Politika

IMEI, PD: Rama po shkel privatësinë e shqiptarëve. Reagon Harito: Nuk përgjohet asnjë celular

IMEI_cell_phone-320x173Partia Demokratike i është rikthyer kundërshtimit të vendimit të qeverisë për të regjistruar numrin identifikues të aparateve celularë, të njohur shkurtimisht si IMEI.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një dalje për mediet, e cilësoi këtë vendim si anti-kushtetues dhe përpjekje të kryeministri Rama për të hyrë brutalisht në jetën dhe privatësinë e shqiptarëve.

“Në këtë mënyrë, Rama kërkon të hyjë brutalisht në jetën dhe privatësinë e shqiptarëve, të kontrollojë jetën e tyre, të ngrejë një regjistër me të dhënat sekrete të shqiptarëve, duke vrarë privatësinë e garantuar me ligj për shqiptarët. Edi Rama, pasi ka kapur disa institucione të pavarura, pasi ka hedhur rrjetën për të kapur drejtësinë, pasi ka ngritur byronë e hetimit pranë tij, kërkon të hyjë edhe në jetën e shqiptarëve”, tha Basha.

Ky vendim i qeverisë, është ankimuar nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese dhe në pritje të vendimit të saj, Lulzim Basha fton qytetarët që të reagojnë me mosbindje.

“Shqiptarët të reagojnë me mosbindje, të refuzojnë me përbuzje, të mos dorëzojnë të dhënat personale, të qëndrojnë dhe të mos i dorëzojnë të dhënat e tyre”, deklaroi kreu i demokratëve.

Një apel shkoi edhe për operatorët e shërbimit të telefonisë celulare. “Kompanitë të respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të mos i dorëzojnë Edi Ramës të dhënat e qytetarëve. Në të kundërt, ato do të përballen me padi nga Partia Demokratike dhe qytetarët”, përfundoi Basha.

IMEI (International Mobile Equipment Identity) shërben në rrjetin GSM për të identifikuar një pajisje celulare dhe në të shumtën e herëve, për të ndaluar vjedhjen e këtyre pajisjeve, pasi nëpërmjet këtij numri, zotëruesi mund të raportojë si të vjedhur, e më pas bllokojë tek kompania që i ofron shërbimin telefonik.

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se përmes regjistrimit të kodit IMEI për celularët, do të përgjohen qytetarët. Në përgjigje të akuzave të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ministrja Harito tha se vendimi për regjistrimin e kodit IMEI nuk ka të bëjë aspak me privatësinë e qytetarëve.

Ministrja Harito reagon: Nuk shkelet privatësia

Pas denoncimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, mbi vendimin e qeverisë për regjistrimin e IMEI-t të celularëve nga ana e qytetarëve, ka reaguar Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e cila ka përgënjeshtruar deklaratën e kreut të demokratëve, duke shpjeguar se nuk do të përgjohet asnjë shqiptar dhe se nuk do të shkelet privatësia e asnjë qytetari që zotëron celular.

“Qeveria ka për detyrë të ndalojë kontrabandën e celularëve dhe çdo celular që hyn, duhet të paguajë taksat. Kodi IMEI është njëlloj si kodi i shasisë së makinave. Është njëlloj si të thuash, që përmes shasisë, qeveria kontrollon cili është shoferi. Rilindje dhe jo rrënim, barazi para ligjit dhe jo tjetër për të fortët e të dobëtit. Për llafe boshe, Basha është vërtet i zoti. Mjafton të pyesni ata që e votuan për kryetar bashkie dhe do të kuptoni se përveç llafeve asgjë nuk panë në këto 3 vjet”- deklaroi Harito.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button