☁️
Tiranë 20°C · Vranët 16 June 2026
S&P 500 7,554 ▲1.65%
DOW 51,671 ▲0.92%
NASDAQ 26,684 ▲3.07%
NAFTA 81.31 ▲0.69%
ARI 4,336 ▼0.37%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1585 EUR/GBP 0.8631 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.9898 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.3851 EUR/TRY 53.6416 EUR/JPY 185.54 EUR/CAD 1.6201 EUR/USD 1.1585 EUR/GBP 0.8631 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.9898 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.3851 EUR/TRY 53.6416 EUR/JPY 185.54 EUR/CAD 1.6201
₿ CRYPTO
BTC $66,242 ▲ +0.8% ETH $1,792 ▲ +3.83% XRP $1.2366 ▲ +4.48% SOL $73.8900 ▲ +3.47%
S&P 500 7,554 ▲1.65 % DOW 51,671 ▲0.92 % NASDAQ 26,684 ▲3.07 % NAFTA 81.31 ▲0.69 % ARI 4,336 ▼0.37 % S&P 500 7,554 ▲1.65 % DOW 51,671 ▲0.92 % NASDAQ 26,684 ▲3.07 % NAFTA 81.31 ▲0.69 % ARI 4,336 ▼0.37 %
EUR/USD 1.1585 EUR/GBP 0.8631 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.9898 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.3851 EUR/TRY 53.6416 EUR/JPY 185.54 EUR/CAD 1.6201 EUR/USD 1.1585 EUR/GBP 0.8631 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.9898 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.3851 EUR/TRY 53.6416 EUR/JPY 185.54 EUR/CAD 1.6201
16 Jun 2026
Breaking
Arte

Ilir Kodhima: Arsimi muzikor në Shqipëri ka nevojë për më shumë investime

Shkollat artistike në vend përballen me vështirësi dhe kanë nevojë për më shumë vëmendje në aspektin financiar dhe infrastrukturor. Ilir Kodhima pedagog i klasës së kornos pranë Fakultetit të Muzikës, Universiteti i Arteve në Tiranë, ndan mendimet e tij mbi gjendjen e arsimit muzikor në vendin tonë dhe sfidat që përballen shkollat artistike. Në intervistën për gazetën “SOT”, pedagogu Ilir Kodhima gjithashtu një muzikant i talentuar shqiptar i njohur për interpretimin e tij si kornist, sjell një analizë mbi zhvillimet në shkollat artistike, duke vlerësuar përmirësimet e viteve të fundit, por edhe problematikat që mbeten ende të pazgjidhura. Ai thotë se mungesa e instrumenteve dhe vështirësitë në disa shkolla në rrethe po ndikojnë te talentet e reja. Si muzikant, Ilir Kodhima ka një aktivitet të vlerësuar artistik. Ai është mjaft aktiv në skenën kulturore në vend, si orkestrant dhe solist në ansamble e orkestra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, në Itali, Kroaci, Kosovë, etj.

-Ne kemi disa shkolla artistike në vendin tonë, ku studiohen instrumentet muzikore, por si e vlerësoni gjendjen e tyre?

Mendoj se gjendja e shkollave të muzikës në Tiranë paraqitet në përmirësim të vazhdueshëm. Kjo lidhet me angazhimin e një trupe të kualifikuar pedagogësh, si dhe me rritjen e aktivitetit artistik dhe edukativ që zhvillohet në këto institucione. Megjithatë, një institucion kombëtar me rëndësinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” kërkon një vëmendje edhe më të madhe, veçanërisht në aspektin financiar dhe infrastrukturor, në mënyrë që të përmbushë misionin e tij në formimin e brezave të rinj të artistëve. Nga ana tjetër, një pjesë e shkollave të muzikës në rrethe përballen me vështirësi serioze, deri në rrezikun e mbylljes së tyre. Kjo situatë vjen si pasojë e lëvizjeve demografike, uljes së numrit të nxënësve, kufizimeve financiare me të cilat përballen këto institucione, si dhe, në disa raste, mungesës së një vizioni të qartë zhvillimi dhe strategjie afatgjatë nga drejtuesit aktualë.

-Sipas jush, sa problematike është mungesa e instrumenteve muzikore në këto shkolla?

Mungesa e instrumenteve muzikore vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për përfshirjen e nxënësve të rinj në arsimin muzikor, veçanërisht në moshat e hershme. Për shumë familje shqiptare, investimi në blerjen e një instrumenti muzikor për fëmijët e tyre përbën një barrë financiare të konsiderueshme, e cila shpesh kthehet në një pengesë për vazhdimin e studimeve muzikore. Nga përvoja ime personale, kam ndërmarrë iniciativa dhe fushata të ndryshme për sigurimin e instrumenteve të kornos, duke kontribuar vazhdimisht aty ku kam parë nevojë dhe mundësi për zhvillim. Në disa raste kam dhuruar instrumente për shkolla muzike, kam organizuar dhe realizuar koncerte pa pagesë, si dhe kam investuar kohë, energji dhe burime financiare personale në mbështetje të këtyre institucioneve.

