Hysen Sinani: Nga goditja e 2007-ës te Kuvendi i Shtatë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kërkon një riorganizim
Në një moment riorganizimi dhe debati për të ardhmen e kulturës letrare në vend, Hysen Sinani flet për sfidat dhe momentet më të vështira që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka përjetuar ndër vite, si humbja e godinës, gjyqet e gjatë për rikthimin e saj dhe pengesat institucionale që kanë ndikuar në aktivitet.
Në intervistën për gazetën “SOT”, shkrimtari Hysen Sinani kryetari i LSHA-së ndalet te momentet që kanë shënuar LSHA-në, ndikimi i politikave dhe vendimeve shtetërore, dhe mënyrat me të cilat synohet të rikthehet një frymë e qëndrueshme organizative. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë po përgatitet për një kapitull të ri në historinë e saj.
Kuvendi i Shtatë Kombëtar këtë të martë, vjen në një moment vendimtar për riorganizimin e LSHA-së, ku Hysen Sinani e sheh me rëndësi për të siguruar vazhdimësinë e saj. Ai shpreh bindjen se, pavarësisht vështirësive, LSHA mbetet një strukturë me rëndësi për kulturën kombëtare.
-Ju keni treguar se në momentin kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë po përpiqej të zgjerohej me projekte dhe aktivitete të reja, erdhi kërkesa për lirimin e godinës. Sa ndikoi kjo situatë në ndërprerjen e projekteve dhe në jetën kulturore të LSHA-së në ato vite?
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nuk u shpërnda apo u shkatërrua për arsye të sajat. LSHA u shkatërrua vite më parë, sepse kështu deshi qeveria në pushtet në atë kohë, në vitin 2007 kur ministër Kulture ishte Ylli Pango. Pango, si ministër Kulture në atë kohë, solli një shkresë në LSHA, ku kërkohej që brenda dy ditësh të lironim godinën, ndërkohë që sapo kishim bërë disa plane dhe projekte të reja.
Kishim bërë riorganizim në sektorë, zgjerim të aktivitetit, kishim nisur projektet për radiotelevizionin e LSHA-së, si dhe një projekt për botimin e antologjive poetike për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ku planifikonim të ftonim autorë çdo 3-4 muaj me radhë. Por ata e morën godinën, sepse nuk i donin shkrimtarët dhe nuk i donin të organizuar.
Sa kohë që ishin të paorganizuar dhe ambientet grabiteshin apo jepeshin me qera, kjo i nuk i prishte punë qeverisë, më pas nuk i deshën më. Unë jam marrë dhjetë vjet me gjyqet për godinën e LSHA-së. Gjyqi ka zgjatur nga viti 2007 deri në vitin 2017 për ta rimarrë godinën, sepse ajo na takonte neve. Shkresa e ish-ministrit ishte e qartë: “Lironi godinën”. Përpjekjet për godinën i kam bërë vetë personalisht me paratë e mia, sepse të bësh një proces gjyqësor që të zgjasë dhjetë vjet duhen para, por unë kam qenë vetëm.
-Çfarë ndodhi konkretisht me bibliotekën dhe dokumentet historike?
Vetëm biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë mund të ketë qenë me vlerë të paktën 6 deri në 10 milionë euro. Bibliotekën e LSHA-së e çuan në Kinostudio dhe aty u grabit, u shpërbë dhe u përvetësua. Kam bërë një denoncim në prokurori dhe më thirrën më pas, ku më thanë se kishin biseduar me ministrinë. Unë i pyeta si ishte e mundur të flisnin me ministrinë pa marrë më parë në shqyrtim denoncimin tim.
-Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë zhvillon këtë të martë Kuvendin e Shtatë Kombëtar për riorganizimin e saj. Pas gjithë vështirësive që kaloi LSHA ndër vite, sidomos pas largimit nga godina, sa i rëndësishëm është ky kuvend për ringritjen e LSHA-së dhe çfarë synoni të ndryshoni konkretisht në funksionimin e saj?
Këtë të martë mblidhet Kuvendi i Shtatë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili do të jetë një Kuvend i madh, sepse për të mbijetuar duhet të ketë një zyrë, një sallë, etj. Këto çështje i ka marrë përsipër zoti Mujë Buçpapaj, sepse ai ka gazetën “Nacional”. Nëse ai i merr përsipër që ta mbajë këtë LSHA me strukturat që kishim krijuar ne më parë dhe t’i bashkojë, duke krijuar një kryesi të shëndoshë, ku një pjesë e saj të jenë edhe ata që kanë qenë më parë, mendoj se do të gjendet vazhdimësi.
Ajo u ndërpre si u ndërpre. Por ka ardhur koha për riorganizimin e LSHA-së. Unë e kam ruajtur atë, sepse disa herë ka pasur tentativa për ta përvetësuar, qoftë për të marrë ndonjë përfitim financiar apo për t’u bërë lavdërime njëri-tjetrit. Çështja e godinës tashmë është mbyllur, sepse ajo i është kthyer shtetit. Ka pasur një gjyq në bazë të një vendimi të vitit 1992, por mund të hapet edhe një gjyq tjetër. Problemi qëndron te fakti se kur ne kemi qenë të sponsorizuar nga shteti deri në vitet 1998, prona konsiderohej e jona.
Por kur dolëm shoqatë e pavarur në kohën e Bardhyl Londos, kjo na u kthye në bumerang, sepse vendimi i shkallës së parë thoshte se ishim pronarë sa kohë ishim të financuar nga shteti. Më pas, si shoqatë e pavarur, nuk kishim më të drejtë ta kërkonim. Megjithatë, një gjyq tjetër për godinën mund të hapet, por kërkon një grup të fortë. Në atë kohë nuk e donin Lidhjes e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sot e duan.
Kryesia që ishte atëherë nuk e deshi LSHA-në, u larguan, me përjashtim të 3-4 vetave, por nga ajo kryesi shumica tashmë kanë vdekur. LSHA siç forcohen të gjitha institucionet, sepse pretendohet që institucionet sot janë forcuar edhe ajo duhet të forcohet. LSHA nuk është shoqatë gjuetarësh, por është jetike për një komb, është thelbi i kulturës së një vendi. Këtu sot, nëse pyet për një libër, nuk të jep njeri mendim, nuk ka më vlerësim për librin, për veprën muzikore, për një vepër arti çfarëdo qoftë. Unë vetëm kam ide. Idetë e mia janë disa dosje që do të vazhdojnë, do t’ua lë atyre.
-Duke qenë se Kuvendi i Gjashtë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u zhvillua në vitin 2007 dhe tani po zhvillohet Kuvendi i Shtatë për riorganizim, si e krahasoni këto dy momente dhe çfarë e bën të veçantë këtë kuvend të ri?
Kuvendi i Gjashtë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ishte një kuvend i jashtëzakonshëm dhe është zhvilluar në vitin 2007. Tani po zhvillohet Kuvendi i Shtatë i riorganizimit. Unë nuk kandidoj më, ia lë me kënaqësi brezit më të ri. Madje do të propozoj vetë kandidatin për kryetar të LSHA-së. Kryetari i LSHA-së, si rregull, qëndron 4 vjet në krye të saj, por mund të vijojë më shumë në kushte të jashtëzakonshme. Për kryetarin e ri duhet të bëhet një kuvend, siç po bëhet tani, sepse kryetari i ri zgjidhet ose i vjetri shkarkohet vetëm me vendim të kuvendit. Unë de jure, si kryetar i LSHA-së, jam prej 19 vjetësh.
– Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka pasur mbështetje financiare nga shteti, por si ka ndryshuar kjo mbështetje ndër vite?
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka pasur ndihmë financiare nga shteti deri në vitin 1998, më pas u bë e pavarur. Para disa vitesh unë kam pasur një projekt që ta kthenim LSHA-në në Akademi të Letërsisë dhe të Arteve, e cila do të ishte krejtësisht e financuar nga shteti dhe anëtarët e saj do të kishin edhe paga. E them këtë, sepse në shumë shtete të botës ekziston një akademi e financuar nga shteti. Pse të mos jetë edhe kjo? Finlanda, për shembull, ka shkrimtarë me rroga, siç ishin edhe te ne në kohën e Partisë së Punës, kur shkrimtarët kishin profesion të lirë. Nuk mund të lihen në një vend të vogël shkrimtarët rrugëve pa asnjë financim.
-Si i shikoni sot institucionet shtetërore, që funksionojnë për librin dhe autorët në vendin tonë?
Për mua janë paçavure, nga ajo që kam parë në televizione dhe nga mënyra se si zgjidhen njerëzit aty dhe si bëhen politikat e tyre. Japin disa çmime njëri-tjetrit, përvetësojnë ndonjë gjë, japin ndonjë sponsorizim jashtë por pak. Nuk funksionojnë në mënyrën e duhur për autorët dhe për librin, dhe nuk e përmbushin misionin që duhet të kishin për zhvillimin dhe mbështetjen reale të librit dhe autorëve.
Intervistoi: Julia Vrapi




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.