Kryeartikull

Hiri i drejtësisë shqiptare

Nga Illo Foto

Shteti dhe drejtësia kanë shenjën e barazimit. Kombet e përparuar kanë histori disashekullore të drejtësisë së tyre. Kanë bërë riparime të shtetit, por karkasa është ruajtur e paprekur.

Mjafton të përmendim që Gjermania, Japonia, Italia i ruajtën konturet e shtetit të shpartalluar por jo të zhdukur në Luftën e Dytë Botërore. Shtetet e tyre u ngritën në këmbë, të tromaksur por vitalë, duke  zënë vendet e renditjes tradicionale të paraluftës. Kësaj ngritjeje i parapriu drejtësia.

Shqipëria e vogël në 1944-45 ndërtoi një shtet nga shtetarë anonimë, mbi tokën e djegur që la lufta.

Në vitet 1990-92, historia i diktoi Shqipërisë të ngrihej shteti i demokracisë liberale. Natyrisht  ky shtet nuk do ruante fizionominë e shtetit paraardhës. Duhej thyer ajo makineri. Dolën në skenë shtetarë më anonimë se ata të 1945, që paralelisht rindërtuan edhe vendin e djegur. Shtetarët e vitit 1990, me urën e zjarrit kthyen në hi vendin dhe shtetin paraardhës! Nuk mbeti gur mbi gur. U konkretizua teoria zero, sipas ideologjisë së profesor Pashkos. Pastaj iu kthyen klasës tekniciene. E dënuan me uri kronike, e lanë pa punë. Për ata që kanë jetuar atë periudhë e dinë ç’donte të thoshte ndërprerja e një dite rrogë.

Ç’ndodhi me drejtësinë e asaj kohe dhe deri më sot, do mundohem ta paraqes shkurt si bashkëjetues i dy regjimeve dhe si ushtrues i profesionit të gazetarit për gati 60 vjet.

Strukturat e shtetit të ri u ngritën dhe filluan të punonin si ingranazhe pa lubrifikim. Në ç’do segment të shtetit ndërhyhej energjikisht, për të ngritur një organ të ri me fytyrë të bojatisur.

Ta themi troç, ndërtimi i shtetit vijon t’i kushtojë shumë gjak dhe sakrifica shqiptarëve. Asgjë s’ka gjetur karar, për një çerekshekulli: As prona, as puna, as siguria dhe më e vuajtura  mbetet drejtësia, e sëmura kronike.

Në këto 25 vjet nuk ka pasur asnjë reformim, veç beteja e fituar nga Saliu me drejtësinë e rreckosur. Nënshtrimi i kësaj pseudo drejtësie dhe rrënjosja e kulturës së mosndëshkimit të fajtorit, shpikja e fajtorëve pa faj… Kulmi arriti kur Saliu nuk i dorëzoi organeve hetimore të  shtetit gjeneral Prendin dhe gardistët që vranë protestuesit përpara zyrës së tij Kryeministrore. Një drejtësi të tillë, për herë të parë e provon shteti shekullor shqiptar.

Shteti paraardhës nuk kishtë drejtësi klasike, por kishte juristë. Drejtësia ishte e deformuar  vetëm për penalizime politike, pjesa tjetër funksiononte normalisht. Sot Drejtësia është vetë kartë e djegur, ngritur në një tokë të djegur dhe të zhuritur. Ky parafytyrim na vjen shumë  afër nga deklarata e Lulzim Bashës, që e kushtëzoi miratimin e reformës me djegien e mandateve. Do të mbetet vetëm hiri. Prapë zjarr e hi! Hiri nuk është pa rëndësi. Hiri është perandor i asgjësimit, fundi i jetës organike.

Sado që Drejtësia konsiderohet e pavarur, nuk mund të jetë hyjnore. Atë e bëjnë njerëzit, por njerëzit pa vese, me karakter të fortë, të ditur, me përvojë njerëzore e profesionale. Nuk mund të bëjnë drejtësi njerëz të varur nga vesi dhe veçanërisht nga politika. Duhet të pranojmë se jo të tërë plepistët janë të tillë. Shumë paradoksal mbetet vasaliteti i organeve të larta të drejtësisë, brenda qeverisjes së majtë të këtij mandati. Vegjetojnë prokuroria, shërbimi informativ dhe Presidenca, që përfundojnë te “Lajmëtari digjital”. Drejtësia paska  vetinë të funksionojë si shtet brenda shtetit, por që vetëm shtetit nuk i shërben. Nuk besoj se do ketë shtet normal në botë, që të lejojë një vasalitet të tillë me rrezikshmëri të lartë, siç është boshti Presidencë-prokurori i këtij mandati presidencial shqiptar.

Kur triumfoi demokracia, ne kishim një fakultet juridik me përvojë gati 40 vjeçare. Ishin përgatitur juristë të rinj, që kur erdhi puna drejtuan lëvizjen demokratike të 1990. Kishte dhe juristë që kishin mbaruar jashtë shtetit. Nuk ekzistonte krejt vakum. Jetonte aktivisht një shtresë juridike të cilës mund t’i besohej për një drejtësi me fizionomi demokratike të nivelit bashkëkohor. Pikërisht kësaj shtrese nuk iu besua.

