Inflacioni rritje të lehtë 2 muajt e parë të vitit, 2,4%
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2,4% gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, duke regjistruar rritje të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, se kjo ecuri është në përputhje me pritjet e institucionit. Sipas tij, rritja e inflacionit është ndikuar kryesisht nga çmimet e qirave, disa artikuj ushqimorë dhe shërbime, si dhe nga stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjarët.
Në aspektin makroekonomik, Sejko theksoi se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, duke reflektuar nivelet e ulëta të inflacionit të importuar dhe efektet e goditjeve pozitive të ofertës gjatë vitit 2025. Sipas tij, rënia e presioneve të jashtme lidhet si me ecurinë e inflacionit në vendet partnere tregtare, ashtu edhe me forcimin e kursit të këmbimit të lekut.
Nga ana tjetër, presionet e brendshme mbi inflacionin kanë ardhur në rritje gjatë muajve të fundit. Kjo prirje evidentohet nga ecuria e inflacionit bazë dhe atij të brendshëm, megjithëse rritja mbetet e përqendruar kryesisht në segmentin e çmimeve të qirave.
Guvernatori nënvizoi se, duke përjashtuar efektin e këtyre të fundit, tendencat afatmesme të inflacionit mbeten në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë. Kjo mbështetet nga stabiliteti i kostove të punës, marzheve të fitimit dhe pritjeve për inflacionin.
“Zhvillimet aktuale konfirmojnë një ambient relativisht të qëndrueshëm çmimesh në vend, ndërsa BSH mbetet e angazhuar të monitorojnë nga afër faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në inflacion”, tha Sejko.
e.xh/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.