Intervista/ Suzanna Shkreli shqiptarja e parë në Kongresin Amerikan!
Suzana Shkreli, shqiptarja që po kandidion për në Kongresin Amerikan, është mbështetur nga Rama, Basha dhe Berisha, të cilët kanë kërkuan votën e shqiptarëve në SHBA. Po kështu edhe presidenti amerikan Barack Obama, ka deklaruar mbështetjen për prokuroren shqiptare, duke thënë se është liderja që i duhet Amerikës.
Suzana ka dhënë një intervistë ekskluzive për dritare.net, realizuar nga Kozeta Turishta, të parën intervistë për një media shqiptare. Në këtë intervistë ajo na tregon më shumë për veten, mbështetjen e madhe të shqiptarëve nga e gjithë bota, që siç thotë ajo, nuk do ta realizonte këtë ëndërr pa ndihmën e tyre.
Meqë zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrojnë, po e risjellim sërish në vëmendjen tuaj, duke kërkuar që çdo shqiptar të mbështesë dhe votojë Suzana Shkrelin.
Intervistoi Kozeta Turishta
Suzanna Shkreli është 29 vjeç. Është gruaja më e re kandidate për Kongresin Amerikan, dhe shqiptarja e parë që kandidon për të qenë pjesë e Kongresit në Shtetet e Bashkuara, duke përfaqësuar distriktin 8 të Michigan.
Prokuroja shqiptaro amerikane, fitoi përballë kandidaturave rë tjera demokrate, dhe tani garon përballë republikanit Mike Bishop, i cili ka qenë dy herë, pjesë e Kongresit.
Por, kush është Suzanna Shkreli?
E lindur dhe rritur në Michigan, por me prejardhje nga Malësia e Madhe, është fëmijë i dy prindërve nga Ulqini dhe Gruda. Prindërit Zef dhe Maria Shkreli, kanë emigruar në Amerikë për një jetë më të mirë për katër fëmijët e vet. Suzanna ka një motër më të madhe, Diana, një vëlla binjak, Paul , dhe Mark, vëllai i vogël.
E rritur në një shtëpi ku është inkurajuar nga prindërit për të studiuar shumë, Suzanna përfundoi studimet në Universitetin Perëndimor të Michigan, për drejtësi. Më pas, arriti të bëhej prokurore në Macomb në Departamentin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shtetet e Bashkuara.
Kur iu propozua të bëhej pjesë e politikës ajo nuk tha jo, sepse Suzanna Shkreli nuk i thotë kurrë jo, një sfide.
Në një intervistë ekskluzive për dritare.net, Suzanna flet mbi fushatën elektorale, dhe sa e rëndësishme është për të , mbështetja nga shqiptarët.
Mbështetje, që i duhet të fitoje garën e saj, të grave si ajo, të shqiptareve si ajo. Sepse nëse fiton Suzanna, jo thjesht do të bëjë histori si shqiptarja e parë në Kongres, por do të hapë rrugë për shqiptarët në Kongres. Ndaj, në votën për Suzanna Shkrelin, shqiptarët e Amerikës, nuk mund të ndahen në demokratë e repubikanë. Të gjithë do të votojnë Suzannën si shqiptarë. (http://www.suzannaforcongress.com/)
Ju jeni kandidate Demokrate për Kongresin Amerikan, si iu duket kjo eksperiencë e re? Ka qënë politika një ëndërr për ju?
Suzanna Shkreli- Unë asnjëherë nuk kam ëndërruar të jem një Kongresmene. Si një prokurore në sektorin e mbrojtjes së fëmijëve, i kam kaluar ditët e mia në sallën e gjyqit, duke mbrojtur fëmijët e abuzuar fizikisht dhe seksualisht. Kur u zgjodha për të kandiduar, isha e vetëdijshme që nuk do të qe e lehtë. Por njëkohësisht e dija që distrikti i 8 i Michigan, kishte nevojë për dikë që nuk ka frikë të ndërmarrë sfida të forta, për familjet e klasës së mesme të Michigan. Në Kongres, unë do të mbroj të dyja palët dhe do të sigurohem që familjet e Michigan të ecin përpara.
Zgjedhjet do të mbahen në Nëntor, si po shkon fushata juaj?
Fushata po shkon shumë mirë. Ne kemi mbështetjen e Komitetit Demokratik për Fushatën në Kongres, njëkohësisht kemi përkrahje nga organizata, shoqata, dhe anëtarë të respektuar të Kongresit dhe Senatit. Ka një vrull dhe energji të pabesueshme për fushatën tonë historike.
Si e kanë pritur kanditurën tuaj njerëzit e qarkut ku ju do të kandidoni?
Kur flas me njerëz, gjatë takimeve të fushatës, ata më thonë se janë lodhur nga një Kongres i përcarë, ata duan një person që do të luftojë për ta, dhe jo për Korporatat e mëdha. Votuesit në qarkun tim, janë të emocionuar për mua, një kandidate që do t’i vendosë ata të parët dhe që nuk ka interesa personale.
E konsideroni një udhëtim të vështirë këtë sfidë politike, për shkak të rivalit tuaj, kandidatit Republikan, Mike Bishop, i cili ka dy vite në Kongresin Amerikan?
Unë e di që me suportin e votuesve dhe mbështetësit bujarë, do të mund të ulem në atë karrige dhe do të bëj histori, si shqiptarja-amerikane e parë që zgjidhet në Kongres, gjithashtu edhe si gruaja me e re në moshë.
Ne fushën e drejtësisë, ju jeni një grua e suksesshme, kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
Besimi im dhe familja, janë thesaret e mia më të çmuara, jam shumë e bekuar prej tyre. Familja ime gjithmonë më ka mbështetur dhe inkurajuar. Gjithashtu ia dedikoj suksesin grave që kanë qenë para meje. Unë nuk mund të kandidoja për Kongresin dhe as të besoja se do e fitoja, pa forcën e grave që kanë shtruar rrugën time.
Ju jeni shqiptare, por lindur dhe rritur në Michigan, Amerikë, sa e lidhur jeni ju me Shqipërinë?
Kam qenë disa herë në Shqipëri dhe Malësinë e Madhe, me pushime. Në Qershor, kam kaluar një jave duke folur me prokurorët në Shqipëri për të drejtat e viktimave të krimit, në emër të Departamentit të Drejtësisë Amerikane. Ishte një eksperiencë e pabesueshme. U përpoqa të bëj atë që gjithmonë kam dashur të bëj, të ndihmoj vendin tim, të ecë përpara.
Më pëlqen shumë kultura shqiptare, historia, dhe vlerat e mëdha që shqiptarët kanë, besa dhe mirëpritja. Unë jam krenare që e jetoj jetën time duke mbajtur fjalën, duke dhënë besën time.
Edhe shqiptarët janë krenarë që një grua nga Shqipëria është pjesë e politikës amerikane. Doni tu thoni diçka atyre?
Unë jam krenare që ju jeni krenarë për mua. Kam marrë mbështetje nga shqiptarët nga e gjithë bota. Dua t’iu them se unë nuk do të mund ta realizoja këtë ëndërr pa përkrahjen tuaj. Askush nuk është më i motivuar se unë dhe më i dedikuar për ta fituar këtë garë. Unë do t’i thyej barrierat, veçanërisht për gratë e reja, për gratë si unë. Nëse unë mund të bëhem kongresmene, mund të bëhesh edhe ti!
Nëse ju e fitoni këtë garë, cilat do të jenë janë planet tuaja për Kongresin?
Do të fokusohem te punët e paguara më mirë, duke u siguruar që forca jonë punëtore të mos largohet nga vendi. Duhet të krijojmë një mjedis miqësor për bizneset. Në mënyrë që pronarët e bizneseve të vogla, të kenë mundësi për të rritur bizneset e tyre, siç bënë edhe prindërit e mi. Ne duhet të mbrojmë sigurinë sociale, dhe t’i japim kujdesin shëndetsor të moshuarve, të cilën ia kanë dedikuar të gjitha vitet e punës këtyre programeve, në vend që të votonin për t’i privatizuar. Në fund, si dikush që ende po paguan për kredinë studentore, unë dua të kontribuoj që Universitetet të jenë të përballueshme për brezin e ardhshëm.
Faleminderit Suzana Shkreli dhe ju uroj të fitoni!
Faleminderit për mbështetjen tuaj! Unë e di, kjo është mundësia më e mirë për të dërguar një shqiptare-amerikane në Kongres. Nuk i dihet se kur mund të vijë përsëri ky rast. Jemi duke u afruar me datën e zgjedhjeve dhe ditën kur ne shqiptaro-amerikanët në Usa do të bëjmë histori.
Kombi shqipetr duhet te krenohet me kete vajze shqipetare.Urime,urime ,urime