Kjo shtresë dijetarësh u anashkalua nga liderët politikë të kohës. Bashkëgjimnazisti im,  Kleanthi Koçi, që e vrau drejtësia e leckosur, më pat thënë se institucionet e drejtësisë pas  vitit 1992 iu besuan njerëzve, që vetë ata nuk e dinin pse ishin ulur në një poltron të tillë. Nuk dinin si ta administronin detyrën. Në postet drejtuese, spjegonte Profesori, duhet të kesh  jo vetëm aftësi, por përvojë dhe fantazi. Mund të bjerë zjarr, vijonte ai, të djeg pyllin, shtëpinë, por nuk të prek diturinë.

Juristëve të vjetër ju shpall luftë e hapur si gjoja njerëz që i kishin sjellë të tëra të këqijat ish Shqipërisë komuniste. Profesorët, doktorët e jurisprudencës, gjyqtarë dhe prokurorë pa dallim u dënuan me vdekje të ngadaltë.

Regjimi diktatorial krijoi kodet e veta, simbas shembullit eurolindor. Por shqiptari nuk ka jetuar në anarshi dhe konfuzion ligjor. Do t’u sjell pak shembuj.

Drejtësia nuk mund të mbronte një të akuzuar për agjitacion, sabotim, veprimtari armiqësore, por për probleme të tjera juristëve shqiptarë u hiqje kapelen. Po ju përmend disa nga këta juristë, që krijuan një traditë juridike brenda diktaturës: Kleanthi Koçi, Koço Dilo,  Sofokli Papajani, Sofokli Kongo, Sinan Baboçi, Zamir Shtylla etj, që kanë qenë afër popullit  dhe larg ligjeve staliniste.

Prokurori i Lushnjës, Nestur Cani dhe ish Kryetari i Degës së Brendshme, Muhamet Kapllani, kanë anashkaluar disa urdhra arrestimi të dhëna publikisht nga Sekretari i Parë i rrethit, që ishte eprori i tyre direkt. Bashkëkohësit e dinë se ç’do të thoshte në atë kohë të mos  zbatoje urdhrin epror. Juristët e ndershëm nuk kishin gjë të përbashkët me kryesuesit e  gjyqeve të jashtëzakonshme Shuaip Panariti, Bedri Spahiu, Josif Pashko, dhe disa ushtarakë që mbetën përfaqësues të ndëshkimit politik.

Po përmend një shembull të dlirë. Kur ushtroja detyrën e përgjegjësit të ekonomisë në  sektorin Plug Lushnje, më vjen një ekip i drejtësisë së rrethit, ku bënin pjesë zv.prokurori  Fatbardh Spahiu, gjyqtari Selami Jonushaj etj. Më thanë se kanë një program për të shqyrtuar  disa vepra të mbetura në dosjet e prokurorisë, ku ishin zhvilluar gjyqe pa arritur vendim përfundimtar. Kjo sepse ishin masa ndëshkimore që tejkalonin shumë të ardhurat familjare mujore, për dëmtimë të pasurisë së përbashkët. Ishin mbi 100 dosje që fillonin me akuza zhdëmtimi 2 rroga dhe mbaronin me 7 sosh.

Ata e vunë re habinë time dhe më pyetën: Ti nuk e ke problem këtë çështje, që shqetëson  Partinë? Unë u habita se si ai shtet, që nuk të falte gramin, kishte ardhur të falte 100 fukarenj.

Ju thashë se e kam shumë problem, sepse janë brigadierë, mekanike, blegtorë, magazinierë, që më shumë e kanë mendjen te gjyqi që vijon me vite, sesa te puna. Ky veprim do  t’i çlirojë nga një barrë e rëndë emocionale. Ata dosjet i mbyllë me përgjegjësi profesionale.  Më thanë se janë duke zbatuar një politikë penale për njerëzit që kanë gabuar në shumicën e rasteve pa dashje.

Profesionistët edhe në diktaturë, gjejnë hapësira ku depërton drita e drejtësisë.

Shqipëria dhe Diaspora kanë mjaftueshëm juristë që e duan Shqipërinë pa interesa pasurore. Shqipëria është e shqiptarëve, rastësisht u ndodh në dorën e horrave këtë çerekshekullin e fundit.

Në shtetin ligjor platformat e zgjedhjes së njerëzve të drejtësisë fillojnë në bangat e shkollës, për të përfunduar në specializimet e larta. Në këtë përzgjedhje karakteri i njeriut shkrihet me bagazhin shkencor që të siguron arsimi profesional. Përpara se të bëhesh jurist, duhet të jesh njeri i përkushtuar për njerëzit dhe i papajtueshëm me krimin. Një nga krimet  më të rënda është kapja politike e drejtësisë.

Juristët e shkëlqyer profesionalisht dhe të ndershëm moralisht, gjenden midis popullit, në  Atdhe e Diasporë. Këta do të jenë prekursorët që do ta ngrenë drejtësinë nga hiri.

*NY – Qershor 2016

Related Articles

Nje koment

  1. Shqiperia eshte nje pyll dhe gjykatesit dhe prokuroret jane kafshe si Sali berisha.SHBA BE te sjellin NATO dhe FBI ne Tirane per te vrare kafshet dhe kopene e sali berishes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button