INDONEZI – Tetë aeroporte të mbyllura dhe 170 000 pasagjerë të bllokuar pas shpërthimit vullkanik
XHAKARTA, 6 shtator /ATSH-AFP/ – Autoritetet indoneziane mbyllën sot tetë aeroporte, përfshirë më të ngarkuarin në Xhakarta, pas shpërthimit të vullkanit Anak Krakatoa, i cili ndodhet rreth 150 kilometra larg, duke lënë në tokë më shumë se 170 000 pasagjerë.
Përveç aeroportit ndërkombëtar ”Soekarno-Hatta” të Xhakartës dhe aeroportit ”Halim”, i cili ndodhet gjithashtu në kryeqytet, aeroportet ndërkombëtare të Bandung dhe Radin, pranë Bandar Kampung në Sumatra, u mbyllën, si dhe katër aeroporte të tjera më të vogla, tha Ministria indoneziane e Transportit në një deklaratë.
“Këto mbyllje lanë 170 000 pasagjerë të bllokuar dhe ndikuan në 467 fluturime, duke përfshirë 58 fluturime ndërkombëtare dhe 409 fluturime vendase”, deklaroi ministria.
Pezullimi i fluturimeve në aeroportin e Xhakartës filloi në orën 01:30 dhe u zgjat disa herë.
”Testet treguan shpërndarjen e hirit vullkanik në zonën e ‘Soekarno-Hatta’, duke çuar në mbylljen e aeroportit”, tha Ministria e Transportit në një deklaratë sot në mëngjes.
Vullkani Anak Krakatoa, që do të thotë “fëmija i Krakatoas”, shpërtheu të shtunën, me një rrjedhë lave dhe shpërthime të dëgjueshme deri në 700 kilometra larg, tha agjencia e vullkanologjisë në një deklaratë, duke shtuar se dy shpërthime të reja u regjistruan të dielën.
Hiri, i cili është i rrezikshëm për motorët e avionëve, u përhap në hapësirën ajrore të disa aeroporteve./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.