Film

Historia e artistëve të rinj, në një film

Dritan Mesareja dhe Julian Canameti së shpejti nisin xhirimet e filmit “Hija e diellit”/ Historia e dy artistëve të rinj që bëjnë gjithçka për të realizuar filmin e tyre të parë, do të rikthejë në kinema Eva Alikajn

Ata janë dy shokë fëmijërie, njëri regjisor e tjetri aktor, që nisen të realizojnë filmin e radhës. Ardhja në jetë e një fëmije do të prishë padashur miqësinë e tyre, por një arsye tjetër më e fortë i bashkon sërish. Dritan Mesareja dhe Julian Canameti kanë zgjedhur një histori që nuk ndryshon shumë nga jeta e tyre për ta sjellë në një film me metrazh të gjatë që pritet të nisë xhirimet në muajin shtator. “Hija e diellit” do të jetë një film me skenar të Dritan Mesarejës dhe regji të Dritan Mesarejës dhe Julian Canametit. Të dy shokë që nga koha e studimeve në degën e regjisë në Universitetin e Arteve janë bërë bashkë në këtë projekt që nga subjekti i zgjedhur duket se sjell aventurën e vërtetë të artistëve të rinj në Shqipëri. “Në pamundësi për të bërë të dy nga një film, mblodhëm forcat për të realizuar ‘Hija e diellit’”, thotë Mesareja. Udhëtimi i dy artistëve të rinj nisi nga mbështetja që i dha Qendra Kombëtare Kinematografike skenarit të këtij filmi. Kaq do të mjaftonte që dy djemtë të nisin një aventurë të vërtetë për të ngritur buxhetin mbi të cilin do të operojë ky prodhim kinematografik. Por historia që ata kanë zgjedhur për ta ekranizuar nuk ngjason me historitë e prodhimeve kinematografike të viteve të fundit. Dy djemtë besojnë se kinemaja bëhet më e bukur kur tregon ngjarjet reale nga jeta dhe ne sjellin në film historitë që mungojnë. Pasi jeta duket se është ajo që i ka munguar kinemasë së këtyre dekadave të fundit, jeta e zakonshme me të gjitha problematikat apo momentet e bukura që mbart. Subjekti i tyre nuk ka të bëjë as me emigracionin, komunizmin, apo prostitucionin. Mesareja është ulur dhe ka shkruar një skenar ku personazhi kryesor duket se i ngjan përpjekjeve të tij për të ecur në rrugën e kinemasë. Ai ka shkruar një skenar për të gjithë ata që besojnë tek ëndrrat, duke u dhënë një mundësi që t’i ndjekin ato. Në role kryesore në këtë film do të interpretojnë aktorët Eva Alikaj dhe Vladimir Saliu, ndërsa dy regjisorët janë ende duke zgjedhur kastin tjetër të aktorëve që do t’i bashkohen këtij realizimi. Personazhet kryesore në këtë film do të jenë Tani dhe Juli, dy miq të ngushtë fëmijërie. Juli është një regjisor i përkushtuar, i martuar me gruan shtatzënë, ndërsa Tani aktori i tij i preferuar. Tani punon në një fermë kuajsh pronë e zotit Frederik të trashëguar brez paz brezi. Ai është i pasionuar pas kuajve dhe merret me gara me pengesa ku ka dalë dhe dy herë rresht kampion. Të dy djemtë po mundohen të çajnë në rrugën e filmit. Kanë bërë shumë filma, spote dhe po tentojnë të kontaktojnë me biznesmenë të ndryshëm në qytet. Niveli i biznesmenëve lë shumë për të dëshiruar, gjë që i çon djemtë të mos puqen me asnjërin prej tyre për sa i përket ndonjë projekti të ardhshëm. Juli dëgjon për një mit të vjetër “Malin e reve”, ku një plak Viktor Branko jetonte i vetëm aty. Juli bën çmos t’i mbushë mendjen Tanit që të shkojnë te “Mali i reve” pasi ky film do t’i bënte të pasur e të famshëm. Në fund Tani pranon dhe aventurës së tyre i bashkohet dhe një kinez që do të xhirojë. Udhëtimi i tyre drejt malit shoqërohet me situata komike, pasi kinezi nuk di as shqip, as anglisht. Një ditë, në duart e një biznesmeni, Robert Mars, bie një DVD ku janë filmat dhe spotet e dy djemve. Ai i sheh dhe i vlerëson duke kërkuar të kontaktojë me djemtë. Gjatë udhëtimit për tek “Mali i reve” dy djemtë ndalojnë te shtëpia e Eva Alikajt e cila është mikeshë e Julit. Ajo është një skenariste që jeton me vajzën e saj 20-vjeçare që vuan nga leucemia. Pas shumë përpjekjesh djemtë arrijnë tek “Mali i reve” … Një subjekt i cili kërkon të tregojë përpjekjet e dy artistëve të rinj jo vetëm për të realizuar një film, por dhe për të prekur ëndrrën e tyre. Një histori e marrëdhënieve të thjeshta njerëzore, siç është dhe personazhi që do të interpretohet nga Eva Alikaj, marrëdhënia e saj me vajzën e sëmurë, dhe drama e jetës. “Skenari ‘Hija e diellit’ është bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe realisht mbi historitë dhe përpjekjet tona që nga mbarimi i shkollës para katër vitesh dhe deri sa arritëm që të gjithë këtë përpëlitje prej 1460 ditësh ta tregojmë patjetër duke e bërë film, sepse nuk duhen mbajtur mend ditët, por momentet që kemi kaluar, duke dhënë shembullin e mirë të pasionit dhe të sakrificës dhe se asgjë nuk do të na ndalojë që pas këtij filmi të bëjmë filmin tjetër…….sepse nuk dua të vdes pa lënë shenjë dhe se nuk mund të jetoj dot pa bërë filma”, thotë Mesareja. Tashmë skenarit të këtij filmi i janë bashkuar dhe dy producentë të lirë, Sokol Guri, rezident në Nju Jork dhe Armir Zhugri rezident në Bolonja, të cilët e kanë ngritur buxhetin në mënyrë të konsiderueshme, pasi një pjesë e filmit do të xhirohet në Toskana dhe Pulia. Prej disa ditësh, dy artistët kanë nisur dhe një fushatë në Kickstarter në SHBA për të rritur buxhetin. Kickstarter është një platformë online ku aplikohen projekte që nga filma, art, muzikë, lojëra, teknologji etj. Që nga viti 2009, kur është krijuar Kickstarter, ka financuar 86,000 projekte me rreth 1.8 miliardë USD nga 8.8 milionë njerëz të cilët financuan vullnetarisht duke i dhënë jetë ëndrrave të atyre që kanë aplikuar. Mesareja dhe Canameti duket se do ta zhvillojnë skenarin e filmit jo vetëm në xhirime por edhe në jetë, pasi ashtu si dy personazhet që duhet të bëjnë çdo gjë për të xhiruar në “Malin e reve” ashtu dhe ata duhet të bëjnë çdo gjë për t’i dhënë jetë këtij filmi. Ata nuk duhet të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjekin rrugën e personazheve që i kanë krijuar vetë…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button