Çfarë dimë deri tani për paktin mes SHBA-së dhe Iranit
Marrëveshja e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit po paraqitet nga Donald Trump në ditën e tij të datëlindjes si fundi i luftës që zgjati më shumë se tre muaj dhe si një fitore strategjike amerikane në Lindjen e Mesme. Megjithatë, detajet që kanë dalë deri tani tregojnë se bëhet fjalë më shumë për një armëpushim të zgjeruar dhe nisjen e një procesi të ri negociatash sesa për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.
Sipas elementëve të bërë publikë, Irani do të rihapë Ngushticën e Hormuzit, rrugën detare nga e cila kalon një pjesë e madhe e naftës së tregtuar në botë, ndërsa SHBA do të heqë bllokadën detare që kishte vendosur ndaj porteve iraniane. Armëpushimi ekzistues do të zgjatet për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës palët do të negociojnë për programin bërthamor iranian dhe për të ardhmen e sanksioneve amerikane.
Por pikërisht këtu nis edhe paqartësia. Trump pretendon se marrëveshja do ta bëjë Ngushticën e Hormuzit “përgjithmonë pa tarifa”, ndërsa dokumentet paraprake flasin vetëm për një pezullim 60-ditor të çdo kufizimi dhe për nisjen e një dialogu rajonal. Në praktikë, Irani nuk kishte vendosur tarifa për kalimin në Hormuz para luftës, çka do të thotë se një pjesë e asaj që po paraqitet si fitore historike është në fakt rikthim në status quo-në e para konfliktit.
“Le të rrjedhë nafta!” shkroi Trump në rrjetet sociale kur shpalli marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një “marrëveshje të madhe” që do të sjellë “paqe dhe siguri në të gjithë rajonin”. Megjithatë, siç kanë vërejtur analistët, dokumenti aktual nuk përmban ende garancitë që do ta bënin një paqe afatgjatë.
Në një intervistë për Neë York Times, Trump argumentoi se vendimi i tij për të sulmuar Iranin në fund të shkurtit dhe bllokada detare që pasoi pasi Teherani mbylli Hormuzin “e kanë riformësuar Lindjen e Mesme në favor të Shteteve të Bashkuara”. Ai falënderoi gjithashtu presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin sepse nuk ndërhynë kundër bllokadës amerikane, duke lënë të kuptohet se edhe Moska dhe Pekini kontribuuan indirekt në arritjen e marrëveshjes.
Paqartësitë për një pakt ende të papërfunduar
Pika më e debatueshme mbetet programi bërthamor iranian. Trump deklaron se marrëveshja do të garantojë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore dhe se Teherani do të lejohet të pasurojë uranium vetëm për qëllime civile. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance shkoi edhe më tej kur tha se fakti që Irani nuk do të zotërojë armë bërthamore është “i ndërtuar brenda kësaj marrëveshjeje” dhe se SHBA do të ketë mundësi të verifikojë zbatimin e saj.
Por vetë presidenti amerikan pranoi se negociatat mbi pasurimin e uraniumit ende nuk kanë përfunduar. Sipas tij, po diskutohet një pezullim 15 ose 20-vjeçar i pasurimit, ndërsa Irani vazhdon të këmbëngulë se nuk do të heqë dorë nga e drejta e tij për pasurim sipas Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.
Një tjetër çështje e hapur lidhet me rezervat ekzistuese të uraniumit të pasuruar. Trump deklaroi se SHBA synon të bashkëpunojë me Iranin për të holluar dhe larguar rreth 12 ton uranium të pasuruar që ndodhen aktualisht në territorin iranian. Megjithatë nuk ka afate konkrete dhe nuk është bërë publike asnjë procedurë e detajuar se si do të realizohet ky proces.
Në fakt, shumë nga çështjet kryesore mbeten ende pa përgjigje. Nuk dihet se cili do të jetë kufiri maksimal i pasurimit të uraniumit, çfarë do të ndodhë me rezervat ekzistuese dhe si do të funksionojë mekanizmi i inspektimeve. Edhe vetë Trump ka pranuar se këto tema do të diskutohen në negociatat që pritet të zhvillohen në Zvicër.
Po aq e paqartë mbetet çështja e fondeve iraniane të ngrira. Teherani pretendon se negociatat e mëtejshme varen nga lirimi i miliarda dollarëve të bllokuara jashtë vendit. Trump këmbëngul se nuk do të ketë asnjë lehtësim sanksionesh dhe asnjë fond nuk do të lirohet derisa Irani të përmbushë detyrimet e tij. Ai ka shtuar se nëse regjimi iranian shtyp protestat e brendshme, kjo mund të ndikojë në heqjen e sanksioneve, por një kusht i tillë nuk figuron në tekstet paraprake që kanë qarkulluar deri tani.
