Investigimi i BIRN: Si u transferuan jashtë vendit miliardat e “inceneratorit” të Tiranës
Më 7 dhjetor 2017, tre muaj pas themelimit, kompania fituese e kontratës së koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV (IEBV SPV) nënshkroi një marrëveshje nënkontraktimi me një prej kompanive themeluese të saj, Integrated Technology Services, (ITS) me një vlerë 1.5 miliardë lekë dhe një afat 12 mujor.
Kontrata, një kopje e së cilës është sekuestruar vite më vonë nga SPAK, është lidhur midis ish-administratorit të IEBV, Giusseppe Ciaffaglione, dhe administratorit të ITS, Klodian Zoto, dhe kishte për qëllim realizimin nga kjo e fundit të punimeve civile për mbylljen e landfillit të Sharrës, rivitalizimin e zonës dhe projektimin dhe ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe të infrastrukturës së nevojshme.
Megjithatë, sipas ish-administratorit të IEBV, Giusseppe Ciaffaglione, kompania nënkontraktore nuk e zbatoi kurrë kontratën; madje, në përgjigje të një letër porosie, ai i tha prokurorëve në vitin 2023 se firma e hedhur në marrëveshje nuk ishte e tij.
“Ai deklaron se nuk është nënshkruar nga ai kjo kontratë, të cilën po e shikonte për herë të parë”, citon Prokuroria e Posaçme.
“Po ashtu, ai deklaron se nuk ka dijeni që shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k, të ketë furnizuar apo sjellë ndonjëherë materiale për punime te kantieri i Inceneratorit të Tiranës”, shton organi i akuzës.
Pesë vjet pas nënshkrimit të kontratës të koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) lëshoi të premten dy masa sigurie “arrest me burg” ndaj biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale: mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim.
Sipas të dhënave të përfshira në vendimin e Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë të lëshuar ndaj dy të pandehurve nga gjyqtarja Irena Gjoka, Mërtiri dhe Zoto janë në qendër të një skeme mashtrimi financiar, e realizuar në bashkëpunim me zyrtarë të lartë publikë nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Trajtimit të Koncesioneve, e cila i ka kushtuar taksapaguesve dhjetëra miliona euro – të paguara në formën e tarifës së depozitimit të mbetjeve nga bashkitë e qarkut Tiranë në Sharrë.
Vendimi i GJKKO-së përmban në total 15 masa sigurie dhe përfshin zyrtarë qendrorë dhe vendorë – me në krye ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako, drejtorin e bashkisë Tiranë Taulant Tusha, dhe të akuzuar të tjerë pjesë të komisioneve që miratuan kontratën koncesionare.
Mërtiri dhe Zoto janë dënuar më herët për akuza të ngjashme në lidhje me kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit. Ata janë aktualisht në arrati dhe dyshohet se fshihen jashtë vendit. Dy biznesmenët nuk ishin të arritshëm për koment.
Fatura fiktive
Kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, me kosto deri në sekuestrimin e tyre prej 150 milionë eurosh, përbëjnë skandalin më të madh korruptiv në historinë e Shqipërisë moderne.
Sipas Prokurorisë, nga aktet e administruara në lidhje me të ardhurat që ka deklaruar në organet tatimore, shoqëria koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, deri në momentin e vendosjes së masë së sigurimit “sekuestro preventive”, rezulton të ketë përfituar rreth 6 miliardë lekë (60 milionë euro) të ardhura nga bashkitë e qarkut Tiranë nëpërmjet tarifës së depozitimit të mbetjeve për incenerim në venddepozitimin e Sharrës.
IEBV ka deklaruar gjithashtu rreth 2.88 miliardë lekë (28 milionë euro) blerje nga kompania nënkontaktore “Integrated Technology Services”, ITS, me administrator Klodian Zoto, i cili sipas SPAK është gjithashtu aksioner në hije i kompanisë koncesionare.
Ndërkohë, nga analizimi i llogarive bankare që shoqëria koncesionare disponon në bankën Credins dhe në bankën Raiffeisen, në monedhën vendase, por edhe atë të huaj, sipas SPAK rezulton se ITS ka përfituar nga shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, vlerën monetare prej 3 miliardë lekësh dhe 6,7 milionë eurosh, shumë kjo më e madhe se faturat e lëshuara.
Sipas Prokurorisë, firma e administratorit italian të IEBV, Giusseppe Ciaffaglione, në kontratën e dhjetorit 2017 me shoqërinë “Integrated Technology Services” është e falsifikuar.
“Në bazë të aktit të ekspertimit grafik të nënshkrimit, nr. 10200, datë 27.10.2023, ka rezultuar se në dokumentin objekt ekspertimi ‘Kontratë’, datë 07.12.2017, mes shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, me administrator shtetasin italian Giusseppe Ciaffaglione dhe shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, me administrator shtetasin Klodian Zoto, nënshkrimi, aty ku gjendet shenja e vulës, nuk duhet të jetë nënshkrimi i shtetasit Giusseppe Ciaffaglione”, shprehet SPAK.
Ciaffaglione ka deklaruar se ka qenë i punësuar deri në vitin 2017 te shoqëria italiane “Energy Recuperator SPA”, e cila është kontraktuar për ndërtimin e Inceneratorit të Elbasanit. Më pas, në gusht të vitit 2017, i ka mbaruar kontrata me shoqërinë italiane dhe ka lidhur kontratë me shoqërinë shqiptare të shtetasit Klodian Zoto, të cilin ia ka prezantuar Mirel Mërtiri. Po ashtu, ai deklaron se të gjitha detyrimet për pagesat për qiratë, strehimin dhe nevojat e tij ia ka mbuluar shtetasi Klodian Zoto, nëpërmjet kompanive të tij “ITS” dhe “Zoto Consulting”.
