Incidenti i Ramës me Ambrozia Metën: “Kryeministri nuk arrin të kontrollojë veten”
Kamerat e televizioneve kapën momentin kur Rama zgjat dorën dhe prek në fytyrë gazetaren, veprim që organizatat në mbrojtje të gazetarëve e kanë cilësuar si cënim të integritetit fizik dhe sjellje anormale nga ana e kryeministritit.
“Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cënim të etikës, deri në cënim të integritetit fizik të gazetares”- thuhet në reagimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Unioni shpreh solidaritetin me gazetaren dhe shton se ajo në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit
“Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar”.
Edhe organizata për sigurinë e gazetarëve “Safe Journalists Albania” shprehu solidaritet me gazetaren që sipas organizatës, “u përball me intimidimin e kryeministrit vetëm pse po kërkonte transparencë dhe llogaridhënie”.
Sjellja e kryeministrit ndaj gazetarëve në vijëmësi ka ngritur shqetësim për organizatat e mediave për arrogancën e përgjigjeve, refuzimin për t’iu përgjigjur pyetjeve apo “dënimin” e gazetarëve duke mos i lejuar të marrin pjesë në konferencat për shtyp.
Gazetarja Ambrozia Meta i tha BIRN-it se “fatkeqesisht arrogancen e zakonshme ndaj gazetareve kryeminsitri Rama, tani po e demonstron edhe me prekje fizike”. Duke komentuar incidentin ajo shtoi se i vinte keq që “shefi i qeverise nuk arrin të kontrolloje dot veten, kur pyetet për çështje të interesit publik”.
Incidenti solli dhe reagimin e politikanëve të opozitës, të cilët dënuan aktin e Ramës duke shpërndarë videon e incidentit.
“Akt i shëmtuar prej gangsteri, dhunë fizike e Edi Ramës ndaj gazetares” shkruajti në facebook ish-kryeministri Sali Berisha, që aktualisht drejton grupimin më të madh opozitar.
Ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, e quajti “sjellje kafshërore”.
“Ky e ka mbushur kupen dhe duhet të shtyhet dhe duhet përzënë me forcë siç e meriton sjella e tij kafshërore”- shkruan ai në facebook.
Agjencia për Media dhe Informim pranë kryeministrisë nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it se si e justifikonte kryeministri dhunën fizike ndaj gazetarëve.
Përkeqësimi i lirisë së medias në Shqipëri është ngritur si shqetësim i vazhdueshëm nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit.
Kryeministri Edi Rama po përballet me pyetje nëse projektet e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump në Sazan dhe Zvërnec dëmtojnë apo jo mjedisin, cënojnë zonat e mbrojtura dhe sjellin apo jo përfitim për qytetarët. Qeveria pranon se ka marrë një ofertë për zhvillim në ishullin e largët të Sazanit ndërsa mohon që të ketë dijeni për projektin tjetër të deklaruar nga Jared Kushner, për ndërtimin e dhjetëmijë banesave në zonën e mbrojtur të Nartës dhe Zvërnecit në veri të Vlorës.