Hahn nxit Maqedoninë: Ecni me integrimin
Komisioneri Europian i Zgjerimit, Johannes Hahn e nxiti Maqedoninë të vazhdojë me reformat, duke ia bërë të qartë se nëse shënon përparim, atëherë Komisioni Europian do të jetë i gatshëm ta nxjerrë më herët nga sa parashikohet raportin për arritjet e vendit.
Baza kryesore për çdo plan të BE-së vazhdon të mbetet marrëveshja politike e Perzhinës e arritur korrikun e 2015-s mes katër partive të mëdha. Për këtë arsye, një ekip ekspertesh po qëndron në Shkup për të ndihmuar institucionet e vendit në zgjidhjen e problemeve rreth sundimit të ligjit.
“Nëse punët shkojnë mbarë, ne do të mund ta përgatisimin një raport pozitiv përpara prillit të vitit të ardhshëm”, sqaroi Hahn.
Edhe sipas shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, BE-ja e përshëndet fillimin e ri, angazhimin e fuqishëm dhe optimizmin lidhur me reformat që duan qytetarët e Maqedonisë.
Zv.Kryeministri Bujar Osmani, i cili në qeverinë maqedonase është dhe personi i ngarkuar me çështjet e integrimit europian, shprehu bindjen se pas krizës së rëndë politike, Maqedonia po kthehet sërish në rrugën e bllokut.
Zyrtarëve të lartë në Bruksel, ai iu shpjegoi se plani i ekzekutivit maqedonas mbi reformat është të arrihet konsensusi me të gjithë faktorët politikë me qëllim përshpejtimin e integrimit. Sipas Osmanit, ligji për përdorimin e gjuhës shqipe do të realizohet brenda njëqind ditëve të para të qeverisë.
Shkupi zyrtar shpreson ta marrë në fillim të vitit që vjen datën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian.