Kronika

Intervista/ Skandalet e reja të korrupsionit që denoncoi Arben Ahmetaj

Dosjet e reja me fakte që implikojnë direkt Edi Ramën në disa prej projekteve më të kushtueshme të buxhetit janë investiguar personalisht nga Arben Ahmetaj

Në intervistën e katërt radhazi në “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj doli publikisht më i përgatitur se herët e tjera, duke sjellë për publikun denoncime të hartuara në formën e dosjeve të gatshme për të nisur hetime. Kjo ishte intervista e një ish-zyrtari të lartë që pretendon se gjatë muajve të heshtjes ka qenë nën presion ekstrem, nën kërcënime dhe sipas tij edhe nën rrezik real për jetën.

Por që pavarësisht të gjithave, ka zgjedhur të flasë mbi atë që ai e përkufizon si model qeverisjeje kriminale.
Në hyrje të intervistës, Ahmetaj foli hapur për kërcënime me vrasje, për tentativa rrëmbimi dhe për presion të vazhdueshëm psikologjik ndaj tij dhe familjes. Ai e përshkroi këtë periudhë si një kohë kur, sipas tij, “janë tentuar të përdoren të gjitha format mafioze”, duke e lidhur këtë presion me faktin se ai ka zgjedhur të flasë publikisht për afera që prekin majën e pushtetit.

“Ka pasur një plan të diskutuar deri në eliminim fizik”, tha Ahmetaj, duke shtuar se qëllimi, sipas informacionit që ai pretendon se ka, ka qenë sekuestrimi i tij ilegal, kalimi drejt Italisë dhe përfundimi në burgjet shqiptare “për të mos dalë më i gjallë”. Denoncimi i tij fillestar ishte parathënie për dosjet që ai hapi më pas, njëra pas tjetrës, duke i lidhur të gjitha me një figurë qendrore, Edi Ramën, të cilin Ahmetaj e quan vazhdimisht “kreu i organizatës”.

SKANDALI ME PORTIN E RI TË DURRËSIT

Denoncimi për portin e ri në Durrës kishte disa momente. Fillimisht ai u kujdes ta sqarojë se porti i ri është një nga asetet më strategjike të shtetit shqiptar, që në kompleksitetin e tij konsiderohet një nyje e sigurisë kombëtare.

Në këtë kontekst, denoncimi fokusohet në dy elementë kryesorë: Kush e ka fituar projektin? Çfarë lloj kontrate është lidhur?

Sipas Ahmetajt, kompania e përzgjedhur, Archidon, është një subjekt që, përmes një zinxhiri pronësie dhe lidhjesh, çon drejt interesave ruse, konkretisht drejt LUK Oil, kompani e sanksionuar nga SHBA.

“Del influencë e drejtpërdrejtë ruse në një infrastrukturë kritike”, tha Ahmetaj, duke e cilësuar këtë si alarm kombëtar, sidomos në kontekstin e NATO-s.

Sipas ish-zv.kryeministrit një port strategjik si ai i Durrësit, që i përket një vendi anëtar të NATO-s nuk mund të përfundojë nën ndikime që bien ndesh me orientimin zyrtar të Shqipërisë.

“Ty të del drejtpërdrejt influencë ruse në një infrastrukturë kritike. Dhe del një kompani interesante këtu që është Cayman co.s.l. Po të futeni del një veprimtari që të lidh me LUK Oil që është e sanksionuar” tha Ahmetaj, që sqaroi se kishte investiguar personalisht për origjinën e këtyre kompanive.

Në denoncimin e tij, Ahmetaj shton edhe një element tjetër kyç: kontrata, sipas tij, është pa tavan shpenzimesh.

Kjo do të thotë se shteti shqiptar nuk ka një kufi të qartë financiar dhe se çdo rritje kostoje do të rëndojë mbi taksapaguesit. Paralelisht, Ahmetaj flet për një terminal doganor të dhënë me koncesion afatgjatë për kompaninë e ushqimeve LIDL, duke e quajtur këtë një formë privatizimi të fshehtë të pronës publike.

SKANDALI ME PROJEKTIN SMART CITY

Projekti Smart City, sipas Ahmetajt, është një nga rastet më tipike ku retorika publike fsheh thelbin real të çështjes. Ai këmbëngul se nuk bëhet fjalë për “qytet të mençur”, por për një sistem masiv monitorimi dhe sigurie, që prek drejtpërdrejt privatësinë dhe të dhënat personale të qytetarëve.

Ahmetaj e ndan këtë dosje në dy nivele. I pari është ai i sigurisë kombëtare. Ai ngre pyetjen se kush do t’i administrojë të dhënat biometrike, targat, lëvizjet dhe identitetin e qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, fakti që kompanitë përfituese nuk janë nga vende anëtare të NATO-s krijon një rrezik serioz strategjik.

