Haxhinasto inspekton mbikalimin e Shkozetit, projekti përfundon brenda marsit
Ministri i Trasportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektoi sot punimet për ndërtimin e mbikalimit në Shkozet, pjesë e projektit për bypass-in e Durrësit.
“Puna ka ecur me ritmet e pritshme. Ky projekt po realizohet me standardin dhe cilësinë e kërkuar nga ne dhe duket se do të kemi gati në fund të këtij muaji përfundimin e punimeve në këtë nyje kaq të rëndësishme. Përfundimi i mbikalimit të Shkozetit do t’i japë rrjedhën e duhur qarkullimit rrugor” – tha Ministri Haxhinasto.
Në vijim ai theksoi: – “Ju kërkoj gjithë kontraktorëve të punojnë me ritme të shpejta në akset kryesore në vend, të jemi gati për sezonin turistik, por pa anashkaluar standardin dhe cilësinë, 2 prioritetet tona në ndërtimin e veprave”.
Ky mbikalim është një investim prej rreth 8 milionë euro dhe përfshin edhe kolektorin e ujërave, me gjatësi 1.5 kilometra në Durrës në zonën e Plepave. Projekti pësoi ndryshime gjatë vitit 2014-të duke shtuar edhe gjelbërimin dhe nga afati 22 mujor i parashikuar në kontratë realizimi i tij do të jetë brenda një afati 16 mujor.