Kronika

Hidhet shorti në GJKKO/ Gjyqtar i Fatmir Mediut caktohet Erjon Çela

Dosja Gërdeci është rihapur dhe GJKKO, me short, ka vendosur që gjyqtar i politikanit, Fatmir Mediut të jetë caktuar Erjon Çela.
Në fillim të muajit qershor, Gjykata e Lartë vendosi revokimin e vendimit që pengonte gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit.

Pritej vendimi i Gjykatës së Posaçme nëse do të linte në fuqi vendimin e 2009, apo do të çonte çështjen për gjykim. Ndërkohë avokati mbrojtës i tij, Ardian Visha, kohë më parë i tha Top Channel se mundësitë për ta rihapur çështjen janë zero sepse gjykata e posaçme e shkallës se parë nuk mund të prishë një vendim të gjykatës së Lartë që në këtë rast është vendimi i pushimit të 2009.

Tashmë që çështja u rihap Mediu do të gjykohet në bazë të postit si ish-ministër që ka mbajtur, ndërkohë që tashmë ai nuk gëzon më as mandatin e deputetit, pas daljes së opozitës nga Parlamenti.

Çfarë thotë Zamira Durda, gruaja që humbi djalin 6 vjeç

Nëna e një prej 26 viktimave, Zamira Durda, e cila humbi djalin 6 vjeç në këtë shpërthim ka bërë vazhdimisht thirrje që të mos zvarritet ky proces.

Teksa endej dyerve të gjykatave pasi ishte e zhgënjyer për sistemin e drejtësisë, Durda shprehej: “Nuk mund ta duroj një gjë të tillë. Qëndrimi i gjykatës është i tmerrshëm dhe kjo nuk mund të durohet. Haram i qoftë buka që ha dhe paga që merr. Do ta ndjek çështjen edhe në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se nuk kam shpresë. Nuk dua dëmshpërblim, dua drejtësi, dua të di pse nuk jeton më djali im”.

Ndërsa pushimin e çështjes e cilësoi si korrupsion.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme vlerësoi se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë duke sqaruar se pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Në njoftimin zyrtar, pak kohë më parë, thuhej se Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Fatmir Mediut, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj tij, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

Para zgjedhjeve të 25 prillit, Geraldo Durda, i cili humbi të vëllanë në tragjedinë e Gërdecit tha se drejtësia është e vonuar dhe se ish funksionarët e shtetit që duhet të mbanin përgjegjësi ishin pjesë e listës për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij, Fatmir Mediu ish ministri i Mbrojtjes që ka firmën e tij në atë që ndodhi në Gërdec, nuk duhet të jetë listën e kandidatëve për deputetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button