“Si mund t’i ketë një vend jashtë NATO-s të dhënat e shqiptarëve?”, pyet Ahmetaj, duke e kthyer çështjen nga teknike në politike dhe gjeostrategjike.

Niveli i dytë është ai financiar. Ahmetaj rendit shifra konkrete, duke pretenduar se kostot janë fryrë disa herë krahasuar me projekte të ngjashme. Ai e përkthen këtë për publikun në shembuj të thjeshtë: kamera trupi me kosto mbi 15 mijë dollarë secila, kamera rrugore që shkojnë në dhjetëra mijëra euro, ndërkohë që projekte të ngjashme më parë kanë kushtuar shumë më pak.

“Shqiptarët do të paguajnë 15 mijë e 723 dollarë vetëm për një kamerë trupi. Është çmenduri! Çmenduri!” u shpreh Ahmetaj ndërsa krahason këto shifra me projekte të mëparshme.

“Në 10 vitet e fundit janë importuar 1 milion pajisje sigurie për rreth 50 milionë euro. Ndërkohë këtu po blihen rreth 800 pajisje për 140 milionë dollarë” tha ai. 

Ahmetaj vuri në dukje se ministrja e brendshme, Albana Koçiu ka refuzuar ta firmosë kontratën për Smart City dhe për këtë u emërua zv.ministri i ri Xhemal Qefalia, që nëse e ka hedhur firmën, rrezikon burgun.

DOSJA HILL INTERNATIONAL DHE TUNELI I LLOGARASË

Në këtë dosje ku rikthehet tek tuneli i Llogarasë, Ahmetaj thotë se ka të provuar konfliktin e interesit ku janë zhytur krerët e mazhorancës. Thelbi i akuzës është i thjeshtë: Hill International, një kompani që fiton tender publik ose supervizon punime nuk duhet të paguajë udhëtime, hotele apo shpenzime për zyrtarë të lartë shtetërorë.

Por, thotë Ahmetaj, Hill International ka paguar udhëtime dhe hotele për Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe Delina Ibrahimajn, ndërkohë që ka përfituar kontrata publike. Lidhja mes përfitimit privat dhe vendimmarrjes publike është e qartë.

“Ka paguar për kryeministrin, ka paguar për Delinën dhe për Belindën. I ke këtu.” ka treguar Ahmetaj duke nxjerrë faturat e hotelit.

Raste të ngjashme SPAK i ka hetuar për Ahmetajn dhe Veliajn, ndërsa për Ramën, Ballukun dhe Delina Ibrahimaj po hesht. Ai e lidh këtë drejtpërdrejt me standardin e dyfishtë të prokurorëve si Altin Dumani.

“Nëse mua më çojnë për hetim se kam fjetur në hotel me gruan, atëherë me të njëjtin standard duhet të çohen edhe ata.” u shpreh ish-zv.kryeministri.

DOSJA KAYO DHE RON YEFFET

Kjo është një nga dosjet më ulëritëse për nivelin e korrupsionit në vendin tonë. Ahmetaj pretendon se kompania shtetërore KAYO është krijuar me pretekstin e industrisë së mbrojtjes, por në praktikë po përdoret si mekanizëm financiar për të plaçkitur pronat e ushtrisë.

Ahmetaj shpjegon se përmes ligjeve dhe VKM-ve, shteti humbet gradualisht kontrollin, humbet të drejtën e vetos dhe auditimi publik dobësohet. Kjo, sipas tij, e kthen pronën publike në kapital privat pa një proces transparent privatizimi.

“Pasuria publike kthehet në kapital privat pa asnjë procedurë privatizimi. Dhe kompanitë private nën umbrellën e KAYOS marrin kontrata ushtarake pa tender” tha Ahmetaj pasi kishte mbledhur të gjitha VKM njëra pas tjetrës me të cilat tregoi se si janë ndryshuar ligjet në mënyrë që pronat ushtarake të tjetërsohen.

Përfshirja e biznesmenit Ron Yeffet, të cilin Ahmetaj e përshkruan si mik personal të kryeministrit, sipas tij e bën skemën edhe më problematike, sepse lidh miqësinë personale me vendimmarrjen strategjike në sektorin e mbrojtjes.

DOSJA AKSHI DHE DURANA

Në këtë dosje, Ahmetaj flet për tendera sekret dhe për mënyrën se si, sipas tij, fondet publike në fushën e teknologjisë kanë përfunduar te rrjete të lidhura me pushtetin dhe krimin e organizuar.

Në emisionin Çim Peka Live, Ahmetaj tha se këta tendera i janë dhënë personave dhe kompanive të lidhura me pushtetin, duke përmendur konkretisht Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin. Sipas tij, fondet publike të përfituara nga tenderat sekret të AKSH janë shoqëruar me një marrëdhënie promovimi politik, ku Beqiri, sipas Ahmetajt, promovon te Edi Rama kompani dhe shoqata që drejton.

