; vepronte prej vitit 2014 dhe trafikonte sasi të mëdha lëndësh narkotike nga Shqipëria për në Greqi, e më pas në këto shtete të Europës.

“Për sa i përket trafikimit të një sasie të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Europës Perëndimore, shtetasi shqiptar 44-vjeçar, me banim jashtë vendit, kishte rolin e sponsorit por edhe qendrën e transportit nga Shqipëria në Greqi dhe në Europë, nëpërmjet kamionëve apo me motoskaf në det, me bashkëpunëtor të drejtpërdrejtë dhe koordinator të transportit, të magazinimit të përkohshëm dhe trafikimit të mëtejshëm, një 46-vjeçar grek”, tha Christos Papazafiris, drejtori i Policisë së Athinës.

Siç bëjnë me dije mediet greke, baroni shqiptar i drogës, që vepron jo vetëm në Greqi, por edhe në vendet e Europës Qendrore dhe Veriore, është person me tepër peshë, i aftë të shkaktojë zhvillime politike në Shqipëri, ndërsa organet policore janë pranë arrestimit të tij.

Ngarkesa e fundit e rrjetit ishin 678 kg hashash, që kishin mbërritur me një motoskaf nga Shqipëria në ishullin e Zakinthos, siç përshkruajnë edhe hartat e policisë, dhe që atje droga do të çohej në Athinë, me destinacion përfundimtar kësaj here Oslon e Norvegjisë. Deri tani, policia ka arrestuar 15 persona, 13 grekë dhe dy shqiptarë, dhe ka sekuestruar përveç drogës edhe një motoskaf, tre kamionë në të cilët fshiheshin lëndët narkotike që më pas shkonin në Europë, 39 telefona celularë, një kompjuter dhe një sasi parash.

Burime policore theksojnë se, ende nuk është zbuluar i gjithë rrjeti dhe se hetimet po vazhdojnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button