Ekspozita

Hila dhe Paci çojnë të ardhmen imagjinare në Londër

Ekspozita “Monumentet e mundshme të parealizuara të së ardhmes” zhvendoset sot nga Venecia në kryeqytetin anglez

okokok9_1Në hapësirën përpara AA School të Arkitekturës, në Bedford Square në Londër, një kolonë e stilit grek, bri stilit viktorian të bën të ndalesh gjatë. Kjo vepër është realizuar në një anije fabrikë, në udhëtim e sipër. Rreth 25 artizanë kinezë sipas porosisë së artistit shqiptar, Adrian Paci, gdhendën kolonën e stilit grek, në një bllok mermeri në një udhëtim 25-ditor drejt Europës. Të gjithë këtë proces artisti e fokusoi në një video të mbarsur me tone ironike, ku objekti ikonë e arkitekturës europiane ndërtohej nga punëtorë aziatikë brenda afatit të dorëzimit në Europë. Një video që të bën të mendosh gjatë mbi atë çfarë ka sjellë sot në treg ekonomia globale. Nuk është hera e parë që Paci bën zgjedhje elegante për të treguar fenomene të së tashmes. Gjuha e komunikimit që ai zgjedh mes punëve të tij dhe publikut është përmes elementëve që tashmë personifikojnë atë si artist. I ndjeshëm, por dhe edukues Paci bën një art që kërkon t’i flasë së tashmes. Në Shkollën e Arkitekturës AA në Londër, vendosja e kolonës ka zgjuar herët kureshtjen për ekspozitën që do të hapet sot në këtë Galerinë e kësaj shkolle të njohur. Pavijoni shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia sot zhvendoset në kryeqytetin anglez. “Monumentet e mundshme të parealizuara të së ardhmes” quhet ekspozita që do të prezantojë punët e dy artistëve të njohur shqiptarë Edi Hila dhe Adrian Paci. E kuruar nga Jonida Turani dhe Stefano Rabolli Pansera ekspozita do të mbajë të njëjtat punë që prezantuan pavijonin shqiptar në edicionin e 14-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia më 2014. Ekspozita hulumton modernizmin, se si mund të përthithet përmes një reflektimi dinamika sociale dhe kulturore. E ardhmja është e parealizuar, konsideruar premtime të modernitetit. “Kolona” e Pacit i ngjason një përralle vizionare për delokalizimin e punës, transformimin e traditave dhe ballafaqimin mes kulturave, një metaforë e fuqishme vizuale dhe bukuri enigmatike. “Në mendjen time filloi të merrte formë imazhi i një skulpture mermeri, gdhendur gjatë një udhëtimi në oqean. Kështu vendosa ta kthej këtë imazh në realitet”, do të shprehej Paci para udhëtimit drejt Venecias. Ndërsa kolona shihet në hapësirën përpara Galerisë, brenda saj në një video, publiku ka mundësi të njihet me procesin e ngjizjes së saj. Por zgjedhja e një artisti si Edi Hila, për të prezantuar Shqipërinë në Venecia nuk është një zgjedhje e pamenduar. Hila është një nga përfaqësuesit më të denjë të artit pamor para dhe pas viteve ’90. Ati shpirtëror për dhjetëra artistë që i janë bashkangjitur botës së artit. “Shtresat”, titulloheshin tablotë e tij, që zbuluan “ndërtimet e paligjshme” në një hapësirë sociale. “Piktura ime buron nga një realitet shumë kompleks, politik, social e të tjerë. Pra nuk do të isha i vërtetë jashtë këtij konteksti. Shoqëria shqiptare po kalon momente të vështira tranzicioni, e për këtë arsye është një burim pafund problemesh, situatash që zhvillohen në një sfond tepër ekspresiv, me ngarkesa të forta emocionale. Prandaj jam i interesuar të marr pjesë në zbulimin, analizën dhe renditjen e këtyre fakteve, gjithmonë në shërbim të shprehjes artistike, për të krijuar një art që në bazën e vet udhëhiqet nga e vërteta”, do të shprehej për punët e tij Hila. Gëzim Qëndro, njohës i mirë i pikturave të Hilës do t’i quante veprat e Hilës me këto subjekte si imazhe të sinqerta dhe të ndershme të periudhës kur Shqipëria prej vitesh qëndron në pragun (limen-in) që e ndan të kaluarën nga e ardhmja europiane. “Janë imazhe të zymta shpeshherë, por të vërteta, të zgjedhura nga dikush që duke treguar mjerimin e këtij realiteti nuk merr pozat sipërane apo ironike të qytetarit ndaj barbarit, ndonëse në to ndien se ka revoltë të brendshme për këtë gjendje. Jemi mësuar të themi se në veprën e artistit ndien edhe optimizmin se kjo gjendje do të ndryshojë. Për hir të së vërtetës më duhet të them se në këto tablo nuk gjej asnjë shenjë të tillë, asnjë shpresë se do të dalim ndonjëherë nga faza liminale, nga ky tunel në të cilin ecim pa e parë dritën e daljes prej më shumë se njëzet vitesh. Na mbetet vetëm të shpresojmë që intuita e pagabueshme e artistit të paktën këtë radhë të gabohet dhe se trishtimi i rafinuar, padukshmëria strukturore dhe zbrazëtia ludike e realitetit tonë që përcjellin këto tablo pas disa viteve të mbetet një kujtim i largët i së shkuarës”, thotë Qëndro. Gjatë qëndrimit në Bienalen e Venecias pavijoni shqiptar u prit mirë nga kritika. Revista të njohura në botën e artit i kushtuan vëmendje prezantimit të dy artistëve shqiptarë. “Gjëja e veçantë dhe e jashtëzakonshme e Shqipërisë është se në çdo kohë, ajo ka lënë gjurmë të forta, por që vërtet asnjëherë të përmbushura e të përmbyllura. Artistët tregojnë sesi kjo situatë, që për shumë sy europainë mund të duket një dizavantazh, përbën një mundësi për të krijuar potenciale, si një instrument kryesor për të imagjinuar arkitekturën në shekullin e 21-të”, shprehej një prej kuratorëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 12 mars 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button