Ahmetaj publikoi një listë më kompanish për të cilat qeveria ka krijuar edhe mekanizma për shmangien e taksave. Sipas tij, kompanitë janë regjistruar formalisht në qendrën Durana në Xhafzotaj, duke përfituar status fiskal të favorshëm, ndërsa aktivitetin real e zhvillojnë në Tiranë.

“Kur kanë bërë ligjin e Duranës, ja ku e ke Lira Kokonën me Ermal Beqirin, te lista e kompanive, ke dy kompani të Ermal Beqirit te lista dhe këtu shoqata me kryetar Ermal Beqirin promovon këtë burrin që u ka dorëzuar AKSHI-n. Këtë e bën Ermal Beqiri, shoqata. Ky i jep tendera, këto e promovojnë. Me standartin e SPAK-ut, të Altin Dumanit këta duhet të arrestohen të gjithë” tha Ahmetaj.

Ish zëvendëskryeministri shtoi se bëhet fjalë për 46 kompani të teknologjisë së informacionit, të cilat, megjithëse të regjistruara në atë që ai e quajti “parajsë fiskale” në Xhafzotaj, kanë zyrat reale në zemër të Bllokut, duke shmangur pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri.

Gjatë intervistës, Ahmetaj ngriti gjithashtu dyshime për veprimet e SPAK, duke deklaruar se ende nuk po hetohet rrëmbimi i Daniel Shimës, ish zëvendësdrejtor i AKSH, një ngjarje që sipas tij ndodhi pas rrëmbimit të Gerond Meçes.

DOSJA THUMANË KASHAR

Në rastin e rrugës Thumanë Kashar, Ahmetaj kthehet te përvoja e tij si ish-ministër Financash. Ai pretendon se projekti fillestar ishte më ekonomik dhe më i favorshëm për shtetin, ndërsa ndryshimet e mëvonshme kanë fryrë kostot dhe kanë zgjatur kontratën në favor të koncesionarit.

“Kemi Thumanë-Kasharin, ka probleme serioze. Unë nuk do t’i lodh qytetarët me detajet e Thumanë-Kasharit. E para njëherë që Thumanë-Kashari është dhënë me vullnet, është ndryshuar çdo gjë nga kontrata e parë në kundërshtim me vendimin e gjykatës që unë e kam lejuar. Janë rritur kostot, është rritur ngarkesa në kurriz të qytetarëve, është një koncesion i dhënë kujt i do qejfi me mënyrën se si i do qejfi, nga kryeministri.

Këtu kam detaje këtu, që nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Autorizoi negociatë, ndërkohë që kontrata e parë nuk hyri kurrë në fuqi. Se deshte ta tjetërsonte, ta shtrembëronte, sot ke afatin e kontratës që ka ndryshuar, modelin ekonomik që ka ndryshuar, burimet e të ardhurave që kanë ndryshuar, garancia buxhetore nga zero është rritur, norma e kthimit është 7.6, 8.11. Janë ndryshuar kushtet thelbësore në kundërshtim me nenin 31 të ligjit.

Dhe ka hyrë hije dyshimi përtej se çfarë ka ndodhur me personat e përfshirë. Por unë nuk do t’i lidh. Dhe mos harroni që për sa i përket qytetarëve, përveç që paguajnë, janë hequr rrugët dytësore në investim. Dhe një fakt tjetër. Kontrata bazë e para dhe detyrimi ishte që të mos përdorej gjurma” u shpreh Ahmetaj për këtë çështje që tashmë është nën hetim nga SPAK.

Sipas tij, kompania ka përdorur edhe segmente ekzistuese rruge, duke ulur realisht investimin, por duke përfituar pagesa më të larta. Për publikun, mesazhi është i qartë: më pak punë reale, më shumë para nga buxheti.

EMRI QE BASHKON TE GJITHA SKANDALET E KORRUPSIONIT

Të gjitha denoncimet, Ahmetaj i lidh në një tezë të vetme politike. Ai këmbëngul se thelbi është tek modeli i një pushteti, ku projektet publike përdoren si depozita financiare dhe si mekanizma kontrolli politik.

“Është maja e ajsbergut”, përsëriti disa herë kur foli për tunelin e Llogarasë dhe AKSHI-n, me idenë se ajo që është publike sot, është vetëm një pjesë e vogël e asaj që fshihet pas.

Dëshmia e Ahmetajt merr vlerë, pasi ai flet si një dëshmitar i brendshëm që ka qenë brenda sistemit dhe që tani po e denoncon atë me emra, skema dhe një fakte që nuk lënë mëdyshje se Shqipëria është e kapur nga një organizatë kriminale, që nuk i ka mbetur asnjë qëllim më, përveçse të grabisë sa të mundet pasuritë e shqiptarëve./Lapsi.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button