Vetëm pak orë pas shpalljes së marrëveshjes, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit dha një sinjal të parë mosbesimi. Në deklaratën e tij thuhej se “negociatat përfundimtare do të shtyhen deri pas zbatimit të angazhimeve të palës tjetër sipas memorandumit”. Kjo tregon se Teherani nuk e konsideron procesin të mbyllur dhe se vazhdimi i negociatave do të varet nga mënyra se si SHBA do të zbatojë angazhimet e saj.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar gjithashtu se nëse negociatat dështojnë, SHBA mund të rifillojë sulmet ushtarake kundër Iranit. Ai ka shkuar edhe më tej duke hedhur idenë se Amerika mund të shndërrohet në një lloj “garanti të sigurisë” për Lindjen e Mesme në këmbim të një pjese të të ardhurave të vendeve të rajonit, një koncept që do të përbënte një ndryshim rrënjësor nga politika tradicionale amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.
Zemërim në Izrael
Pikërisht këto elemente shpjegojnë edhe zemërimin në Izrael. Qeveria e Benjamin Netanyahut kishte deklaruar se objektivi i luftës ishte eliminimi i kërcënimit bërthamor iranian, shkatërrimi i programit të raketave balistike dhe dobësimi i rrjetit rajonal të aleatëve të Teheranit, përfshirë Hezbollahun në Liban, Houthit në Jemen dhe Hamasin në Gaza.
Megjithatë, sipas informacioneve që kanë dalë deri tani, as raketat balistike dhe as mbështetja iraniane për grupet aleate nuk janë pjesë e qartë e marrëveshjes. Për më tepër, Izraeli shqetësohet se një lehtësim i ardhshëm i sanksioneve do t’i japë regjimit iranian burime të reja financiare.
Kritikat kanë ardhur nga i gjithë spektri politik izraelit. Ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Liberman e quajti marrëveshjen “katastrofë”, ndërsa lideri i opozitës Yair Lapid tha se, nëse detajet e raportuara janë të sakta, bëhet fjalë për një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme dhe sigurisë së Izraelit.
Vetë Trump nuk i ka fshehur përplasjet me Benjamin Netanyahun. Në një intervistë për Neë York Times ai e përshkroi kryeministrin izraelit si “një njeri shumë të vështirë” dhe tha se Izraeli duhet të jetë mirënjohës ndaj SHBA-së, sepse sipas tij “nëse Irani do të kishte armë bërthamore, Izraeli nuk do të ekzistonte as për dy orë”.
Edhe sipas BBC-së, një tjetër rrezik për qëndrueshmërinë e marrëveshjes është pikërisht Izraeli.
Po ashtu, Trump i tha ëall Street Journal se ishte zemëruar me Netanyahun për sulmet izraelite në Liban gjatë fundjavës, pasi mendonte se ato mund të rrezikonin finalizimin e marrëveshjes me Iranin. Nëse Izraeli zgjeron operacionet kundër Hezbollahut, ekziston frika se Teherani mund të reagojë duke kërcënuar sërish mbylljen e Hormuzit, duke e rikthyer krizën energjetike globale.
Rikthimi në normalitet nuk do të jetë i lehtë
Ndërkohë ekspertët e energjisë paralajmërojnë se rikthimi në normalitet nuk do të jetë i menjëhershëm. Pastrimi i minave detare, normalizimi i trafikut të cisternave dhe rikthimi i plotë i prodhimit mund të kërkojnë javë të tëra, çka do të thotë se efektet ekonomike të marrëveshjes mund të vonojnë.
Përtej gjeopolitikës, marrëveshja ka edhe një dimension të rëndësishëm të politikës së brendshme amerikane. Lufta dhe kriza energjetike kanë rritur çmimet e karburanteve dhe presionin mbi ekonominë amerikane. JD Vance e pranoi këtë kur deklaroi se “mesazhi im kryesor për popullin amerikan është faleminderit”, duke premtuar se çmimet e energjisë do të fillojnë të bien.
Sipas sondazheve të fundit, 63 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë menaxhimin e ekonomisë nga Trump dhe 57 për qind besojnë se ekonomia po përkeqësohet. Për këtë arsye, ulja e çmimeve të energjisë dhe stabilizimi i tregjeve mund të jenë po aq të rëndësishme për Trump sa edhe vetë marrëveshja diplomatike.
Në thelb, marrëveshja e Hormuzit nuk zgjidh asnjë nga çështjet që shkaktuan luftën. Ajo ndalon përkohësisht përplasjen ushtarake, rihap rrugët energjetike globale dhe krijon një kornizë negociatash. Por programi bërthamor iranian, rezervat e uraniumit, raketat balistike, fondet e ngrira, sanksionet dhe roli rajonal i Iranit mbeten ende të hapura.
Për momentin është siguruar vetëm një gjë: armët janë ulur dhe Hormuzi po rihapet. Gjithçka tjetër mbetet objekt negociatash që sapo kanë filluar. Për këtë arsye, ajo që tregjet financiare po festojnë si fundin e krizës, mund të rezultojë vetëm kapitulli i parë i një beteje shumë më të gjatë diplomatike mes Uashingtonit, Teheranit dhe Tel Avivit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.