Ekonomia

Interkonjeksioni me Maqedoninë, OST kontratë me konsulentin gjerman

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka firmosur marrëveshjen me konsulentin gjerman “ Fichtner GmbH dhe Co. KG “ për shërbimin e kunsulencës mbi projektin e Linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni, Elbasan – Fier si dhe zgjerimi i nënstacioneve Elbasan 2 dhe Fier. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të OST-së, bëhet e ditur se financimi i këtij projekti mbështetet nga Bashkëpunimi Gjerman Shqiptar i Zhvillimit, ku qeveria gjermane, tashmë ka angazhuar fonde për një kredi të zhvillimit deri në 50 milion Euro.

Përveç kësaj, për të mbuluar financimin e plotë të projektit, është vënë në dispozicion një grant nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor ( WBIF) prej 13,7 milion euro. Ndërsa, rreth 1,13 milion Euro, janë angazhuar për përgatitjen e dizajnit kryesor. Shërbimi i konsulencës do të kryhet nga kompania gjermane “Fichtner GmbH dhe Co” dhe do të mbulojë si fazën e parë të përgatitjes së projektit dhe fazën e implementimit, që do të bëhet në 2 lote.

Projekti parashikon ndërtimin e një linje 400 kV me një qark ndërmjet Elbasanit dhe Qafe-Thanës (kufiri shqiptaro-maqedonas) si dhe ndërtimin e një linje 400 kV me një qark midis Elbasanit dhe Fierit.

Po ashtu, parashikohet ndërtimi i një nënstacioni të ri 400 kV Elbasan 3 si dhe forcimi dhe zgjerimi i nënstacionit të Fierit. Sipas OST-së, projekti përforcon lidhjet interkonektive me rrjetin rajonal te energjisë elektrike, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon. Gjithashtu, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërisë ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike. Ndërkohë që, si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabullit nënujor me Italinë. Kontratat e zbatimit të projektit parashikohen të fillojnë gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button