Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë”, që sjell një koleksion origjinal të veprës së një figure novatore të…
Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” sjell në vendin tonë një koleksion origjinal të veprës së fotografit Gjon Mili, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX. Ekspozita në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” në qytetin e Shkodrës e kuruar nga Howard Greenberg, gjithashtu shënon dhe një moment të veçantë në jetën artistike këtë sezon. Me vepra nga arkivi i Howard Greenberg Gallery, retrospektiva paraqet fotografi dhe materiale arkivore që dëshmojnë transformimin e fotografisë nga një medium dokumentues në një hapësirë eksperimentimi me kohën, dritën dhe lëvizjen. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” shprehet se veprat e tij zbulojnë një mënyrë të re të të parit, ku fotografia nuk “ngrin” kohën, por e vizualizon atë. “E lindur nga ndërthurja mes shkencës dhe artit, praktika e Milit shtrihet nga eksperimentet me dritën stroboskopike dhe ekspozimet e shumëfishta, deri te imazhet ikonike si “Picasso Drawing with Light” dhe portretet e figurave të mëdha të muzikës jazz, kinemasë dhe kulturës amerikane.
Veprat e tij zbulojnë një mënyrë të re të të parit, ku fotografia nuk “ngrin” kohën, por e vizualizon atë”, thuhet nga muzeu “Marubi” në Shkodër. Këto ditë në mjediset e muzeut “Marubi” u çel ekspozita me fotografi dhe materiale arkivore, ku institucioni shprehet për Gjon Milin, si një prej figurave më novatore të fotografisë së shek. XX. “Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” shënon një moment të rëndësishëm për historinë e fotografisë në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX”, vijon muzeu. Mes imazheve ikonike të shkrepura nga Gjon Mili janë dhe portretet e figurave legjendare të jazz-it si Billie Holiday, Count Basie, Duke Ellington, Art Tatum, Charlie Parker dhe Mary Lou Williams. Ekspozita është në bashkëpunim me Howard Greenberg Gallery dhe prezantohet në muzeun “Marubi”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë
Ekspozita në muzeun “Marubi”
Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” u hap mbrëmjen e së premtes te muzeu “Marubi”. Por sipas muzeut, për publikun shqiptar, ajo ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar. “Edhe pse Mili ndërtoi karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pjesë e historisë së fotografisë amerikane, origjina e tij mbetet thelbësore në narrativën e tij personale. Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në memorien artistike shqiptare”, thuhet nga muzeu. I lindur në Korçë në vitin 1904, Gjon Mili emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nuk nisi në akademitë e artit, por në fushën e inxhinierisë elektrike, në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj qasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën se si ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku realizoi hulumtime të avancuara mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike. Gjon Mili vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.