IntervistaPolitika

Holanda: Reformë e thellë në drejtësi. Dekriminalizimi? Po presim…

Komuniteti holandez që jeton dhe punon në Shqipëri, në ambientet e rezidencës të ambasadës holandeze, festoi Ditën e Mbretit, një festë e rëndësishme në kalendarin e vendit të tulipanëve.

Pak përpara ceremonisë festive  Dewi van de Weerd, ambasadore e Mbretësisë së Holandës në Shqipëri dha një intervistë për Top Channel.

Me ambasadoren Dewi van de Weerd bisedoi gazetari Muhamed Veliu.

Top Channel: Cili është perceptimi apo vlerësimi Holandës për Shqipërinë në lidhje me 5 prioritetet, e në veçanti reformën në drejtësi?

Ambasadorja holandeze: Unë mendoj që qeveria aktuale po tregon se është duke i marrë me seriozitet reformat. Kanë paraqitur një projekt të gjerë për reformën në drejtësi dhe unë mendoj se ka ardhur koha, madje Shqipëria është e gatshme të ndërmarrë një reformë serioze në sistemin e drejtësisë. Merr një rëndësi të posaçme gjithpërfshirja e instucioneve. Jam disi e shqetësuar për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pasi nuk po merr pjesë në këtë proces. Të gjitha insitucionet duhet të përfshihen, duke e konsideruar me seriozitet këtë reformë. Nuk duhet të vrapohet, por nevojtet një reformë e mirë, cilësore dhe jo detyrimisht e shpejtë.

Top Channel: Cilat janë pritshmëritë e Holandës ndaj Shqipërisë, pasi vendit tuaj do t’i vijë radha të mbajë  Presidencën e BE-së?

Ambasadorja holandeze: Ne do ta marrim Presidencën e BE-së në vitin 2016. Pritshmëritë tona nga Shqipëria lidhen jo vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe zbatimin e tyre. Në Holandë, ne kemi një shprehje: “letra është shumë e duruar, duhet zbatimi”. Ajo që shpresojmë është se Shqipëria duhet të na tregojë se reformat janë të pandalshme dhe veprime konkrete janë marrë. Kjo është ajo që shqiptarët janë duke pritur.

Top Channel: Si ju duken përpjekjet për të luftuar korrupsioni dhe si e shikoni nismën e qeverisë në hapjen e një portali ‘online’ nga ku qytetarët denoncojnë?

Ambasadorja holandeze: Mendoj se një sërë veprimesh janë duke u zhvilluar përsa i përket luftës ndaj korrupsionit. Ne po punojmë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Departamentin e Antikorrupsionit për ligjin që merr në mbrojtje ata nëpunës, të cilët denoncojnë akte korruptive. Ky është një shembull i mirë për t’i inkurajuar njerëzit që të flasin. Për sa i përket portalit ‘Stopkorrupsionit.al’, është shumë i rëndësishëm për njerëzit, pasi u jep një mundësi të shpejtë për të denoncuar. Mendoj se këto raste duhet të ndiqen me përpikmëri për të parë pastaj sa prej tyre janë zgjidhur deri tek hetimi dhe ndëshkimi rasteve korruptive. Për ne është me rëndësi të shohim të ndëshkuar, jo vetëm ata që njihen si ‘peshqit e vegjel’, por gjithashtu edhe ‘peshqit e mëdhenj’. A do të ndodhë kjo?

Top Channel: Çfarë mendoni për procesin e dekriminalizimit dhe a keni shqetësime për emrat e kandidatëve të bërë publikë tashmë nga forcat politike për zgjedhjet e 21 Qershorit?

Ambasadorja holandeze: Është gjë shumë e mirë angazhimi të gjitha partive politike për dekriminalizimin dhe se ky, si hap i parë, merr rëndësi të veçantë. Shpresoj shumë që në zgjedhjet vendore, partitë do të tregojnë se e kanë me seriozitet dekriminalizimin duke u siguruar se të gjithë kandidatët janë të pastër dhe s’kanë rekorde kriminale. Le të presim. Barra e provës qëndron mbi partitë. Nuk duhet të jem vetëm unë në ngritjen e shqetësimeve për kandidatët. Shqetësimet duhet t’i shprehë vetë populli shqiptar dhe media, pasi me të vërtetë duam të shohim në lista kandidatë të nivelit të lartë. Të gjithë janë duke e ndjekur këtë çështje, jo vetëm ne, komuniteti ndërkombëtar. Natyrshëm nëse apelet tona nuk do të dëgjohen, atëherë komuniteti ndërkombetar dhe vetë shqiptarët do ta ngrenë zërin, pasi është një angazhim i marrë prej partive politike dhe ata duhet ta zbatojnë. Do ta vlerësoja si një zhvillim pozitiv faktin se kemi shumë femra kandidate, madje disa garojnë edhe për kryetare bashkie. Më shumë gra në politikë është e nevojshme, pasi vendimet do të jenë më të balancuara. Ne do të jemi shumë aktivë në monitorimin e zgjedhjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button