“I dhamë prangat dhe i vendosi vetë”
Drejtori i burgut të Peqinit dëshmon sesi negocioi me Sokol Mjacajn
Drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, ka dëshmuar në prokurori për ngjarjen e ndodhur 4 ditë më parë në institucionin që ai drejtonte, ku i burgosuri përjetë Sokol Mjacaj vrau të dënuarin tjetër Arbën Lleshi. Në dëshminë e tij ai tregon sesi ka negociuar me Mjacajn pas ngjarjes.
“Më datë 15.12.2023 rreth orës 13;52 minuta kam qenë në ambientet e zyrës, ku kam dëgjuar në radio dhënëse marrëse se diçka po ndodhte në godinën B, ambientet e ajrosjes. Ka folur në radio se çfarë problemi ka dhe me raportuan në radio se ka ngjarje dhe duhet ambulanca menjëherë. Në moment ka dalë nga zyra dhe është nisur për në regjim të brendshëm. Aty ka parë se ishin dy të plagosur me armë zjarri dhe ishin me gjak. Hipën të dy të plagosurit në ambulancë dhe i nisën për në spitalin e Peqinit për ndihmë mjekësore”.
Hoxha tregon se me të marrë njoftimin për ngjarjen ka shkuar në ambientet ku ndodhej Mjacaj dhe ky i fundit ka kërkuar të flasë me prokurorin para s etë dorëzojë armën. Hoxha thekson gjithashtu se i kanë dhënë prangat dhe ai i ka vendosur vetë.
“Pas kësaj u futa në ambientet e brendshme midis dy godinave të akomodimit të dënuarve dhe ka shkuar tek vendi ku ishte i vendosur i burgosuri Sokol Mjaca. Objekti ishte ku bëhen takimet e familjarëve dhe kishte mbyllur derën nga brenda dhe po qëndronte aty. Mësova nga punonjësit e policisë të planizuar në ajrosje dhe takimet me familjarët se i dënuari Sokol Mjaca, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete. Afrohem tek dera dhe i burgosuri më tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këto momente, i thashë nje policit që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjelli telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi nje ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvuajtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës. E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë neve. Hapi derën dhe e shoqëruam me shërbimet e policisë”.