Megjithatë, në disa raste, angazhimi dhe bashkëpunimi nga përfaqësuesit e shkollave përkatëse ka qenë minimal ose i munguar. Kjo ka bërë që, pavarësisht përpjekjeve dhe investimeve të kryera, klasat e kornos të mos hapen dhe mundësitë e krijuara të mos shfrytëzohen në dobi të nxënësve. Kjo tregon se përmirësimi i situatës nuk varet vetëm nga sigurimi i instrumenteve apo mbështetja financiare, por edhe nga angazhimi institucional, planifikimi dhe vullneti për të zhvilluar programe të qëndrueshme artistike.

-Sipas jush, a ka sot më shumë apo më pak interes nga të rinjtë për të studiuar muzikë krahasuar me vite më parë?

Nuk mund të them se sot ka më shumë apo më pak interes për muzikën sesa në periudha të tjera. Megjithatë, jetojmë në një kohë ku teknologjia dhe mundësitë e shumta për të arritur përfitime të shpejta e bëjnë më të vështirë orientimin e të rinjve drejt studimit sistematik dhe afatgjatë që kërkon edukimi muzikor. Kjo situatë na sfidon të gjithëve – institucionet arsimore, pedagogët dhe politikëbërësit – për të rritur nivelin e performancës dhe për të investuar në mënyrë të qëndrueshme në promovimin e instrumenteve muzikore dhe të degëve të ndryshme që ofrohen nga Liceu Artistik dhe Universiteti i Arteve.

Një problematikë tjetër, e cila kërkon vëmendje të menjëhershme, është mungesa e shkollave të muzikës në zona të ndryshme të Tiranës. Lagje me popullsi të konsiderueshme, si Alliasi, Kombinati, Sauku, Shkoza dhe zona të tjera në zhvillim, nuk kanë institucione të specializuara për edukimin muzikor. Është e vështirë të mendohet që një qytet me rreth 1 milion banorë të mbështetet vetëm nga një shkollë e mesme artistike dhe dy shkolla 9-vjeçare të muzikës, si “Dëshmorët e Lirisë” dhe “Servete Maçi”. Kjo ofertë arsimore nuk i përgjigjet nevojave dhe potencialit që ka kryeqyteti për zhvillimin e talenteve të reja.

Nëse bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, diferenca bëhet edhe më e dukshme. Beogradi, me rreth 2 milionë banorë, ka afërsisht 20 shkolla muzike. Kroacia numëron rreth 75 shkolla muzike në nivel kombëtar, ndërsa Sllovenia rreth 150. Këto shifra tregojnë qartë se Shqipëria, dhe veçanërisht Tirana, ka ende hapësira të mëdha për të zgjeruar dhe forcuar infrastrukturën e arsimit muzikor.

-Nga përvoja juaj si pedagog, cilat janë ndryshimet më të nevojshme në politikat arsimore dhe kulturore për të mbështetur shkollat e artistike, arsimin e lartë muzikor dhe zhvillimin e artistëve të rinj?

Projektet artistike, si “Edukimi përmes Artit” apo “Art dhe Zeje”, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në afrimin e të rinjve me artin dhe kulturën. Këto iniciativa kanë ndikuar pozitivisht në nxitjen e interesit për edukimin artistik, por mendoj se ato duhet të intensifikohen dhe të shoqërohen me politika më të qëndrueshme mbështetëse. Përveç projekteve promovuese, është e nevojshme të zhvillohen programe që mbështesin financiarisht studimin e instrumenteve dhe degëve që aktualisht përballen me mungesë interesi ose rrezikojnë të zhduken. Një zgjidhje konkrete do të ishte ofrimi i bursave të studimit për periudha 4-5-vjeçare për nxënësit që zgjedhin këto instrumente, duke krijuar kështu kushte më të favorshme për formimin e brezave të rinj të muzikantëve. Njëkohësisht, mbetet thelbësore që institucionet kombëtare të arsimit dhe kulturës të kenë një bashkëpunim më të ngushtë dhe të koordinuar. Përfshirja e nxënësve dhe studentëve në aktivitete artistike, festivale, koncerte dhe projekte kombëtare jo vetëm që rrit përvojën e tyre profesionale, por shërben edhe si një mjet efektiv për promovimin e degëve dhe instrumenteve që sot përballen me vështirësi ose janë në rrezik të zhdukjes.

-Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve, që duan të ndjekin studimet në muzikë dhe ta ndërtojnë karrierën e tyre në këtë fushë?

Jeta e një muzikanti të suksesshëm është plot ngjyra, dinamike dhe mjaft interesante. Ajo të jep mundësinë të udhëtosh në vende që ndoshta nuk do të kishe rastin t’i vizitoje përmes një profesioni tjetër, si edhe të njohësh njerëz e kultura të ndryshme nga e gjithë bota. Gjithashtu, të krijon mundësinë të bëhesh pjesë e një komuniteti të gjerë artistësh dhe profesionistësh, brenda dhe jashtë vendit. Mbi të gjitha, ky profesion të jep privilegjin të shprehësh emocionet dhe ndjenjat e tua përmes performancës në skenë, duke krijuar një lidhje të veçantë me publikun. Të qenit muzikant është një mënyrë jetese që kërkon përkushtim, disiplinë dhe pasion, por që njëkohësisht të ofron përvoja unike dhe një trajtim të veçantë si në aspektin social, ashtu edhe në atë profesional. Vetëm përmes një strategjie të koordinuar, që kombinon promovimin, mbështetjen financiare dhe përfshirjen aktive të të rinjve në jetën artistike, mund të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm i arsimit muzikor në Shqipëri.

Intervistoi: Julia Vrapi

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.