“Hienat” impresionon Londrën, filmi me aktorë dhe mafiozë shqiptarë
I konsideruar nga kritika si nga filmat e fuqishëm me temë krimin, filmi “Hiena”, është një thriller policor në qendër të së cilit janë policët e korruptuar, droga, jeta e natës në Londër si dhe lidhjet e mafiozëve, trafikantëve dhe konkurrenca e pamëshirshme mes tyre.
Jo pak herë mafia shqiptare është bërë pjesë e skenareve të filmave të njohur të Hollywoodit, por këtë radhë “mafiozët shqiptarë” kanë depërtuar edhe në Britaninë e Madhe dhe janë edhe më origjinalë, pasi në këto role luajnë aktorë shqiptarë.
Bëhet fjalë për një thriller policor britanik të quajtur “Hiena”, me regji të Gerald Johnson dhe që aktualisht po shfaqet në kinematë e Londrës.
Në këtë film ku vlen për t’u veçuar pjesëmarrja e disa aktorëve shqiptarë, rolin e një prej vëllezërve mafiozë Kabashi e luan Orli Shuke, i biri i aktorit të njohur tek komedia “Shi në plazh”, të ndjerit Agim Shuke, ndërsa gruaja e tij luan po në këtë film në rolin e Nikolës. Vëllain tjetër Kabashi e luan sërish një aktor shqiptar dhe bëhet fjalë për Xhevat Kelmendin.
Filmi është vlerësuar pozitivisht nga kritika, ndërsa për të vlerësime ka pasur edhe nga gazetat “The Guardian” apo “Independent”. Sipas këtyre gazetave prestigjoze roli i vëllezërve Kabashi kështë cilësuar nga britanikët si “një performancë e paharrueshme dhe jashtëzakonisht e besueshme”.
Filmi bën fjalë për një njësi policie anti-drogë në në Londër, i drejtuar nga detektivi Michael Logan. Ky i fundit është ndërmjetësi mes mafias shqiptare dhe asaj turke për të mbyllur marrëveshjet më fitimprurëse në favor të tij, madje edhe ai dhe ekipi i tij shijojnë edhe vetë drogën si dhe investojnë edhe vetë në trafikun narkotik.
Megjithatë ky aktivitet komplikohet nga një bande e re shqiptare, me në krye vëllezërit Kabashi. Ata janë një brez i ri kriminelësh të dhunshëm, që nuk kursejnë asgjë në metodat e tyre për kontrollin e këtij biznesi. Këtu nis edhe konflikti mes policëve të korruptuar dhe bandës së re të mafiozëve shqiptarë të etur për gjithnjë e më shumë terren dhe pushtet në Londër.