“Ai deklaron se pavarësisht se ka figuruar si administrator tek Inceneratori i Tiranës, angazhimi i tij kryesor, fizik dhe material, ka qenë tek Inceneratori i Fierit”, thekson SPAK, duke cituar shtetasin italian.
Ciaffaglione i ka thënë prokurorëve se pavarësisht se ai ishte administratori i kompanisë koncesionare, me anën ekonomike janë marrë punonjëse të lidhura me shtetasin Klodian Zoto, të cilat i jepnin “formularë të paplotësuar, kuponë për të kryer transferta në bankë etj, dhe që ai i nënshkruante pa ditur as shumën e transfertave dhe as përfituesit e këtyre transfertave.”
“Ai deklaron se gjatë punës së tij si administrator i shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, ka vënë re dokumentacione që mbanin nënshkrimin e tij, por që në të vërtetë nuk ishin nënshkruar nga ai. Për këto konstatime ka pyetur shtetasin Klodian Zoto, i cili i ka thënë që nuk ka arsye pse të shqetësohet.”
Përveç miliardave të përfituara nëpërmjet kontratës që dyshohet si e falsifikuar, ITS ka përfituar gjithashtu të ardhura në sajë të faturave nga subjekte fiktive, të cilat janë paraqitur si punime të kryera për shoqërinë “Integrated Energy BV SPV”, me një vlerë totale prej 409 milionë lekësh.
“Nga aktet e administruara rezulton se këto vlera monetare të siguruar në sajë të mashtrimit nëpërmjet paraqitjes së faturave të falsifikuara, janë tërhequr një pjesë e madhe e vlerave monetare në cash dhe janë transferuar në mënyra të ndryshme jashtë vendit nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”, shkruhet në vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përgatitur preventiva të falsifikuar duke fryrë treguesit në kostot e ndërtimit, të përfshira dhe në studimin e fizibilitetit për fitimin e kontratës koncesionare të inceneratorit.
“Në rrethanat e mësipërme, rezulton se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, aksonerët “de facto” të shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘mashtrim’ me pasoja të rënda, në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.”
Pronarë “de facto”
Ministria e Mjedisit e ka lidhur kontratën për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës më 31 gusht 2017 me kompaninë “Integrated Energy BV SPV”, e cila u regjistrua në Holandë nga bashkimi i tre shoqërive: “Integrated Technology Services” me përfaqësues Klodian Zoto, “Energy Recuperator SPA”, me përfaqësues Ernesto Granelli, dhe “Paul Wurth Spa” me përfaqësues Thomas Ealter Hansmman.
Kompania e Granellit është blerë nga “Paul Wurth SPA”, ndërsa kjo e fundit ia ka shitur aksionet e saj tek Integrated Energy BV, kompanisë shqiptare ITS. Sipas deklarimit të shtetasit Thomas Hansmann, administratori i shoqërisë “Paul Wurth Italia SPA”, kompania e tij i ka shitur aksionet te shoqëria holandeze “Integrated Energy BV” në dhjetor 2017, pasi projekti i ndërtimit të inceneratorit në Tiranë hasi në probleme.
“Ai deklaron se Inceneratori i Tiranës nuk është ndërtuar asnjëherë pasi kishin dalë probleme me lejen e ndërtimit nga autoritetet shqiptare, si dhe kishte probleme për sigurimin e financimit dhe pas një apo dy vitesh shoqëria e tij ka vendosur të dalin nga të qenit aksionerë duke ia shitur të gjitha kuotat e aksioneve aksionerit tjetër shqiptar themelues te shoqëria holandeze ‘Integrated Energy BV’,” thekson Prokuroria.
Nga të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i sekuestruar shtetasit Klodian Zoto, është konstatuar një marrëveshje e panënshkruar, ku në përmbajtje përshkruhet se shoqëritë italiane “Energy Recuperator SPA” dhe “Paul Wurth Italia SPA” ishin të detyruara që t’i shisnin aksionet që ato zotëronin te shoqëria holandeze “Integrated Energy BV”, te shoqëria shqiptare e shtetasit Klodian Zoto “Integrated Technology Services” sh.p.k, në momentin që do t’i kërkohej nga kjo shoqëri. Sipas Prokurorisë, kjo marrëveshje i përket kohës para se të kryhej regjistrimi i shoqërisë “Integrated Energy BV” në Holandë.
“Në këto rrethana rezulton se shoqëritë italiane janë përfshirë si aksionerë të shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV” vetëm për të plotësuar kriteret teknike, por “de facto” si përfituese reale e koncesionit ka qenë shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, ‘Integrated Technology Services” sh.p.k’”, shkruan Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, të dhënat e përftuara nga sekuestrimi i kompjuterit të shtetit Klodian Zoto gjithashtu tregojnë se ai dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët dhe kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendime në lidhje me shoqërinë hollandeze, përfshirë hapjen e llogarive bankare në emër të shtetasit Mirel Mërtiri në Zvicër dhe Bullgari.
Sipas fakteve të mbledhura nga SPAK nga komunikimet elektronike midis të dy biznesmenëve, rezulton se ata qëndrojnë pas një grupi kompanish, përfshirë “Albtek” sh.p.k, “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, “Integrated Technology Services” sh.p.k, “Artemis Farm” sh.p.k, “CGC” sh.p.k, “Miklo Construksion” sh.p.k, “Consulting SE Partners” sh.p.k dhe “Zoto Consulting” sh.p.k.
Komunikimet dhe mosmarrëveshjet midis partnerëve sugjerojnë se Mërtiri kishte rolin operativ në menaxhimin e grupit, ndërsa Zoto atë të drejtuesit financiar.