Kronika

Hetim bankave të nivelit të dytë për nxjerrjen e parave nga Thesari

Prokuroria

Grupi hetimor dyshon se transportuesit e lekëve të vjetra bashkëpunuan me të arrestuarit

prokuroria-e-tiranesProkuroria ka ngritur dyshimet se në skemën e vjedhjes së 7 milionë dollarëve nga Thesari i Shtetit janë përfshirë edhe punonjës të bankave të nivelit të dytë. Prokuroria mendon se të përfshirë në aktivitetin kriminal nuk janë vetëm dhjetë personat e arrestuar, kështu që njësia hetimore Task-Forcë e ngritur për këtë çështje, ka kërkuar ekspertimin e firmave të disa procesverbaleve dhe mandatpagesave të dorëzimit të lekëve nga bankat pranë Thesarit të Shtetit.

Mandatet false

Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se dyshimet se këto procesverbale dhe mandatpagese mund të jenë falsifikuar janë ngritur nga prokuroria, pasi pjesa më e madhe e punonjësve kanë deklaruar se ushtronin funksionin e tyre, pa pasur asnjë rregullore të brendshme. Nisur nga kjo situatë, prokuroria ka ngritur dyshime se pjesë e skemës së vjedhjes së parave nga thesari, mund të jenë bërë dhe disa punonjës të bankës. Bëhet fjalë për punonjës që kryenin dorëzimin e lekëve të vjetra dhe më pas tërhiqnin të njëjtën shumë të dorëzuar, por këtë herë kartëmonedha ishte e re. Për prokurorët ky proces ka vend për t’u verifikuar, pasi dyshohet se është bërë në mënyrë të paligjshme dhe që mund të ketë sjellë vjedhjen e shifrës prej mbi 7 milionë dollarëve nga Thesari i Shtetit. Po ashtu e dyshimtë është edhe skema e dorëzimit të parave nga punonjësit e bankave të nivelit të dytë në arkat e Thesarit të Shtetit. Sipas të dhënave, fakti, se vetë punonjësi i bankës paraqitej në thesar dhe dorëzonte kartëmonedhat e nxjerra jashtë tregut, ka shumë mundësi që të ketë ndikuar dhe në gjetjen e një gjuhe të përbashkët me punonjësit e tjerë të thesarit, me qëllim nxjerrjen e lekëve nga muret e godinës së koduar “X” në Linzë. Sipas prokurorëve, të gjitha makinat e bankave të nivelit të dytë, hynin brenda në ambientet e Qendrës së Emisionit të Parasë, prej nga më pas dorëzonin dhe tërhiqnin të njëjtën shumë të dorëzuar të parave. Për këtë arsye, grupi hetimor ka nisur verifikimet e procesverbaleve dhe mandatet e pagesave, pasi mendohet se janë falsifikuar.

Si funksionon

Prokurorët ngrenë dyshimet, duke marrë për bazë një skemë, që sipas tyre ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Ata mendojnë se punonjësit e bankave mund të kenë pranuar të bashkëpunojnë, duke falsifikuar shifrat. Sipas dyshimeve, punonjësit e bankës mund të kenë bërë sikur kanë dorëzuar 50 milionë lekë në arkën e Thesarit të Shtetit, duke firmosur dhe mandatet e dorëzimit, por në bashkëpunim me punonjësit e kësaj arke, paratë janë kthyer sërish mbrapsht në makinën e bankës. Ky proces mund të jetë kryer dhjetëra herë, duke marrë jo vetëm paratë e vjetra por edhe ato të reja, gjithmonë duke bashkëpunuar mes punonjësve të Thesarit dhe atyre të bankave të nivelit të dytë. Për të verifikuar këto dyshime, rreth bashkëpunimit ose jo mes punonjësve të bankave dhe atyre të Thesarit të Shtetit, Prokuroria e Tiranës është duke verifikuar me imtësi aparatet telefonikë të të arrestuarve si dhe tabulatet e thirrjeve telefonike.

Hetim pa policë

Vjedhja e Thesarit mbetet një ndër çështjet më të bujshme të viteve të fundit dhe për këtë arsye, për hetimin e saj janë përfshirë disa prokurorë. Madje, Policia e Shtetit nuk ka qenë e përfshirë thuajse në asnjë moment. Që nga dita e parë, deri tani, çdo gjë është përqendruar në duart e Prokurorisë. Grupi i prokurorëve për hetimin e çështjes së Bankës së Shqipërisë nuk i ka deleguar Policisë së Shtetit shqiptar asnjë veprim për të kryer, duke e bërë tërësisht këtë hetim të vetin, e duke mos e përfshirë atë në hetim. Në praktikën e konsoliduar prej vitesh të çështjeve të tilla, prokuroria urdhëron hetime në bazë të ligjeve në fuqi, ndërsa një pjesë të hetimeve dhe veprimeve i kryen Policia e Shtetit. Por, këtë radhë, organi hetimor nuk ka dashur të ndjekë procedurën standard. Ajo ka vendosur t’i marrë përsipër vetë të gjitha veprimet e hetimit, provat, marrjet në pyetje dhe vendimet për arrestim, duke mbyllur çdo veprim vetë dhe duke i lënë policisë vetëm ekzekutimin e urdhër-arresteve për llogari të prokurorit të çështjes. Pavarësisht se kjo procedurë shihet si një anashkalim i policisë në këtë çështje, kjo mënyrë e zgjedhur nga Prokuroria nuk shkel asnjë ligj në fuqi, por është thjesht një zgjedhje e dytë e veprimeve procedurale të kryera në hetime të tjera. Pavarësisht se një zgjedhje e tillë e prokurorëve nuk cenon as bashkëpunimin mes dy organeve, përjashtimi i policisë ngre disa pikëpyetje. Specialistët mendojnë se policia duhej të përfshihej në veprimet procedurale, për aq sa i takon me ligj, jo vetëm për t’i dhënë një ndihmë më të madhe hetimit dhe për të shkurtuar kohë në kryerjen e këtyre veprimeve, por edhe për të garantuar transparencën e rezultateve, që do të prodhonte në fund hetimi. Ble. Gi.

Skema

Prokuroria dyshon se kundrejt përfitimeve, punonjësit e bankave të nivelit të dytë kanë falsifikuar mandatet dhe procesverbalet

Verifikimi

Grupi hetimor do të bëjë ekspertim të firmave në mandate, por po verifikon edhe tabulatet e telefonave të punonjësve të arrestuar

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button