Gruevski fajëson Zaev për dështimin e bisedimeve
Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel, që rezultuan pa marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Shkup, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, gjithë fajin për dështimin e negociatave e hodhi mbi liderin e LSDM-së opozitare, Zoran Zaev.
Gruevski tha se rivali i tij politik qëllimisht ka shtruar kërkesa të papranueshme për të pamundësuar arritjen e marrëveshjes dhe për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Një njeri që dëshiron marrëveshje nuk sillet si Zaev. Ai nuk dëshironte marrëveshje. Së pari, që të mos mbahen zgjedhje të parakohshme, pasi ai nuk ka mbështetje tek qytetarët dhe e dyta, ai dëshiron t’i shkaktojë sa më tepër dëm ekonomisë së vendit, pasi beson se përmes një kaosi të tillë, do të përfitojë politikisht. Këto janë qëllimet e tij”, deklaroi Gruevski.
Në bisedimet për zgjidhjen e krizës në Maqedoni që u zhvilluan me ndërmjetësim të komisionerit europian për Zgjerimin, Johaness Hahn, morën pjesë përveç Gruevskit dhe Zaev, edhe liderët e partive shqiptare, Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH.
Gjatë negociatave, që zgjatën më tepër 12 orë, liderët maqedonas nuk kanë lëshuar pe nga qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta. Kreu i opozitës maqedonase ka instistuar në formimin e një qeverie kalimtare dhe dorëheqjen e kryeministrit, kurse Gruevski ka refuzuar të heqë dorë nga posti i tij.
Në një reagim me shkrim të partisë opozitare LSDM thuhet se, gjatë bisedimeve në Bruksel nuk u përmbush kushti thelbësor për zgjidhjen e ngërçit, që sipas këtij subjekti, është formimi i qeverisë kalimtare pa Gruevskin kryeministër.
Më tej, në reagim thuhet se është e papranueshme që shkaktari i krizës, Nikolla Gruevski, të vazhdojë të drejtojë qeverinë që duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.