Zjarri në tregun e Lushnjës, dëme të mëdha, tregtarët kërkojnë dëmshpërblim
Zjarri i rënë në orët e para të mëngjesit ka përfshirë tregun e ri të fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale për tregtarët.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 në tregun e ndërtuar tre vite më parë pranë aneksit të stadiumit të qytetit, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Në këtë treg ushtronin aktivitetin rreth 50 tregtarë, të cilët më herët shisnin produktet në rrugët dhe trotuaret e Lushnjës.
Sipas dyshimeve të para, zjarri mund të jetë shkaktuar aksidentalisht nga sistemi i ndriçimit elektrik të jashtëm. Një shkëndijë dyshohet se ka përfshirë materialet plastike, ndërsa flakët janë përhapur më pas me shpejtësi për shkak të kartonëve dhe materialeve të tjera lehtësisht të ndezshme.
Tregtarët shprehen se dëmet janë të mëdha për ekonominë e tyre familjare. Ata paguajnë rreth 3500 lekë në muaj për të ushtruar aktivitetin në këtë treg, por produktet nuk i kishin të siguruara. Megjithatë, ata kërkojnë dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara nga zjarri, raporton A2 CNN.
Pas ngjarjes, kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, u takua me tregtarët e dëmtuar. Ajo tha se rreth 10 tregtarë janë dëmtuar më rëndë dhe se bashkia do të shqyrtojë mundësinë e dëmshpërblimit përmes Këshillit Bashkiak.
“Nga ajo që kemi kontestuar janë 10 tregtarë që janë dëmtuar nga ky zjarr. Nga ana e bashkisë po ngrihen grupet e vlerësimti të mallit dhe derisa të bëhet gati për t’u vënë në funksionim ky objekt, ne do të gjejmë një mundësi për sistemin e tregtarëve rreth kësaj zone që ata të kenë mundësi për ushtrimin e aktivitetit të tyre”, tha kryebashkiakja e Lushnjës, shkruan A2 CNN.
Deri në pastrimin e zonës së dëmtuar, tregtarët do të lejohen të shesin produktet jashtë tregut, në hapësirat bosh pranë trotuarit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.